Komunitet

Inaugurohet ‘Shtëpia Shqiptare’ në Hamilton-Urojnë përfaqësues të komunitetit nga mbarë Kanadaja

  • Published in Komunitet

Urojnë nga një oqean në tjetrin, Zeqirja Rexhepi e Ardian Hasanaj nga Halifax, Kostandin Ristani e Alban Rahmani nga Ottawa, Bujar Zejnullahu e Ramazan Këllezi nga Toronto, Nehat Kaloshi, Hysni Marku e Gjergji Hasa nga Montreal, Besnik Rexhvelaj nga London, Ajdin Kozmaqi e Lejdi Ago nga Regina, Ilir Kuqi nga Calgary, Bujar Llapaj e Ardian Lagji nga Vancouver.

Pas një pune intensive më shumë se njëvjeçare dhe pas angazhimit me kontribut vullnetar të shumë anëtarëve të komunitetit shqiptar, nesër (31 Mars) në ora 12:00 në Hamilton-Ontario do të inaugurohet Qendra Komunitare “Shtëpia Shqiptare”, i pari investim madhor i këtij lloji realizuar nga shoqatat shqiptare të krijuara në Kanada pas vitit 1990. Në njoftimin përkatës të shoqatës jepet edhe adresa e “Shtëpisë Shqiptare” që do të fillojë të funksionojë prej nesër në Hamilton, 1046 Barton St. E. L8L 3E5. Inagurimi do të shoqërohet edhe me një program të shkurtër artistik si dhe me një koktej me ushqime tradicionale shqiptare.

Në Hamilton, krahas imigrantëve nga atdheu-mëmë, Shqipëria, gjatë vitit 1999 u vendos edhe pjesa më e konsiderueshme e shqiptarëve të cilët u pranuan dhe strehuan nga Kanadaja në kohën e zhvillimit të luftës për çlirimin e Kosovës nga koalicioni i NATO-s nën udhëheqjen e SHBA. Prej vitit 2010 aty funksionon Shoqata Shqiptare, ndër më aktivet dhe më të organizuarat në Kanada.

Refki Sertolli, kryetari aktual i shoqatës në një komunikim me FlasShqip pohoi se një ndër synimet e shoqatës që në fillim ka qenë edhe blerja e një objekti për ta shndërruar atë në Shtëpinë Shqiptare. “Me përkushtim, sinqeritet e punë të palodhur, ne arritëm ta finalizojmë këtë projekt me shumë vlerë për komunitetin. Në verën e vitit 2016, ne kemi blerë një ndërtesë, në të cilën është zyra e shoqatës dhe një sallë, që mund të përdoret për shumë aktivitete dhe mund të lëshohet edhe me qira, varësisht kërkesave. Që nga koha kur është bërë blerja e deri më tani, është bërë shumë punë krejt në baza vullnetare në fundjavë. Është një arritje madhore me të cilën kemi të drejtë të krenohemi ndaj dhe përfitoj nga rasti t'i falenderoj të gjithë kontribuesit pa përjashtim”, theksoi Sertolli.

Portali Flasshqip i uron përzemërsisht suksese të mëtejshme Shoqatës Shqiptare Hamilton dhe po publikon më poshtë urimet e shprehura nga përfaqësues të spikatur të komunitetit dhe shoqatave shqiptare në mbarë Kanadanë.

Besnik Rexhvelaj, kryetar i Shoqatës Shqiptare London-Ontario

Së pari, urimet më të mira për ideatorët dhe mbështetësit e këtij projekti shumë të veçantë, por edhe të vështirë për t'u realizuar në kushtet në të cilat operojnë komunitetet shqiptare në Ontario e Kanada. Se dyti, ky është një shembull konkret nga i cili ne shqiptarët këtu në Kanada e më gjerë duhet të marrim shembull dhe të mundohemi e punojmë që ta realizojmë në qytetet ku ne jetojmë. Së treti, tashmë që kemi një “Shtëpi Shqiptare” në natyrë (dmth që shihet dhe preket) do ta kemi më të thjeshtë që të mblidhemi aty për të themeluar Kongresin Shqiptaro-Kanadez. Jam shumë i sigurt që edhe shqiptarët e Hamiltonit do të na përkrahin në këtë iniciativë.

