Stil & Jetë

Magjia dhe arti i parfumeve - Nga Iva Çaushaj

Nuhatja është ajo shqisë, të cilën nuk mund ta formësojmë rracionalisht. Ndaj, të gjithë ne, në një mënyrë ose në një tjetër, jemi të pafuqishëm përballë magjisë së parfumeve.

Shqisa e nuhatjes ka një rëndësi thelbësore, pasi ajo është e lidhur direkt me sistemin limbik, zonë e trurit ku lindin emocionet, e cila i përgjigjet perceptimeve hipotalamike, e lidhur me sistemin neurovegjetativ dhe sistemin endokrin. 

Mekanizmi i nuhatjes nuk është ende plotësisht i shtjelluar, por, sigurisht që, përcjellja e molekulave aromatike drejt perceptimit të tyre fillon me flegrat e hundës, duke vazhduar në pjesën e sipërme të saj, ku janë lokalizuar sensorët e nuhatjes. Në ekstremitetet e këtyre fijeve nervore ndodhen miliona qeliza dentritike që funksionojnë si receptorë.

Grimcat e aromatizuara të pranishme në ajër, duke rënë në kontakt me këto zgjatime nervore, provokojnë reaksione kimike, të cilat stimulojnë sistemin limbik. Pra, shqisa e nuhatjes është një zonë refleksesh dhe perceptimesh parësore për organizmin tonë. 

Parfumi, duhet të përshatatet, jo vetëm më lëkurën, por, ai duhet të hyjë në alkimi me të, sikurse, edhe me personalitetin tonë. Parfumi ideal është ai që nuk ngatërrohet me asnjë ndjesi tjetër - hyn përmes shqisës së nuhatjes, shkon menjëherë në tru e në mënyrë të patjetërsueshme influencon të gjithë qënien tonë. Parfumi duhet të jetë ringjallje e ndjesive, ndaj lipset t’i pëlqejë të gjithë organizmit, jo vetëm shqisës së nuhatjes. Thuhet se, një parfum ndjell freskinë, pastërtinë, kompozon pranverën në atë hapësirë të së pandërgjegjshmes, e cila qëndron e kyçur tek secili prej nesh.

Përbërjet e para të parfumuara u përftuan prej esencava, të cilat u përdorën për të aromatizuar trupin e njeriut dhe ambjentet përreth tij. Në antikitet, përmes esencave aromatizoheshin vendet e shenjta, ku priftërinjtë digjnin rrëshira e drunj aromatikë për të përftuar një tym dehës e ndjellës. Pikërisht, në këto rituale i gjen të mbrujtura rrënjët e saj fjala “parfum”: nga gjuha latine "per" do të thotë "tërësisht" dhe "fumus" do të thotë "tym".

Gjithashtu, vajrat esencialë shërbenin edhe si melhem për shpirtin e trupin, si rezultat i vetive antiseptike të zbuluara paralelisht me ato aromatike.

Priftërinjtë, si mbrojtës të vetëdeklaruar të shpirtit njerëzor, shëndetit mendor e atij fizik, mëngjeseve kishin zakon të digjnin rrëshira prej aromash ndjellëse, të forta dhe eksituese, për të zgjuar ndjesitë e paralizuara gjatë mbrëmjes. Në mesditë, digjnin bimë me aroma të drunjta si, pisha e gjineshtra me efekte terapeutike, ndërsa, në mbrëmje evaporizonin aroma të lehta e të buta për të vendosur ekuilibrin psikofizik, por, duke shmangur efektin sedativ e narkotik të bimëve. "Nota melodie!"-do të shpreheshin përkrahësit e Pitagorës, asokohe.

Persianët ishin ata, që do të formulonin parfumet e para, pasi zbuluan tretshmërinë e esencave në alkoole. Sidoqoftë, nuk mund të pohojmë një datë apo një qytetërim lidhur me lindjen e esencave parfumuese. Sikurse shumë forma të tjera arti, edhe zanafilla e artit të parfumerisë i fsheh rrenjët e saj thellë në antikitet. Por, ajo ç'ka mund të pohojmë me siguri është se, arti i parfumeve lulëzoi përmes ritualeve fetare, ku digjej temjan në vendet e shenjta, në harmoni me traditat e zakonet sipas kulturave përkatëse.

