Blog

Dhunimi i Mit’hat Frashërit, trishtim ndjellakeq - Nga Behar Gjoka

Shkatërrimi i varrit, dhunimi i bustit dhe pllakës së mermerit të Mit'hat Frashërit, më la shije të athët, më dëshpëroi pa masë. Dhunimi i vdekjes dhe i atyre që nuk janë më në jetë, shënon një atavizëm të frikshëm, që me sa duket i ka rrënjet diku në atavizmin ideologjik të monizmit, që ende na është lidhur lak në fyt, e natën e bën terr, e ditën natë.

Ërrësira e territ, o njerëz, është ulur këmbëkryq, mjafton të mendosh “legalizimin” e partronazhistëve, në gjoja demokraci, si dikur në motet e diktaturës. Trishtim ku të pritet fjala, pa grimën e mëshirës, sepse jemi peng i të djeshmes, madje si mendësi jemi totalisht në të djeshmen, që vriste e priste, dhunonte dhe shkatërronte jetët njerëzore. Dëshpëruese, sa nuk rrëfehet, sepse kjo marrëdhënie me matanëjetën, na lë pa të sotme, madje më shumë na lë çipllak dhe pa të nesërme.

Mit'hat Frashëri është pjesë e historisë sonë, me fitimtarë dhe humbës, është pjesë e kulturës sonë, është pasardhës i Abdyl Frashërit. Dje, sistemi diktatorial, vetëm pse krijoi Ballin Kombëtar, pra duke i rrezikuar pushtetin komunizmit, e shpalli armik. Sot, në motet e gjoja demokracisë, e gjoja lirisë, e lirisë së skllavërimit, ia dhunojmë varrin, e vrasin së dekmi... Çfarë ka mbetur pa u bërë, në gjallje dhe në amshim, mbi emrin, veprën dhe praninë e kësaj figure të historisë sonë të përjashtimeve të frikshme, në këtë nahinë tone?

Edhe kur sollën eshtrat e Faik Bej Konicës, mbaj mend që ia dhunuan bustin, se nuk durojnë famën e beut mençurak dhe sqimatar. A ka vend për Tjetrin ndër ne? A ka hapësirë për të ndryshmin? A dimë të heshtim mbas vdekjes? Jemi kundër vetes, vëllezër dhe motra shqiptarë, e kur je kundër vetes, kush po të do komshi?

Nëse e fshijmë si Mit'hat, pa Lumo Skëndon, kultura do të humbte shumë, do ishim pa pasurinë e revistës Dituria, pa Kalendarin Kombiar, pa veprat letrare, pa pasurinë e librave që ia dhuroi Bibliotekës Kombëtare.

Mbi të gjitha dhunimi i Mit'hat Frashërit apo Faik Bej Konicës, tregon se ideologjia komuniste ka lënë një humnerë në mes shqiptarëve, një humnerë që na rrëshqet drejt humbjes së arsyes. Së paku të vdekurit lihen të prehen në amshim.

Zoti na dha Shqipërinë, aq të bukur, me male dhe fusha, me det e lumenj, me liqene e kodra, me shumë begati. Na bekoi me diell, me dritë, e na në luftë me vetvedin, po çudisim botën.

Kur preket vdekja, të vdekurit, kjo tregon se ende nuk po e gjejmë udhën e Zotit, paqen me veten dhe me botën, shtegun për demokraci dhe liri.

Fali mjeranët se nuk dinë se çfarë bëjnë! Heshtni, o hije të djeshme, se fjala e thanme vetëm sa iu çnderon!

Duan apo nuk duan ata që kanë mbetë në kohën e Babaqemos, Mit'hat Frashëri, është pjesë e jona, e historisë dhe kulturës sonë, me dritëhijet që ende na qarkojnë këmbët, mëndjen, duart dhe hapat për të vlerësuar figurat që kanë lënë gjurmë në ngrehinën e kulturës arbnore.

©Behar Gjoka