Zeqirja Rexhepi, piktor dhe ish-kryetar i Shoqatës Shqiptare Halifax-Nova Scotia

Me shumë gëzim mësova që do të inagurohet në mënyrë solemne nësër në Hamilton të Ontarios “Shtëpia Shqiptare”. Pa dyshim është një arritje e madhe historike që do të kontribuojë që kultura dhe traditat shqiptare të mos shuhen. Kjo arritje, e para në llojin e vet, duhet të pasohet dhe nga shembuj të tjerë në të ardhmen. Përfitoj nga rasti të përshëndes shoqatën dhe gjithë komunitetin shqiptar të Hamiltonit duke ju uruar suksese të mëtejshme! E gezofshi “Shtëpinë Shqiptare”!

Bujar Llapaj, dirigjent Vancouver

“Love begins at home, and it is not how much we do... but how much love we put in that action.” Saint Mother Teresa. Vëllezër shqiptarë të Hamilton ta gëzoni “Shtëpinë Shqiptare”, shtëpinë Tuaj, shtëpinë Tonë! E bekuar qoftë ajo nga shpirti i Shenjtores Nënë Tereza! Kumboftë aty fjala e Naimit, Fishtës, Fan Nolit, Podrimjes, Kadaresë! Gjëmoftë dyshemeja nga vallja e Rugovës, Osman Tagës, Shupalit! U mbushtë shtëpia Juaj me shpirtin e mrekullueshëm dhe krenar të Shqipes Sonë! Jam krenar për ju vëllezër!

Kostandin Ristani, Ministria e Mbrojtjes-Ottawa

Mësova lajmin shumë inkurajues dhe frymëzues njëkohësisht, që Shoqata Shqiptare Hamilton do inaugurojnë Qendrën Komunitare “Shtëpia Shqiptare”. Kjo qendër e parë shqiptare në Kanada është rezultat i një përkushtimi të gjatë e të pandërprerë të anëtarëve të shoqatës në fjalë. Ju shpreh urimet më të sinqerta të gjithë atyre qe punuan dhe kontribuan për realizimin e këtij projekti. Ju përgëzoj dhe jam me juve e pranë jush! Do të kisha shumë dëshirë të isha në ceremoninë e inaugurimit por nuk mundem në këtë kohë. Vizitën e parë që do të bëj në Toronto, patjetër do ta ndërthur edhe me një vizitë tek “Shtëpia Shqiptare” Hamilton për të provuar kënaqësinë e të kuvenduarit me bashkëkombasit e mi dhe miqtë e tyre si edhe për të marrë frymëzim për veprimtaritë e ardhshme në shërbim e mbështetje të komunitetit tonë kaq të mrekullueshëm. Ju uroj suksese dhe mbarësi!

Gjergji Hasa, avokat, Shoqata Kulturore Montreal

Urime të përzemërta shqiptarëvë të Hamiltonit për këtë arritje të parën në llojin e vet në Kanada. “Shtëpia Shqiptare” do jetë jo vetëm një vend ku do ruhet gjuha dhe kultura, por edhe një strehë për mërgimtarët e ardhshëm. Uroj që edhe qytete të tjera në Kanada ku jetojnë shqiptarë ta realizojnë një projekt si ky i Hamiltonit. Suksesi i Hamiltonit është një provë e gjallë që bashkimi bën fuqinë.

