Komunitet

Kur artistët shqiptarë bëhen bashkë në Toronto

  • Published in Komunitet

Më 16 nëntor, u përurua zyrtarisht ekspozita e 26 piktorëve shqiptaro-kanadezë, bashkë me 93 punimet e tyre.

Adriana Graceni, Albana Çanga, Alket Xhakollari, Arber Rexhepi, Ardian Radovicka, Arjan Bafa, Aurora Paplekaj, Brian Balili, Dhurata Sahatçija, Elis Tarelli, Entela Konomi, Ermal Xhixha, Gazmend Kondaj, Gent Bejko, Jeronim Dyrmishi, Kastriot Dervishi, Kristaq Turtulli, Petro Dhimitri, Rapi Sota, Rei Misiri, Robert Simoni, Vilma Saraçi Mebelli, Ylli Radovicka, Viola Ilia dhe Zeqirja Rexhepi, ishin artistët pjesëmarrës.

Fjalën e hapjes e mbajtën kuratorët e galerisë Carlos Rodriguez dhe Tanzina Amin si dhe koordinatori i eventit Ardian Radovicka. Për organizatorët, numri i pjesëmarrësve dhe vizitorëve në ekspozitë tejkaloi çdo parashikim. Mbi 200  vetë ishin në cilësinë e publikut të pranishëm përgjatë 3 orëve.

“Vërtet diçka e mrekullueshme. Kishim kohë që përgatiteshim, por të them të drejtën as në ëndërr s’e kisha parashikuar diçka të tillë. Më ka ndihmuar shumë edhe botuesi i FlasShqip, Taulant Dedja”-shprehet Radovicka. “Nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës në fillim. Kjo tregoi që cilësia e eventit nuk përcaktohet nga sallat e mëdha dhe luksoze por nga dashuria e madhe për artin dhe kulturën tonë, për njëri-tjerin. Me këtë vitalitet dhe talente të spikatura ne mund të "pushtojmë" Kanadanë nga bregu lindor në atë perëndimor”-nënvizon fjalën "pushtim" me humor Ardian Radovicka.

Eventin e përshëndetën edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kanada, Ermal Muça dhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Toronto, Donat Syla.

E pranishme në përurim ishte edhe Anxhela Paparizo, drejtoresha e kulturës në bashkinë e Burlington-it.

Në një prononcim për FlasShqip ajo u shpreh: “Më vjen mirë që ekspozita të tilla krijojnë mundësinë e prezantimit të artistit shqiptar tek bashkatdhetarët në mënyrë të organizuar. Shpresoj të jetë fillimi i shumë aktiviteteve të tjera me karakter të mirëfilltë artistik. Ne kemi artistë shumë të talentuar dhe suksesi i tyre padyshim bën krenar çdo qytetar shqiptaro-kanadez”.

Në fakt, ky aktivitet nuk ishte thjesht një ekspozitë klasike pikture. Por ishte një shfaqje e vërtetë artistike, pasi çdo çast frymonte art. Violina e të famshmit Augustin Cin Simoni, babai i piktorit Robert Simoni, ishte një frymëzim më vete që ngacmonte ndjesitë artistike të vizitorëve.

Prezenca e Tringa Rexhepit, këngëtares që kish ardhur të përshëndeste eventin jo vetëm për shkak të pranisë së të atit, piktorit të mirënjohur Zeqirja Rexhepi, por edhe ndjenjës komunitare për të kontribuar.

Fotografimi i çasteve nga përurimi prej Adriana Gracenit, artistes pjesëmarrëse në event me pikturat e saj me motive kombëtare,

luajtja në organo e Dea Radovickës,

koordinimi teknik i Taulant Radovickës ndoshta për lexuesit tingëllon si një aktivitet miqsh e familjarësh, por për komunitetin e shqiptarëve të Kanadasë do të thotë solidaritet dhe bashkim forcash shqiptarësh.

Artistët e talentuar shqiptarë, të rinj në këtë fushë dhe profesionistë të artit figurativ u mblodhën si rrallë herë duke dëshmuar veçanërisht në vitin e Skënderbeut, se shqiptarët kur bëhen bashkë janë “të pathyeshëm”.

Këtë perceptim lidhur me eventin ka shfaqur shumica e pjesëmarrësve të intervistuar nga FlasShqip. Ata janë befasuar nga artistët e shumtë, dhe pritshmëritë e tyre për ekspozitën e parë të përmasave të tilla janë tejkaluar. Vitaliteti i komunitetit të vogël shqiptar në Kanada tregoi se numrat nuk kanë rëndësi në raport me cilësinë, energjinë dhe frymën kombëtare.

Ja si shprehet Entela Konomi: “Kur më njoftuan për ekspozitën para disa muajsh e prita normalisht. Por nuk e besoja dot se brenda një kohe të shkurtër unë do ndeshja me kaq shumë shqiptarë të cilët artin e kishin pasion. Dje ka qenë një surprizë e madhe kur në galerinë ku ekspozoheshin punët tona nuk kishte vend. Kishte aq shumë njerëz. Ishte surprizë e vërtetë”.

Piktorja Konomi thekson për FlasShqip se dëshiron që të gjithë artistët shqiptarë që jetojnë në Kanada të marrin pjesë me punimet e tyre edhe në ekspozitën e ardhshme që Galleria e saj “Ambigu” në Montreal planifikon të organizojë.

Piktori i mirënjohur Zeqirja Rexhepi, artisti i gjithanshëm i ardhur enkas nga Halifax-i, e ka cilësuar si me shumë vlerë organizimin e ekspozitës kolektive me vepra të krijuesve shqiptarë të arteve figurative që jetojnë në Kanada. “Kam parë ëndrrën time të realizuar dhe jam krejt i befasuar nga pjesëmarrja masive e publikut jo vetëm shqiptar, por sidomos e të rinjve shqiptarë” – u shpreh ai duke vlerësuar punën e organizatorëve, të mediave shqiptaro-kanadeze dhe në veçanti përkushtimin e Z. Ardian Radovicka. Sipas tij, ky event ishte një arritje e madhe, për afirmimin e vlerave tona kulturore dhe afrimin e mëtejshëm dhe harmonizimin e dy kulturave të vendit tonë të origjinës dhe vendit ku fati e solli të jetojmë sot.

Portali Flasshqip.ca, media sponsor i ekspozitës, i përgëzon dhe ju uron sukses artistëve edhe në aktivitetet e ardhshme si dhe falenderon me radhë të gjithë mbështetësit dhe bizneset që kontribuan për realizimin me sukses të eventit: “European Patisserie” me pronarë Bruna dhe Adi Brari, “Albany Gourmet Pizza” me pronar shkrimtarin Përparim Kapllani, “RH Scholarship” dhe Zj, Teuta Haxhillari, “Onufri Painting” me pronar Lali Gjeçi, “Select Maintenance” me pronar Arbër Skilja dhe “Beverly Renovation&Restoration” me pronar Kostandin Tili.

Kushdo që nuk arriti të marrë pjesë në ditën e përurimit të ekspozitës, mund të shkojë ta vizitojë atë në ambientet e ARTUSIASM ART GALLERY, 1684 St. Clair Avenue West, Toronto, deri në datën 24 Nëntor, vetëm se tortën speciale me simbole kombëtare, të përgatitur enkas për ekspozitën nuk do ta gjejnë më aty.

Galeria me disa prej fotove nga aktiviteti, realizuar nga Adriana Graceni

©FlasShqip.ca

Toronto 2018