Komunitet

Ruajtja e identitetit shqiptar, imperativ i kohës - Intervistë me bankierin Armando Mosho, Toronto

  • Published in Komunitet
Nga: Intervistoi Taulant Dedja

Armando Mosho ka lindur në Tiranë në vitin 1977. Kur e pyet për familjen nga vjen, ai të thotë që e konsideron veten me fat që është fëmijë i dy prindërve që kishin origjinë të ndryshme dhe për këtë arsye ka mundur të mësojë shumë për traditat e Jugut të Shqipërisë, nga njerëzit e të atit, dhe po ashtu të njohë shumë mirë traditat e Shqipërisë së Mesme (Tiranës) nga njerëzit e nënës, e cila nga ana e saj prejardhjen nga të dy prindërit e kishte prej dy familjesh shumë të vjetra të Tiranës. Tek kthehet prapa në kohë, ai shprehet se fëmijëria e tij nuk ka qënë e lehtë. Kujton që një pjesë të mirë të viteve të para të jetës i ka kaluar nëpër oborret e disa familjeve të nderuara tiranase, për faktin se nëna e tij ishte e detyruar t’i qëndronte pranë për një kohë të gjatë bashkëshortit të vet në spital, deri në momentin që ai ndërroi jetë, kur Armando ishte vetëm 4 vjeç. Humbja e parakohshme e babait, ndikoi që ai të krijonte një lidhje të fortë me nënën dhe motrën, e cila është 4 vite më e madhe se ai, dhe siç e cilëson, është personi që ka mbetur gjithmonë si busull orientimi për të. Armando, dikur nxënës i shkëlqyer në shkollë, sot është një profesionisti suksesshëm e me karrierë të gjatë në sektorin bankar. Prej gati katër vitesh ai ka ardhur të jetojë e punojë në Kanada, sëbashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre, dy vajzat (Klea dhe Moira) dhe një djalë (Dion). 

Flasshqip: Armando, pas kaq vitesh, çfarë kujton më shumë nga fëmijëria, shkolla dhe vitet kur ke jetuar në Shqipëri?

Armando Mosho: Për mua fëmijëria ka qenë e vështirë, jo vetëm për faktin që Shqipëria përjetonte diktaturën komuniste, por edhe për specifikat e familjes sonë të vogël. Më duhet të theksoj se gjatë fëmijërisë time kam marrë gjithmonë një vëmendje dhe përkudjesje të shtuar nga xhaxhallarët, hallat, dajat dhe tezja ime. Nga ato vite kujtoj se të gjithë ata që përmenda, kryenin detyra specifike dhe gjendeshin me radhë në shtëpinë tone. Dikush më kontrollonte mësimet, dikush më sillte ëmbëlsirat që më pëlqenin më shumë, dikush na merrte për drekë në një ditë të caktuar të javës, dikush tjetër më çonte në Teatrin e Kukullave ditën e diel, por heronjtë më të mëdhenj të fëmijërisë sime mbeten gjyshi dhe gjyshja nga ana nënës. Gjyshi vinte çdo mbrëmje dhe flinte me ne deri ditën kur ndërroi jetë. Ky episod i hidhur përkon me kohën kur unë kisha filluar klasën e pare të shkollës. Ndërkohë, lagja ku u rrita, e njohur si 21-shi, ishte model për kohën sa i përket futbollit. Kishte terrene të mirë sportivë ku luanim rregullisht futboll, sporti që mbetet pasioni im prej fëmijërisë e deri sot. Përpos kohës për mësime e për sport, më duhej detyrimisht të gjeja kohë edhe për të mbajtur radhët e detyrueshme për kohën, për blerjen e qumështit, vajit, miellit, orizit, sheqerit, frutave a zarzavateve, por specifikisht radha e vajgurit më ka lënë trauma në kujtesë nga ajo kohë e para viteve 90-të.

