Më mjafton gjuha e Naimit… - Nga Behar Gjoka

Dëgjon të thuhet shpesh, sidomos nga gjuhëtarët dhe akademikët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (Azili i Shkencërimit të Lodhur), me jo pak mungesë përgjegjësie shkencore, si dhe me një fodullëk të shpifur dhe jaragvitës, shpesh herë madje edhe uluritet, gjer në marrëzi…
-Po gjuha e Buzukut, Budit, Bardhit dhe Bogdanit që hodhën themelet e librit shqip, në gegnisht?
-Po gjuha e Matrëngës, Varibobës, De Radës, Skiroit, etj., që promovuan arbërishten e përkorë?
-Po gjuha e Fishtës, Mjedës, Pashko Vasës, Shirokës, Gurakuqit, Koliqit, Migjenit etj.?
-Po gjuha e Konicës, Haxhiademit, Lasgushit, Mitrushit, Markos, Spasses, Xoxes etj.?
Po këta gjuhëtarë e akademykër, të akademizmit të strapacuar dhe të stërlodhur, shkruajnë e thonë, serish pa grimën e kujdesit dhe përgjegjësisë shkencore:
-Na mjafton gjuha e Kadaresë, gjuha e Agollit, gjuha e Qoses, dhe vitet ua bëjnë shekull, e shekujt epoka, pavarësisht vlerave që bartin në disa tekste, vetëm pse u emëruan gjeni në kohën e Realizmit Socialist.
-Po gjuha e Camajt, Pipës, Rreshpes, Pashkut, Shkrelit, Trebeshinës, Podrimjes, Xhaferrit etj.?
Pjesa nuk zëvëndëson kurrën e kurrës tanësinë, që përbëhet nga brumi i shqipes së mjeshtrave të shkrimit letrar, o mendjendritur e trushkulur!
Gjuha shqipe është sistem që nuk përjashton asnjë autor, e sidomos asnjë vepër letrare, pavarësisht rrethanave shkrimore, madje pavarësisht nuancave ligjërimore të shqipes.
Çlirohuni nga marrëzia e dehjes së fitimtarëve të ideologjisë komuniste, të periudhës së rrumpallës, ku kemi më shumë prof. dr. sesa hidraulikër e këpucarë. Kur përjashton gjuhën e një autori gjuha thahet, e jo më të përjashtosh një dyzinë mjeshtrash të fjalës, mjerimi ulet këmbëkryq në lavrimin e gjuhës shqipe.
Kjo rrethanë më kujton shprehjen e Sartrit, kur shkruante: Qentë e gjallë kafshojnë luanët e vdekur! Në fakt janë zgjatim i pushtetit të djeshëm dhe të sotëm, që edhe gjuhën dhe letërsinë e ndan në gjuhë alpine dhe moçalishte…
Lexoni dhe shijoni autorët që ju pëlqejnë! Ama, mos harroni që shqipen e shkruar e zuni fill Pal Engjëlli, me Formulën e Pagëzimit dhe i vuni kunorë përjetësie Gjon Buzuku me Mesharin...
©Behar Gjoka