Pashka flet shqip në Toronto
- Published in Komunitet
Kanë qenë me qindra besimtarët katolikë shqiptarë në Toronto të cilët kanë marrë pjesë sot në kremtimin e Pashkës. Mesha është eshtë zhvilluar në ora 12:30, në Kishën Our Lady of the Miraculous Medal, Etobicoke, nën drejtimin e famullitarit Dom Ambroz Demaj.
Në një ambient të mbushur plot e për plot dhe nën shoqërimin e korit dhe tingujt e violinës së instrumentistit të ri nga Shkodra Kristi Pecaj, famullitari katolik shqiptar i Torontos ka kryer të gjithë ritualin dhe ua ka percjellë në gjuhën amtare gjithë mesazhin e festës kryesore të Krishtërimit bashkatdhetarëve të pranishëm.

Pashkët janë kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera që festojnë Ringjalljen e Jezusit, sipas Testamentit të Ri, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.
Për ata që nuk e dinë, prej 1 korrikut të vitit 2012, në Toronto është themeluar me aprovimin e Arqipeshkvit të qytetit, Kardinalit Thomas Collins, Misioni Katolik Shqiptar "E Shenjta Nënë Tereza". Ky mision u shërben shqiptarëve që banojnë në Toronto dhe zonat përreth dhe ka për qëllim t’i bashkoje shqiptaret e emigruar këtu që të mos harrojnë gjuhën, prejardhjen dhe besimin e tyre.
Pa as më te voglin hezitim mund të thuhet që Misioni Katolik Shqiptar i Torontos, nën shembullin e traditës së klerit katolik shqiptar që aq shumë ka bërë për gjuhën dhe kulturën kombëtare, është shndërruar sot në një pike të rëndësishme referimi për komunitetin shqiptaro-kanadez në Greater Toronto Area dhe jo vetëm.
@FlasShqip.ca
https://flasshqip.ca/komunitet/379-pashka-flet-shqip-ne-toronto#sigProId4bcdc55f0c












