Blog

Butrinti zemër e qytetërimit - Nga Behar Gjoka

Me Butrintin u derdh kupa e durimit dhe mosdurimit. Me Butrintin u sos turpi dhe marrja, ra kultura, ra nderi, ra krenaria iliro-arbnore. Me Butrintin u kaluan të gjithë kufijtë dhe limitet e të pamundshmes.

Me Butrintin Qeveria Rama po luan keq me zjarrin. Po luan me zjarrin e durimit të shqiptarëve që u ka ardhur shpirti në majë të hundës, nga varfërimi, korrupsioni, vjedhja. PPP e Butrintit është kambana e alarmit se kemi mbet pa shtet.

Po luan me zjarrin e përjashtimit nga UNESKO, si pasuri botërore, nëse ligjet e ratifikuara me BE kanë vlerë për Qeveriun. Butrinti i Eneut, porta për të shkuar në Europë, dritarja nga ku hyhej në Gadishullin Ilirik.

Butrinti është plagë e hapur për secilin deputet që do japë votën për shkatërrimin e pasurisë, e Bukuroshes së Jonit, e syrit ciklopik, ku në lashtësi vështrohej bota matanë detit. Me Butrintin janë në provë edhe deputetët që janë kundër, që nuk bënë detyrën me përgjegjësi atdhetare.

Me Butrintin jemi fajtorë të gjithë, fajtorë sepse lejuam që ditën për diell, në mes të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, të hapen zgafellat e mënive dhe hakmarrjes së gadishullorëve.

Butrinti ka parë shumë pushtues, shumë perandori, ka parë dhe ka mbijetuar.

Pushtim nga vetja, më saktë nga horrat e Rilindjes së hajnisë, si ky i ketyre viteve, Butrinti nuk ka parë. Kultura dhe trashëgimia kulturore në rrezik. Po ua lejuam Butrintin, hajnave të jetës së të vdekurve, të jetës së të gjallëve, një ditë do ngrihemi pa monumente, mbase pa atdhe… Nëse ne do rrimë duke bërë sehir…

Butrinti toka e qytetërimit, jo e shitësve dhe blerësve sharlatanë të motit 2022, shqiptarë, grekë apo amerikanë qofshin, të shekullit XXI.

Butrinti zemër e qytetërimit, toka e lashtë epirotase...

©Behar Gjoka