Flasshqip: Duhet të jesh brezi i fundit që kujton me kaq saktësi radhët frustruese për shumë prej nesh në ato vite, kur shumë ushqime shiteshin të racionuar, por sigurisht brez që herët e përjetoi ndryshimin e sistemit…  

Armando Mosho: E vërtetë. Edhe pse në adoleshencë, kam qënë prej atyre që e kanë dëshiruar fort ndryshimin e sistemit komunist, për shumë e shumë faktorë. Ishte normale në atë kohë edhe për mua, si për shumë qytetarë të tjerë të Tiranës, të gjendesha nëpër demostratat që zhvilloheshin dhe të isha rregullisht në Qytetin Studenti kur mbahej greva e urisë dhe tubimet madhështore. Burimi i vetëm i besueshëm i informacioneve që kishim për kohën mbetej Zëri i Amerikës. Kujtoj gjithashtu që ndryshimi i sistemit nxorri të papunë pothuajse gjithë fuqinë punëtore të Shqipërisë, duke ofruar deri në 80% të pagës për një kohë të caktuar, kriter që përfshiu edhe nënën time, i vetmi person burim të ardhurash i familjes sonë. I gjendur në këto kushte, ishte e pashmangshme që unë duhej të merrja përgjegjësitë që më takonin, si i vetmi mashkull në familje. Ambienti i kohës nuk ishte fort i përshtatshëm dhe nuk ofronte mundësitë që gjinia femërore të mund të gjente një punë, kështu që fillova të punoja në fillim në muajt e verës. Domosdoshmëria që të kishim të ardhura të mjaftueshme mujore për t’u ushqyer, më detyroi të punoj edhe pas muajve të verës, duke qenë njëkohësisht dhe nxënës në shkollë të mesme.

Flasshqip: Pra në një fare mënyre, rrethanat të rritën para kohe…

Armando Mosho: A kisha rrugë tjetër? Kujtoj se shkoja në punë direkt pas shkollës në orën dy të drekës dhe qëndroja deri pas orës tetë në mbrëmje, por edhe pse i merrja librat e shkollës me vete, vetëm pak ditë kisha mundësi t’i hapja dhe t’i shfletoja gjatë orarit të punës. Kjo më detyroi të ndiqja një strategji se si të mos bija shumë nga notat gjatë gjimnazit. Kësisoj, në lëndët ku nuk kisha pasur mundësi të lexoja sa duhej, bëja shumë mungesa të qëllimshme, në mënyrë që të mos i lija mundësinë mësuesit të më vinte notë të ulët dhe e dërgoja me vetëdije lëndën drejt rregullit të 20%, rregull i cili më krijonte mundësinë që në fund të vitit të jepja një provim përfundimtar për gjithë librin dhe kur natyrisht unë kisha mundur ta studioja deri në afatin e ri kohor. Tani që kujtoj ato kohë, nuk mund të rri pa thënë se kam qënë me shumë fat dhe Zoti është treguar shumë bujar me mua duke më sjellë pranë shumë shokë dhe shoqe që mbeten edhe sot në gjykimin tim mendje shumë të bukura, por edhe njerëz të shkëlqyer. Më gëzon zemra kur shoh shumë prej miqve të fëmijërisë së hershme dhe gjinmazit që kanë arritje në jetë.

Flasshqip: Vite sakrificash mbeten gjithsesi, edhe pse ti e kujton çdo gjë me pozitivitet dhe mbi të gjitha ajo kohë duket se ka mbetur për ty “shkolla” e parë në përballje të drejtpërdrejtë me jetën dhe realitetin e një tranzicioni jo të lehtë… por besoj se kjo ishte periudha që të përgatiti si duhet për një shkollim të mëtejshëm që do t’i hapte rrugën karrierës në financa dhe sektorin bankar…

