Komunitet

SPECIALE COVID-19: Me shqiptarët në Montréal, Québec - Na shkruajnë Ajet Nuro, Korab Xhara dhe Gjergji Hasa

  • Published in Komunitet

“Montreali, ndonëse nuk ka një ndalim-qarkullim formal është kthyer në një qytet fantomë… Të ndenjurit «në arrest shtëpie» është një nga sakrificat që jemi të detyruar të bëjmë, ana tjetër është mungesa e punës, mungesa e të mirave materiale që në kushte të zakonshme nuk mungojnë, rënia e ekonomisë dhe gjithçka që vjen me ndalimin e jetës sociale dhe ekonomike”- shprehet këshilltari financiar dhe aktivisti komunitar Ajet Nuro. “Është e rëndësishme që femijet t’i mbajmë në kontakt me librin dhe detyrat shkollore” - insiston gjakovari Korab Xharra. “Shërbimet vazhdojnë në distancë për të gjitha mandatet që kemi” – pohon Avokat Gjergji Hasa, i cili po ndihmon dhe komshinjtë e moshuar për blerje ushqimesh.

 Ajet Nuro

Përshëndetje Flasshqip.ca dhe faleminderit për mesazhin.

Ajo që po përjetojmë sot, është e pazakontë jo vetëm për ne por edhe nga përvoja e brezave të mëparshëm, e pa përjetuar ndonjë herë. Madje, edhe ata që kanë përjetuar Luftën e Dytë Botërore mund të thonë se edhe lufta e kurseu Amerikën e Veriut apo edhe atë Latine në kuptimin e shkatërrimeve fizike ndërsa Koronavirusi nuk kursen asnjë shtet, qoftë shtete të fuqishme qoftë më të dobëta, persona të pasur apo të verfër, përsonalitete VIP apo edhe të panjohur.

Këtu në Montreal, ashtu si dhe në qytete të tjera kanadeze fillimisht ndiqnim lajmet çfarë ndodhte në botë dhe çdo gjë dukej e largët, por rastet e para këtu në Kanada filluan të japin efektet e para dhe të ndërgjegjësohemi se ajo që po ndodhte në Kinë apo në Itali ishte e prekshme dhe nuk ka të bëjë veç me botën por edhe me çdonjërin prej nesh. Në datën 11 Mars, me djalin shkuam në një show humori dhe në pushimin mes dy pjesëve morëm lajmin se NBA ndërpreu një ndeshje dhe vendosi të ndërpresë vazhdimin e aktiviteteve sportive, vendim i ndjekur nga ligat e tjera sportive amerikane dhe kanadeze. Kjo ishte pika kulmore që ndërgjegjësoi gjithë amerikanët dhe kanadezët që diçka e paparë po ndodhte dhe në datën 12 unë bëra takimet e fundit me klientët dhe që nga ai moment jam i mbyllur brenda. Të lodhur nga e përditshmja jonë të rrish në shtëpi duket interesante por si gjithandej, të rrish në shtëpi pêr një kohë të gjatë bëhet e vështirë. Por, epidemia e Koronavirusit nuk të jep shumë zgjedhje.

Të ndenjurit «në arrest shtëpie» është një nga sakrificat që jemi të detyruar të bëjmë, ana tjetër është mungesa e punës, mungesa e të mirave materiale që në kushte të zakonshme nuk mungojnë, rënia e ekonomisë dhe gjithçka që vjen me ndalimin e jetës sociale dhe ekonomike.

Duke punuar në fushën e financave, këto ditë më është dashur t’u përgjigjem klientëve që shqetësohen nga çdo lajm ekonomik si dhe nga rënia e bursave gjithandej në botë. E rëndësishme sot është kujdesi për shëndetin, kujdesi për veten dhe të tjerët, kujdesi për të dashurit tanë, sidomos për të moshuarit.

Qysh prej 13 Marsit punoj nga shtëpia. Duke mbuluar Kebekun dhe Ontarion, shpresoj t’ia dal të bëj takime virtuale sidomos me bashkëkombas që janë edhe ata në shtëpi. Pjesën tjetër të kohës marr dhe jap me miqtë e mi për të patur të reja prej tyre dhe familjeve të tyre.