Sikurse, të gjitha ritualet kozmetike në kulturat antike, edhe parfumet shiheshin si "trajtime luksi", prej të cilave, mund të bekoheshin veç shtresat e larta shoqërore. Mbi këto rituale, prej qytetërimit helen e më pas atij romak, Plini e Seneca përcjellin informacione të çmuara në manualet e asokohëshme mbi metodat fitokozmetike, farmakognozike e farmakologjike në mbledhjen, tharjen, format e ekstraktimit, formulimit, vetive e veprimeve sipas drogave të bimës, deri tek ambalazhimi e çmimi i tregtimit te tyre. Në shënimet e tij, Plini përshkruan, gjithashtu, metodat e përftimit të parfumeve, ku lulet (droga aromatike) thaheshin, maceroheshin e prej tyre, përmes shtrydhjes, nxirrej vaji esencial pur, i cili përzihej më pas me erëza apo esenca të tjera të familjeve olfatike. Ndër format më të preferuara e të përdorura përgjatë qytetërimeve helene e romake kanë qënë vajrat esencialë dhe pudrat e aromatizuara.

Në 1857, G.W. Septimus Piesse, krijoi një manual, i cili u quajt “The Art of Perfumery”. Arti i parfumerisë dhe metodat e përftimit të esencava prej drogave aromatike, u hartua mjeshtërisht, së bashku me instrumentet dhe kombinimet e mundshme në formulimin e produkteve kozmetike, kozmeceutike e farmaceutike, të cilat lipseshin të aromatizoheshin.

Por, edhe pse, kultivimi i hershëm i bimëve aromatike ka shërbyer për shërbime të shumëllojshme, duhet theksuar se, qëllimi parësor ka qënë e vazhdon të shenjojë formulimin e esencave dhe atë të parfumeve.

Së bashku me manualin e plotë mbi parfumet dhe esencat, Septimus Piesse, gjithashtu, krijoi, një instrument, i cili i kompozonte esencat dhe aromat përmes notave muzikore, me qëllim klasifikimin e parfumeve, bazuar në kombinimet olfatike, sikurse, notat harmonizohen për të krijuar një simfoni të papërsëritshme. Instrumenti u quajt “odophone” dhe ndihmoi të kuptohej dhe formulohej një aromë përmes notave të parfumuara.

Sikurse notat muzikore të një melodie harmonizohen së bashku për të kompozuar një simfoni, edhe notat e parfumuara, përmes akordeve (esencat e shumëllojta bimore), do të lidhen përjetësisht mes tyre, duke krijuar një aromë unike e të patjetërsueshme.

Kur kompozohet një parfum, notat e tij akordohen sipas thellësisë së aromave, prej nga burojnë. Kësisoj kemi: notat e kokës, notat e zemrës dhe notat e thella - aromat më të fuqishme, që zgjasin disa orë.

Notat e kokës janë ato aroma që perceptohen të parat prej shqisës së nuhatjes. Teksa esenca do të avullojë, përbërja kimike e aromatizuar, natyrshëm, do fillojë të përshfaqë notat e zemrës e më pas, ato të thellat.

Edhe pse, notat e kokës janë ato që të shkaktojnë valën e parë të beftë aromatike, në fakt, parfumit, identitetin e vërtetë ia dhurojnë ato nota që maturohen me orët-notat e zemrës dhe notat e thella. Këto janë parfumi apo esenca e vërtetë. Notat e zemrës, që shtrihen në mes të strukturës kompozicionale të parfumit, janë akorde, të cilat dhurojnë një ekuilibër magjik midis aromës tronditëse prej notave të kokës dhe aromës dehëse prej notave të thella. Andaj, notat e zemrës ndjehen si shpirti i një parfumi.

E megjithatë, në një parfum, ne nuk duhet të përqëndrohemi tek notat apo akordet, përmes të cilave ai është kompozuar, por tek harmonia që ato krijojnë në perceptimin gjithpërfshirës të aromës. Një parfum lodron me humorin tonë, duke na bërë të ndjehemi të lumtur, tërheqës apo të ndjellë emocione e kujtime prej një tjetër kohe. Parfumi ideal kërkon të hyjë në një lidhje kimike të magjishme me lëkurën, që të frymëzojë personalitetin tonë në mënyrë të patjetërsueshme. "Asgjë nuk mund të zgjojë një kujtim, sikur një parfum!" shkruante Victor Hugo. 

*Iva Çaushaj është lektore dhe eksperte e Farmacisë klinike. Autore e “Dermokozmetologjia-manual i kozmetologjisë për profesionistës e së ardhmes”. Dr.Iva është një kontribuese e çmuar për FlasShqip.ca edhe si përkthyese e talentuar.