Armando Mosho: Sigurisht që ato vite më kalitën më shumë vullnetin dhe karakterin. Pas gjimnazit vazhdova studimet për Financë-Kontabilitet në Universitetin e Tiranës si dhe u diplomova si financier-kontabilist me një master në menaxhim bankar. Më duhet të theksoj që Fakulteti Ekonomik, edhe pse koha kur ne zhvillonim studimet nuk ishte më e mira, ka pasur pedagogë të nivelit shumë të lartë dhe shumë të përkushtuar ndaj detyrës, aq sa ndonjëherë mendoj që ne si studentë që vinim ende me një mendësi komuniste në leksione, nuk iu lejonim atyre të ndanin si duhet gjithë bagazhin e tyre akademik me ne. Po ashtu kujtoj që një nga lëndët që pëlqeja më shumë ishte lënda e Investimeve, lëndë për të cilën madje e bëra rregull që pas çdo leksioni që zhvillonim, të ulesha dhe zgjidhja gjithë ushtrimet që gjendeshin në fund të kapitullit. Ky rregull u vu edhe sepse e dija që në orën vijuese të mësimit, pedagogu i lëndës do më ngrinte në dërrasën e zezë për t’i zgjidhur ato. Shak u bë një episod gazmor që ndodhi në orën e parë, kur pedagogu i lëndës së Investimeve do hynte në klasë dhe unë nuk e njihja për fytyrë kush ishte. Teksa po qëndroja tek dera e klasës dhe nga që mu duk shumë i ri, fillimisht e ndalova të hynte, duke menduar se ishte dikush që vinte për të ngacmuar shoqet e klasës, siç ndodhte shpesh në ato kohëra. Fill pas këtij episodi, marrëveshja që bëmë ishte që unë do ngrihesha në dërrasë me libër në dorë sapo të hynte pedagogu në klasë, gjë që e zbatuam me përpikmëri gjatë gjithë vitit akademik.

Flasshqip: Përveç objektivave dhe synimeve që kishe pas studimeve, ishte rastësia, oportunitetet e reja apo diçka tjetër që të orientoi drejt sektorit bankar?

Armando Mosho: Gjithmonë ka një kombinim rrethanash. Në fakt ndodhi që në prillin e vitit 2003 u liçensua e para bankë me kapital tërësisht shqiptar, Banka “Credins” dhe themeluesit e saj i ishin drejtuar ish-pedagogut tim të lëndës Investime, Prof. Lamaj, që t’iu sugjeronte një prej ish-studentëve të tij që të kujdesej për aktivitetin e këmbimeve valutore. Edhe pse kishin kaluar pothuajse 4 vite që unë kisha mbaruar studimet, çuditërisht profesori zgjodhi të më referonte mua. Në fillim pata një hezitim, sepse rroga me të cilën do filloja ishte shumë herë më e ulët se fitimet që realizoja në atë kohë jashtë sistemit bankar dhe tanimë isha edhe prind i dy vajzave, pra përgjegjësitë ishin përtej vetes, por bëra zgjedhjen time duke menduar në afatgjatë dhe kështu ndodhi që iu bashkova stafit themelues të bankës “Credins”. Krijimi i një gjëje të re prej fillimi, kërkonte shumë përkushtim dhe jo vetëm orë të zgjatura në punë, por edhe kur nuk ishim në punë, jetonim dhe mendonim në çdo sekondë me punën dhe për punën. Ne ishim në ato fillime të bankës aq “individë”, pothuajse sa pjestarët e një familjeje të madhe, një familje që drejtohej nga një njeri dhe profesionist i rrallë si Artan Santo. Duhet thënë se një nga aktivitetet më fitimprurës dhe që gjeneron të ardhura të qëndrueshme për bankat është kryesisht kredidhënia, por krijimi i një portofoli kredie kërkon një kohë të domosdoshme dhe në vitet e para të ekzistencës së bankës binte në sy dhe kishte një ndikim thelbësor në rezultatin e përgjithshëm pozitiv të bankës aktiviteti që unë mbuloja. Sot nuk jam në gjendje të them nëse bëra mirë apo gabova që zgjodha të lëviz nga Banka “Credins” drejt një tjetër banke si Drejtor i Departamentit të Thesarit, por di të them me bindje se pas vendimit për të ndryshuar, më mungonin shumë të gjithë kolegët me të cilët kishim kaluar kohërat më të vështira.