Ajdin Kozmaqi, ish-kryetar i Shoqatës Shqiptare Regina-Saskatchewan

Hapja e “Shtëpisë Shqiptare” është një mrekulli e radhës. Më vjen shumë mirë që shqiptarët në Hamilton tanimë e kanë vatrën e tyre. Shpresoj që bashkëkombasit tanë atje, në këtë “tempull” të ndihen si në shtëpitë e tyre nga edhe kanë ardhur. Le të kultivohet ndjenja e atdhedashurisë në këtë shtëpi të dashur për të gjithë ne. Përmes kësaj shtëpie le të promovohen dhe të afirmohen vlerat dhe traditat tona në shoqërinë multietnike kanadeze. Personalisht i gëzohem pa masë këtijë suksesi. Tanimë pos arsyeve familjare, kam edhe një arsye tjetër që ta vizitoj Hamiltonin. Falenderoj Flasshqip që më dha rastin që t’i shkruaj ca fjalë për këtë mrekulli të shqiptarëve nga Hamiltoni. Urime vëllezër! 

Dr. Hysni Marku, ish-kryetar i Shoqatës Bashkësia Shqiptare e Quebec-Montreal

Ne shqiptarët e Montrealit me Shoqatën e shqiptarëve të Hamiltonit jemi në marrëdhënie sportive dhe shkëmbime miqësore që prej shumë vitesh dhe gjithmonë e kemi ndjerë dëshirën dhe vullnetin e tyre për të lartësuar dhe prezantuar sa më denjësisht komunitetin. Dhe e kanë realizuar këtë ambicje pozitive me shumë sukses duke qënë njëkohësisht dhe shumë të respektuar dhe mikpritës kur ngjarjet sportive janë zhvilluar në Hamilton. Gjithmonë shumë aktivë dhe model shembullor me shoqatën, shkollën shqipe apo grupin e valleve, këta vajza dhe djem shqiptarë e kanë të shkruar me të madhe në genin e tyre SHQIPTARIZMIN. Dhe së fundi atë që gjithkush nga ne shqiptarët e Diasporës e ka ëndërr ta ketë, një fole ku të strehojë gjithçka që na lidh me atdheun, këto djem dhe vajza shumë të respektuar dhe shumë punëtorë së bashku me gjithë komunitetin e Hamiltonit e realizuan. Ata krijuan “Shtëpinë Shqiptare” që do jetojë brez pas brezi. Urimet më të përzemërta nga Montreali. Me pak fjalë dhe shumë punë, me dashamirësi dhe bashkëpunim mundet të realizohet çdo projekt. Dhe ky është mesazhi më i mirë që na vjen nga Hamiltoni këtë të diel të fundit të Marsit.

Ramazan Këllezi, ish-kryetar i Shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze Toronto

Inaugurimi i Qendrës Komunitare nuk është një rastësi për Shoqatën e Hamiltonit, por është rezultat i një pune të apasionuar dhe tepër transparente të drejtuesve të shoqatës, donatorëve si dhe e të gjithë anëtarëve të saj. Unë do ta përmblidhja vetëm me dy fjalë këtë arritje: “Punë shumë e fjalë pak”. Urimet më të mira, ta gëzoni Qendrën Komunitare “Shtëpia Shqiptare” e suksese të vazhdueshme në punën tuaj fisnike! 

Nehat Kaloshi, kryetar i Shoqatës Bashkësia Shqiptare e Quebec-Montreal

Është kënaqësi të marrësh lajme të kësaj natyre rreth komunitetit tonë kudo që ndodhet, në Kanada dhe më gjerë. Është një hap shumë i rëndësishëm në ndihmën dhe kontributin real ndaj komunitetit. Urimet tona më të mira dhe le të shërbejnë iniciativa të tilla dhe shembuj të tillë si një piknisje për sipërmarrje edhe më të mëdha në favor të shqiptarëve të Diasporës.

Bujar Zejnullahu, kryetar i Shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze Toronto

Ndihem i lumtur që shoqata simotër e Hamiltonit po inauguron “Shtëpinë Shqiptare”. Mbeta vërtetë i impresionuar nga fotografitë që pashë, të cilat pasqyronin mobilizimin jo vetëm financiar të bashkatdhetarëve nga Hamiltoni por edhe punën vullnetare për rinovimin e ambienteve të qendrës komunitare. Në emrin tim personal dhe të Shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze Toronto, uroj që motrat dhe vëllëzërit tanë shqiptarë në Hamilton ta gëzojnë “Shtëpinë Shqiptare” për vite e shekuj! 

