Bukuri

In Memoriam: Hubert de Givenchy

Hubert de Givenchy ishte stilisti i cili i dha grave lirinë për të krijuar stilin e tyre. Ai bëri që një veshje luksi të dukej e thjeshtë dhe gratë të ndiheshin rehat dhe bukur në çdo rast. Muza e tij ishte aktorja Audrey Hepburn, e cila me fustanin bardhë e zi te filmi ‘Breakfast at Tiffany’s’ mbetet ikonë e stilit Givenchy. Stilisti i madh me karrierën e jashtëzakonshme i cili vdiq pak ditë më parë në moshën 91 vjecare do të mbahet mend si aristokrati më i madh i modës. Ai ka veshur gratë më të bukura e më të famshmë në botë. Givenchy u dallua që herët për detaje si jakat e veçanta dhe format e reja të fustaneve. Ai e solli elegancën përmes bukurisë së thjeshtësisë. Ai krijoi imazhin e Jackie Kennedi, e cila spikaste dhe ende mbahet mend për stilin femëror. Arti i Givenchy e bëri Parisin të qëndrojë në krye të modës për një kohë të gjatë.