Flasshqip: Dhe cila ishte banka tjetër…

Armando Mosho: Në vitit 2013 m’u paraqit një mundësi që të kisha një eksperiencë të re pranë Bankës Islamike, ofertë të cilën e mirëprita dhe për më shumë se 5 vite kam drejtuar aty Departamentin e Thesarit dhe atë të bankave korrespondente. Pas krizës së sistemit bankar konvencional të vitit 2008 identifikova se sistemi islamik i bankingut i kishte rezistuar më mirë situatave të krijuara dhe pata një kureshtje të madhe ta kuptoja. Fillova t’i studioja se si ishin strukturuar kontratat dhe prej këtu më lindi ideja se duhej patjetër ta edukoja veten thellësisht drejt aspekteve juridike. Edhe pse bankat kanë departamentet e tyre juridikë, unë duhet të dija me saktësi se cilat ishin përgjegjësitë dhe pasojat që vinin më pas. Është pikërisht në atë kohë që vendosa të studioj part-time në Fakultetin Juridik të Tiranës, nga ku u diplomova si jurist dhe më pas u diplomova edhe me një Master në Business Law.

Flasshqip: Cilido që tashmë e njeh rrugëtimin tënd shkollor dhe profesional mund të të bëjë menjëherë pyetjen: po çfarë të nxiti të largohesh nga Shqipëria dhe pse vendose të imigrosh familjarisht në Kanada?

Armando Mosho: Fillimi i një jete të re në Kanada ishte në fakt diçka që ndodhi në një mënyrë krejt të paparashikuar. Ne jemi zhvendosur këtu në tremujorin e katërt të vitit 2018. Vajza jonë e madhe Klea, e cila në atë kohë sapo kishte përfunduar vitin e dytë të gjimnazit, kishte filluar të merrte oferta nga universitete të ndryshëm në SHBA, që e ftonin të ndiqte studimet, për arsye se kishte arritur rezultate shumë të lartë në një konkurs ndërkombëtar. Gjatë një bisede me Klean e pyes se cilin universitet do të zgjidhte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si për çudi përgjigja e saj ishte diçka që aspak nuk e prisja. Nëse do të mundja, më tha Klea, unë do zgjidhja ta bëja shkollën në Kanada. Ishte diçka që mua më kapi krejt të papërgatitur. Rregulli i përgjithshëm i familjes sonë ka qënë që për çdo vit gjatë fundit të muajit gusht dhe dy javët e para të muajit shtator (deri ditën e fillimi të shkollës), në mënyrë që t’i motivonim fëmijët për rezultate të larta në shkollë, bonusi ishte vizita e një shteti të caktuar europian për afro një muaj, me makinë, duke vizituar qytete të ndryshme të atij vendi. Pas asaj që na shprehu Klea, na u duk ide e mirë që gjatë vitit 2018 të vizitonim Kanadanë, me qëllimin e vetëm për të kuptuar se si funksion sistemi universitar dhe për të identifikuar cili mund të ishte universiteti i përshtatshëm për të studiuar. Kështu ndodhi që erdhëm në Toronto dhe kaluam ditët e para si turistë të mirëpritur nga disa miq. Po ato ditë, gjatë një bisede dikush na tha se ishte e mundur dhe e lehtë që njerëz të shkolluar mirë si ne, mund t’i merrnim dokumentat e qëndrimit të përhershëm në Kanada. Hezitimi ishte i madh pasi tanimë kisha nisur një projekt që doja ta çoja drejt suksesit në Shqipëri, por midis egos profesionale dhe detyrimit prindëror, unë zgjodha t’i bindem kërkesës së fëmijëve.

Flasshqip: Dhe si rrodhën ngjarjet më pas kur e more këtë vendim? A kishte dhe arsye të tjera?

