Komunitet

Publikohet romani “Përroi qante në mesnatë” me autor Kristaq Turtulli

Është publikuar para disa ditësh nga Shtëpia Botuese PROKULTPRESS, Prishtinë, romani i fundit i shkrimtarit të njohur korçar Kristaq Turtulli, me banim prej vitesh në Toronto. Vepra titullohet “Përroi qante në mesnatë”. Rrëfimi bazohet në një ngjarje të vërtetë, tema e trajtuar është gjakmarrja dhe sipas autorit, ai ka punuar gati një çerek shekulli për t’i dhënë romanit formën përfundimtare për botim.

Në një artikull të para disa ditëve, Ligor Prifti, redaktori i librit, e cilëson veprën e Turtullit një metaforë dashurie dhe ndodhie të hidhur e tronditëse, vepër në të cilën autori ka qëmtuar një temë që vazhdon të ngjallë interes sot dhe do të vazhdojë të ngjallë edhe në të ardhmen. Tri linja pleksen me njëra tjetrën: fejesat me shkuesi që në moshë të mitur, shpërdorimi i besës dhe hakmarrja. Romani të mban pezull deri në fund. Ka gërshetime linjash, ka digresione interesante, mjedise me kolorit malësoresh të ashpër, por të prirur për të vepruar drejt pasi e kuptojnë se ku veprohet mirë e ku keq. Shkrimtari gjatë punës së tij duket se ka shftytëzuar burime dokumentare si dhe e ka studiuar me kujdes përmbajtjen e Kanunit të Lekë Dukagjinit.

©Flasshqip.ca