Kur duhet të dalim në pension? - Nga Jeta Dedja
- Nga: Jeta Dedja
Po mendoja për moshën e pensionit dhe Otto von Bismarck, kancelarin e parë gjerman kur në vitin 1889 propozoi nxjerrjen e 70-vjeçarëve në pension duke u garantuar atyre mbështetjen nga shteti, me qëllim që t`u rriteshin shanset e punësimit të rinjve të papunë. Në atë kohë njerëzit punonin deri kur t’i linte takati, duke theksuar këtu se jetëgjatësia ishte më e ulët se sot dhe se pensionet e sigurimet shoqërore nuk ekzistonin.
Po mendoja për pensionistë dhe jopensionistë të famshëm si Joe Biden dhe ca të tjerë, që janë aktivë e në krye të detyrës, me fate vendesh e popujsh në duar, pavarësisht cilësisë apo rendimentit. Si njeri që i hap vetes punë po thosha me vete, “ja edhe unë dua të punoj gjatë si këta, por ama derisa të kem mendjen të kthjellët”. Pastaj po mendoja për llojet e punës që mund dhe s’mund të bëjë njeriu kur mendja (dhe jo vetëm) fillon t’i bëjë numra.
I ndava më vonë mendimet e mia (sigurisht jo të gjitha) me një kolege e cila festoi pak javë më parë 75-vjetorin. Më tha se do të punonte edhe 5 vjet të tjera, por me orar të reduktuar, derisa të kalonte përfundimisht në stadin e pensionistit të plotë. Dhe me një pasion të admirueshëm po më tregonte gjithë fazat e pensionit të saj progresiv. Dukej e lumtur.
Fatmirësisht, Kanadaja nuk të nxjerr në pension po nuk deshe. Kjo do të thotë se punonjësit 65 vjeç e lart janë të mbrojtur; pra nëse nuk dëshirojnë të largohen nga puna askush nuk mund t`i detyrojë për të kundërtën. Ka edhe përjashtime, si rasti i pilotëve. Por përgjithësisht, nëse punëdhënësit planifikojnë të largojnë nga puna dikë “të moshuar” duhet të japin argumente të forta, përndryshe do të përballen me gjykatën apo burimet njerëzore për diskriminim moshor.
Por cila do të ishte mosha më e përshtatshme për të dalë në pension?
Shumëkush do kalonte nëpër mendje disa pyetje të tjera para se të jepte një përgjigje.
Ja e zemë se është 65 vjeç mosha ideale për dikë. A do të mjaftonte pensioni për të përballuar vitet në vazhdim? Nëse kursimet dhe pronat mungojnë, mosha 65 mund të shtyhet në 75 nëse edhe shëndeti e favorizon.
Ja po themi se kemi kursyer dhe punuar për këtë ditë. Mosha 65 sërish mund të shtyhet në 70, 75 apo 80 nëse dëshira, vullneti dhe potenciali për të kontribuar në nivel publik nuk është shuar.
Dhe ja dolëm në pension, të lumtur apo të trishtuar qoftë. A do na lejojnë kushtet fizike e shëndetësore të ndjekim stilin e jetës që duam? Nëse po, sa do të përputhet stili ynë i jetës me atë të familjes sonë? E nëse jo, ku do e çojmë gjithë atë kohë të lirë? Po bashkëshortët çfarë vendi do zënë në jetën e pensionistëve? A do të përputhen interesat dhe qëllimet e njërit me ato të tjetrit? Cili do të jetë kuptimi i jetës kur të dalim në pension? Me çfarë do merremi, çfarë kontributi mund të japim? Çfarë masash duhet të marrim kur të vijë dita e shënuar?
Pra ka kaq shumë pyetje që nevojiten të adresohen, si edhe kënde të ndryshme trajtimi. Se në fakt dalja në pension është një ngjarje me rëndësi në jetën e njeriut po aq me peshë sa edhe martesa, apo lindja e një fëmije, por që shpesh herë neglizhohet të trajtohet e diskutohet në familje apo edhe me specialistët.
Prej koleges sime m’u përforcua mendimi se asnjëherë nuk është herët dhe as vonë (kjo e fundit ha diskutim) për të bërë plane për moshën e pensionit pavarësisht se Zoti mund të qeshë me to.
© Jeta Dedja & Flasshqip.ca




