Armando Mosho: Siç thashë dhe më lart, Zoti është treguar shumë bujar me mua dhe më ka sjellë pranë vetes shokë e miq të shkëlqyer të cilët na u gjendën pranë në momentet e parë ku na duhej të integroheshim. Në fillim asgjë nuk ishte e lehtë sepse statusi ynë prej vizitori nuk na favorizonte dhe procesi i aplikimit dhe miratimit të dokumentave të qëndrimit të përhershëm do të kërkonte kohë. Kohë gjatë së cilës ne na lejohej të qëndronim në Kanada si vizitorë, nuk mundeshim të punonim dhe të krijonim të ardhura këtu, e përpos kësaj, na duhej edhe të paguanim për jetesën, duke paguar qera, blerë makinë, paguar për t’i mbajtur tre fëmijët në shkolla, në mënyrë që të mos krijonin shkëputje, periudhë e gjitha kjo që pothuajse zgjati 9 muaj. Në momentin që ne bëmë zgjedhjen për të qëndruar në Kanada, në atë moment unë ndalova ta konsideroj veten time dhe tanimë kisha një qëllim më të lartë, të ardhmen e fëmijëve të mi. Solla më pas në kujtesë dhe e ushqeja çdo ditë veten time me të vërtetat që: sa shumë realiteti shqiptar ishte i mbushur me korrupsion; sa shumë tallje ushtrohet ndaj më të mirëve; sa nëpërkëmbje, vjedhje, mashtrim; ku për t’i ushqyer e rritur si duhet fëmijët, prindit do t’i duhet patjetër të prekë në diçka të pistë. Një tjetër gjykim ishte se Shqipëria nuk meritonte t’i kishte fëmijët e mi akoma pjesë të saj. I parashihja fëmijët e mi teksa do kishin mbaruar studimet me nota të shkëlqyera (siç po bëjnë) dhe në mënyrë që të hynin në punë do duhej patjetër të paraqisnin foto në ndonjë takim të partisë që do ishte në pushtet. Një gjë që më mërziste shumë në atë kohë me shtetin shqiptar ishte se i paguaja tatime e taksa të larta dhe nuk më jepte shërbim, përkundrazi më vidhte sa herë mundej. Kur kuptova lirinë e madhe me të cilët njerëzit jetojnë në mënyrë dinjitoze në pjesë të tjera të globit, që prej asaj dite lindjen në Shqipëri, me dhimbje e quaj gati aksident gjeografik. Për të gjitha këto arsye, zgjodha t’u jap fëmijëve një të ardhme të ndryshme nga ajo që mund t’i priste në Shqipëri…

Flasshqip: Për fat të keq, por edhe të mire, nuk je as i pari dhe as i fundit që je nxitur të marrësh një vendim të tillë për të njëjtat motive që përmende. Le të kthehemi edhe një herë te kujtimet dhe përshtypjet e para nga Kanadaja, sepse çdo histori emigrimi sa ç’ngjan me të tjera, po aq është dhe unikale…

Armando Mosho: Kujtoj që ditët e para të qendrimit tonë në Kanada ishin të magjishme. Pasi zbritëm në aeroportin Pearson të Torontos, u drejtuam direkt për në Niagara, ku kishim prenotuar një dhomë në një hotel me pamje të mrekullueshme nga ujëvara e famshme. Për fëmijët e gjithë rruga me argëtimet e pafund që ofron Street of fun on the falls solli gëzim të madh. Në çdo gjë që bënim zbulonim diçka të re dhe fëmijët ishin tej mase të gëzuar. Nuk mund të harrohet gëzimi që kishin në sy kur provuan për herë të parë Maple shurup. Më pas nje mik i yni na mori dhe na liroi apartamentin e tij ne Marlee avenue dhe na shëtiste nëpër Toronto me makinë, duke bërë edhe guidën për ne. Ditën tjetër na nxorri shëtitje me varkën e tij në liqen që sërish ishte një magji. Një dite tjetër e kaluam tek lodrat gjigande që ishin instaluar prane BMO stadium në Lakeshore në atë kohë. Derisa një ditë më pas, siç e përmenda dhe më lart, na erdhi dhe sugjerimi se qëndrimi i perhershëm ishte i mundur. Fill pas këtij momenti ne vendosëm të rishikojmë buxhetin që kishim planifikuar për shpenzimet e argëtimit dhe u tërhoqëm ose më mirë të them filluam të planifikonim në afatgjatë, pasi siç thashë na priste një proces i gjatë ku suksesi nuk ishte i garantuar.

Flassshqip: Pra në këto kushte çdokujt i duhet të përjetojë dhe disa vështirësi të fillimit apo jo?