Duket se këtu në Kebek njerëzit janë të ndërgjegjshem dhe respektojnë këshillat e qeverisë dhe autoriteteve të shëndetësisë. Kështu shpresojmë të mos kemi në Kebek e Kanada një skenar ala-italian. Montreali, ndonëse nuk ka një ndalim-qarkullim formal është kthyer në një qytet fantomë. Për sa i përket shqiptarëve të këtushëm, jeta ka ndaluar si për të gjithë kanadezët e tjerë. Dy koncerte të parapara në Montreal, Irma Libohova në datën 14 mars dhe Alban Skënderaj në datën 27 mars, kuptohet u anulluan.

Në këto ditë vërtet të vështira dëgjojmë se shqiptarët nuk i kap Koronavirusi (sidomos para se të zbulohen rastet e para në Shqipëri dhe Kosovë…), komente që nuk ndihmojnë. Personalisht jam për masa të forta dhe vetëizolim për t’u mbrojtur dhe mbrojtur të tjerët. Nuk ka trimëri me Koronavirusin. Shpresoj që kur të mbarojë kjo histori të tregojmë me mburrje trimërinë tonë se si ndenjëm brenda, sesa të tjerët të tregojnë për budallallëqe të të ekspozuarit ndaj një armiku të padukshëm.

Unë kisha bërë plane udhëtimi (Ontario, SHBA, Europë, Kebek) ndërkohë që të tjerë kishin bërë plane për t’u martuar, të tjerë për të festuar ditëlindje etj etj. Të gjitha këto aktivitete presin. Jeta është më rëndësishmja. Ajo duhet ruajtur me çdo çmim.

Korab Xharra

Më vjen mirë për iniciativën për të komunikuar në këtë situate dhe ju uroj suksese. Sa i perket komunikimit dhe organizimit të jetës në karantinë, unë personalisht dhe miqtë e mi jemi duke respektuar keshillat e qeverisë për distancimin fizik e social, pra perveç furnizimeve nuk kemi dalë për tu takuar, kurse komunikimin e mbajme me anë të rrjeteve sociale: Facebook, Viber etj. Është e çuditshme se si ka ndërruar jeta sot, në përgjithësi të gjitha i ke online. Komunikimin me miqtë dhe familjen, lojrat, librat, lajmet, keshtu që sfidë quhet por nuk ështe se e ndjejmë shumë këtë vetë-izolim. Po duhet theksuar që e rëndësishme është që femijet t’i mbajmë në kontakt me librin dhe detyrat shkollore. Megjithatë, për faktin që gjithë shoket i kanë online, është pak e vështire të shkëputen nga kompjuteri. Ndërsa sa i përket komunitetit, në pergjithësi përveç mediave shqip që percjellin informacion nuk kam parë ndonjë aktivitet ose levizje nga shoqatat për të mbajtur frymën gjallë. Kjo ndoshta sepse është java e parë e ndoshta në të ardhmen do të ketë ndonjë gjë më konkrete. Të shohim…

Gjergji Hasa

Që nga e hëna e mbyllëm zyrën në kontakt me publikun. Avokatëve që punojnë në zyrën tonë u thashë të marrin dosjet me vete në shtëpi. Shërbimet vazhdojnë në distancë për të gjitha mandatet që kemi. Prindërve të mi dhe të bashkëshortes, por edhe komshinjve mbi 60 vjeç u kemi thënë mos te dalin më aspak nga shtëpia dhe do shkoj unë t’u blej ushqime. Kur hyj në shtëpi, dezinfektoj çelësat, portofolin, celularin, hedh rrobat që kisha veshur për t’u larë, laj duart, fytyrën, dezinfektoj duart dhe pastaj gojën me mouth-wash. Komunikimi me miqtë vetëm nëpërmjet internetit. Distancim total nga të gjithë për të mirën tonë dhe të tyren se nuk e dimë kush e ka virusin. Një kushërira ime në Gjermani është mbartëse e virusit por pa simptoma. Burri i saj ishte për ski në Itali para dy javësh dhe u testua sepse shumë veta ishin infektuar me atë zonë të Italisë. Kushërirës i thanë që e sigurte qe e ka edhe ajo dhe nuk e testuan. Kanë dy javë që rrinë të dy në shtëpi pa simptoma… E pabesueshme, si film, por e vërtetë… Çfarë i ra njeriut dhe nuk e përballoi?

©Flasshqip.ca