Virgjil Kule: Ja si ngrihen problemet e mëdha dhe bëhet kritika e fortë duke ruajtur etikën e komunikimit në parlament
Gazetari i njohur Virgjil Kule në profilin e tij në Facebook ka postuar të përkthyer në shqip, fjalimin e deputetit belg Guy Verhovstadt në Parlamentin Europian, drejtuar kryesisht gjermanit Hans-Olaf Henkel.
“Ja si ngrihen problemet e mëdha dhe bëhet kritika e fortë duke ruajtur etikën e komunikimit”- thekson Kule, duke postuar më poshtë fjalimin e eurodeputetit.
"Para së gjithash, dua t'i them zotit Henkel se sigurisht që demokracia është e rëndësishme, por ajo është e rëndësishme pikërisht sepse egziston Europa e Bashkuar. Kur ajo nuk qe krijuar, kishte autoritarizëm, despotizëm, fashizëm dhe nazizëm në Europën midis dy luftrave botërore.
Vetëm kur krijuam Europën e Bashkuar u bë e mundur demokracia. Kjo është arritja.
Jam i lumtur që kryeministri Xavier Bettel, foli për lirinë e shtypit dhe vlerat morale, sepse momentalisht në Europë ka probleme. Vlerat po kërcënohen. Në Maltë dhe Sllovaki gazetarët po vriten. Le të jemi koherentë zoti Manfred Weber dhe të guxojmë ta themi: Mjaft me Hungarinë e zotit Urban, me Poloninë e zotit Kashinski ose me sistemin politik të korruptuar në Maltë. Ato nuk janë europianë, tek ato gjendet burimi i problemeve tona. Këtë duhet ta pohojmë me kurajo. Stop Urbanit dhe Kashinskit. Stop atyre që mendojnë se një sistem i korruptuar si ai i Maltës mund të jetë i dobishëm finaciarisht për atë vend. Faleminderit për këtë vizion Xavier, që e dëgjojmë të shprehet herë pas here këtu në parlamentin europian, por jo aq sa duhet. Faleminderit gjithashtu për rolin që luan Luksemburgu sepse, sa herë që kërkohet ndonjë kompromis ju jeni aty të gatshëm për ta gjetur bashkë me Belgjikën dhe të tjerë. Për të gjetur zgjidhje që na mundësojnë të ecim përpara. Por duhet ta themi se nganjëherë janë vendet e mëdha që bëhen pjesë e problemit. Zoti Henkel foli për Italinë dhe kështu do bëj edhe unë. Nuk mendoj se kriza italiane është diçka e jashtëzakonshme. Nuk është hera e parë që Italia ka krizë politike. Krizat politike atje kanë egzistuar edhe para Euros. Kriza politike ka pasur gjithashtu edhe në vende të tjera si në Belgjikë, në Hollandë... Në Gjermani u desh ca kohë që të krijohej qeveria...
Jo! Problemi i vërtetë, të cilin dua ta theksoj këtu, është se sa herë që ka një krizë politike në një nga shtetet e mëdhenj, anëtar i eurozonës, ajo shndërrohet menjëherë në një krizë të të gjithë rajonit. Defiçitet rriten, bankat vihen në vështirësi dhe, më në fund, ekonomia dhe besimi pësojnë kolaps.
Po pse ndodh kështu? Pse kur ka krizë politike në një vend të madh të eurozonës atë e ndjen i gjithë rajoni? Arsyeja është e thjeshtë: monedha jonë e njësuar, bashkimi ynë monetar është një proces që ende nuk ka përfunduar. Ky është realiteti, zoti Henkel.
Fakti është se valuta jonë e përbashkët është e vetmja valutë në botë mbi të cilën ushtrohet autoritet monetar, por jo autoritet politik. As autoritet politik dhe as autoritet buxhetor. Këtu qëndron problemi. Kështu duhet ta orientojmë analizën që i bëjmë krizës në Itali, zoti Henkel.
E verteta është se ne e menaxhojmë bashkimin tonë monetar mbi bazën e një kontrate ndërqeveritare mes shteteve të eurozonës. Dhe kur lindin probleme politike në një shtet, automatikisht ndikohemi të gjithë. Kjo logjikë duhet braktisur. Dhe për të braktisur këtë logjikë nuk duhet të ecim mbrapa, zoti Henkel. Ne duhet të ecim para. Dhe, të ecim para, do të thotë që duhet të zbatojmë në praktikë direktivat e raporteve të OECD, të IMF, të Bankës Qendrore Europiane, të Komisionit Europian dhe të Parlamentit Europian. Ato nxisin për një qeveri dhe një parlament të posaçëm, për një kapacitet fiskal, një ministër finance dhe për një bashkim bankar të kompletuar për eurozonën.
Dhe këtu vjen mesazhi im i dytë, zoti Henkel. Pse nuk i kemi këto? Janë absolutisht të nevojshme dhe unë i kërkoj zotit Bettel dhe Presidentit të Komisionit që këto t'i vendosin si prioritet.
Kjo nuk do të thotë se vendet antare nuk duhet t'i bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë.
Është e vërtetë ajo që thatë ju më parë: midis viteve 1970 dhe 1996, konkurrueshmëria e Italisë ishte po aq e fortë sa ajo e Gjermanisë. Po kështu edhe shifrat e saj të eksportit. Kriza atje nuk ndodhi se Italia u fut në Euro. Kriza atje ndodhi se atje nuk bënë reformat e nevojshme. Në të shkuarën ata mund të zhvleftësonin monedhën e tyre. Sot kjo është e pamundur. Mos ndoshta ju jeni për zhvleftësimin? Për zhvleftësimin e monedhës si mënyrë për të mos bërë reforma të tjera në vend, për t'iu shmangur reformave? Kush paguan për këtë? Zotin Henkel nuk e shqetëson kjo pyetje. Jo, jo ai është lart në hierarki, nuk e ka problem. Çmimin e zhvleftësimit e paguajnë njerëzit e thjeshtë, pensionet dhe kursimet e të cilëve pakësohen. Pra kjo nuk mund të jetë zgjidhje. Zgjidhja nënkupton reforma dhe Italia duhet t'i bëjë ato ashtu sikundër ka nisur t'i bëjë edhe Franca. Reforma, reforma, reforma! Dhe Italia do të shpëtohet, zoti President. Por kjo kërkon edhe solidaritet brenda Bashkimit Europian, nga veriu në jug të tij. Gjermania duhet t'i pranojë propozimet e Emanuel Makronit dhe të Komisionit për reformën e vet në Eurozonë.
Zoti Sholtz, t'i bie shkurt: ministri juaj i financave duhet të ndjekë zotin Shulc dhe jo zotin Shauble.
Gjithashtu duhet solidaritet edhe nga jugu në veri. Në qoftëse nesër plas një luftë tregëtare me Trampin, ne duhet të mbështesim industrinë gjermane, madje edhe automobilët gjermanë! Kur isha i ri në fakt preferoja Alfa Romeon me shumë se BMW-në, por tani na duhet doemos solidariteti...."
©FlasShqip.ca






