Ardian Hasanaj, kryetar i Shoqatës Shqiptare Halifax-Nova Scotia

Uroj komunitetin shqiptar të Hamiltonit për këtë projekt kaq të madh dhe me vlerë. Përgëzoj Shoqatën Shqiptare të Hamiltonit për iniciativën dhe realizimin e saj me sukses. Uroj që puna juaj dhe angazhimi për ndërtimin e kësaj shtëpie për komunitetin të jetë model për të gjitha shoqatat e tjera se si duhet të bashkohemi të gjithë për të realizuar projekte të tilla shumë të rëndësishme për të ardhmen e jetes tonë komunitare dhe ruajtjes së identitetit tonë kombëtar e kulturor.

Lejdi Ago, kryetar i Shoqatës Shqiptare Regina-Saskatchewan

Kam mësuar gjatë këtyre ditëve se kanë përfunduar punimet dhe është gati inaugurimi i Qendrës Komunitare “Shtëpia Shqiptare” në Hamilton. Vlerësoj shume idenë dhe punën e kryetarit Refki Sertolli dhe gjithë bashkëatdhetarëve në Hamilton. Për mua përveçse një qendër kulturore dhe seli shoqate, ajo është dhe një vatër e cila do të ndihmojë mbajtjen pranë të shqiptarëve me njeri-tjetrin, ruajtjen e gjuhës dhe traditave. E vlerësoj si shembull që edhe në shoqatat e tjera me sa kemi mundësi, herët a vonë të punojmë drejt projekteve të tilla. Ndër vite të gjithë ne do vlerësojmë gjithmonë e më tepër këtë sipërmarrje madhore dhe sukses të arritur. Urime të sinqerta nga Kryesia e shoqatës në Regina!

Alban Rahmani, Shoqata Shqiptare Ottawa

“Shtëpia Shqiptare” është fryt i një pune të palodhur të komunitetit tonë në Hamilton dhe më gjerë, të udhëhequr nga gra e burra, djem e vajza të motivuar nga patriotizmi që kanë qëllim promovimin e kulturës sonë tek vendi ku tani jetojmë. Kjo vepër duhet të shërbejë si një leksion për shqiptarët kudo në botë dhe dërgon një sinjal të qartë në vendlindje por edhe tek gjeneratat e reja se jemi këtu për një arsye apo tjetër por kulturën dhe gjuhën nuk e harrojmë.

Ilir Kuqi, kryetar i Shoqatës Shqiptare Calgary-Alberta

Shoqata Shqiptaro Kanadeze në Calgary uron Shoqatën e Hamiltonit për këtë arritje duke u bërë shoqata e parë në Kanada që posedon një qendër komunitare në pronësi të saj. Kjo arritje na dëshmon që me dëshirë, pasion dhe shumë punë, çdo gje mund të arrihet. Suksese dhe ju përgëzojmë përzemërsisht nga perëndimi i Kanadasë.

Ardian Lagji, kryetar i Shoqatës Shqiptare British Columbia

Përshëndetje “Shtëpisë Shqiptare” në Hamilton nga bashkëatdhetarët në British Columbia. Urimet më të mira tribunës shqiptare në Diasporën Shqiptaro-Kanadeze e me gjere. Le te jete ky start si nje shkendije e mirë për t’i papraprirë aktiviteteve tona dhe zgjerimit të marrëdhënieve me shoqatat simotra në Kanada, promotori i mbajtjes gjallë të traditave tona më të mira e gjuhës sonë shqipe, dritare e mendimit përparimtar dhe prosperitetit të komunitetit shqiptar në Kanada.

29 Mars 2019

©FlasShqip