‘AMNEZIA FATALE’, vëllim i ri poetik nga Artan Gjyzel Hasani
- Published in Komunitet

“AMNEZIA FATALE” është vëllimi i fundit poetik i Artan Gjyzel Hasanit, publicistit dhe shkrimtarit të njohur me banim prej vitesh në Toronto.
Janë rreth 70 krijime të reja të cilat mund të lexohen si feksje të një voltazhi të lartë poetik. Shqyrtimi origjinal, ndonjëherë i pazakontë, i anës së padukshme të hënave të dashurisë mbetet një temë e preferuar e këtij autori.
A ekziston ndarja? Ç’do të thotë harresa në dashuri? Është amnezia vazhdimi i dashurisë me mjete të tjera apo harresa është i vetmi vendngujim, ku kujtesa nuk vdes?
Duket sikur autori u përgjigjet mes vargjeve këtyre pyetjeve, por kur mbaron së lexuari librin kupton që kurrë nuk mund të ketë një përgjigje të saktë për këto. Sepse autori nuk synon të japë përgjigjet, por të krijojë te lexuesi gjëndje paradoksale poetike të cilat lindin pyetje të reja…
Duke e uruar përzemërsisht Artanin, Flasshqip sjell më poshtë për lexuesit poezinë nga e cila ka marrë titullin libri i sapo publikuar nga Botimet M&B:
AMNEZIA FATALE
ajo nuk mban mend asgjë të bukur tashmë
si ngjyrat mbi një fustan plazhi që nuk e vesh më
shtrihen të harruara kujtimet e mira
por pulëbardhat e dinë se si vdesin detet
ujrat gërryejnë zemrën e shkëmbit
e pastaj hi rëre ndër brigje
për këmbë të zbathura kalimtarësh të kujdesshëm
që nxitojnë të mos digjen…
ajo nuk mban mend asgjë të bukur tashmë
nuk kujtoj, prandaj jam, thotë me vete,
ndërsa pas kristalit të xhamave të errët
valët joshin rrezet e diellit të nxehtë
me mundësi infantile kujtimesh të reja
që lehtësisht fshihen sa herë që pastron syzet
nga rëra, avujt dhe djersa…
nuk mban mend asgjë të bukur tashmë
e lodhur nga e keqja nuk do t’ia dijë
për asnjë varrezë madhështore
kjo grua e bukur pa memorie
nuk ka asgjë për të kujtuar
mbledh guacka marramendëse
ia dhuron vetes dhe qesh,
oh sa fort e me gjithë zemer qesh,
pa prishur paqen që u ka falur valëve…
Libri mund të gjëndet në libraritë kryesore të Tiranës dhe Shqipërisë.
©Flasshqip.ca