Armando Mosho: Do të tregohesha i padrejtë ndaj gjithkujt që na ka mbështetur në rrugëtimin tonë drejt integrimit në shoqërinë kanadeze, nëse do të thoja se vështirësitë kanë qënë të mëdha. Natyrisht fillimet nga e para janë gjithmonë të vështirë, por fatmirësisht komuniteti shqiptar në Kanada është i integruar shumë mirë dhe të gjithë pa përjashtim janë njerëz me zemër të mirë dhe që nuk kursehen të ndihmojnë. Po kështu, mendoj se duhet bërë një ndarje e qartë midis atyre që kërkojnë të integrohen në shoqëri dhe atyre që kërkojnë t’i ngjiten në kurriz dikujt dhe të përfitojnë nga mirësia e tij. Vështirësia më e madhe në fillim ishte gjetja e një apartamenti me qera, duke qënë se statusi ynë si vizitor nuk ofronte garancitë e domosdoshme dhe për mua kjo ka qënë diçka që më ka shqetësuar shumë, por atë mundi të na e zgjidhte një shok i imi i fëmijërisë, nëpërmjet disa kontakteve të tij. Ka pasur momente ku më shumë se për ndihmë reale kemi pasur nevojë për dikë që t’i flisnim e të na fliste shqip, ose me mirë të them ta dinim se në rast të një situate të jashtëzakonshme, kishim një derë ku të trokisnim. Do doja të falenderoja shumë Arbrin për mikpritjen në Toronto; familjen e një shokut tim të vjetër për gjithë mbështetjen që na ka dhënë gjatë qendrimit në Nova Scotia, po ashtu edhe familjen Gjelaj që na ka ndihmuar dhe na është gjendur shumë pranë atje. Pas pajisjes me lejen e qëndrimit të përhershëm në Kanada gjërat u qartësuan përfundimisht, por sërish na u desh të lëviznim nga Nova Scotia në drejtim të Ontarios, ku komuniteti shqiptar i vogël në numra krahasuar me të tjerë, por me zemër shumë të madhe, na ka ndihmuar në mënyrë të pakufizuar. Dua të falenderoj veçanërisht z. Plarent Islami, falë ndihmës së madhe të të cilit gjetëm banesën me qira ku do të jetonim. Po kështu z. Artur Derraj që më dha mundësinë të siguroja punën e parë në Toronto, që më shërbeu shumë edhe për të vendosur kontakte me gjithë komunitetin shqiptar në Toronto, prej nga ku u njoha me ju z. Dedja, me z. Ramazan Këllezi, z. Ilir Duro e shumë e shumë miq të tjerë të nderuar. Me miq të tillë më pas, asgjë nuk ishte e vështirë për ne, çdo zgjidhje ishte vetëm një telefonatë larg.      

Flasshqip: Le të flasim pak tani për rrugëtimin dhe integrimin profesional në Kanada. Duke lënë mënjanë vendimin për të ardhmen e fëmijëve, nëse e kthen kokën prapa a mendon se ke bërë zgjedhjen e duhur duke ndjekur edhe shembullin e mijëra profesionistëve të tjerë që kanë ardhur këtu?

Armando Mosho: Puna e parë që kam bërë në Kanada ishte në Bank of Montreal në Nova Scotia. Fillova të bëja aplikime ende pa u pajisur me dokumentat kanadeze. Më thërrisnin në intervista, mirëpo mungesa e dokumentave të qëndrimit ishte pengesë madhore, ndërkohë që nga Bank of Montreal kontaktohesha në mënyrë të vazhdueshme dhe më pyesnin nëse u miratuan dokumentat. Sapo i mora në dorë ato fillova menjëherë punë, nga e cila dhashë dorëheqjen disa muaj më pas, sepse Klea u pranua në Universitetin e Torontos dhe natyrisht ne duhej t’i ishim pranë e t’i krijonim lehtësirat e domosdoshme të një tranzicioni sa më të butë. Për disa muaj në Toronto punova si Business development&Project manager me një ekip të shkëlqyer bashkëatdhetarësh. Pas disa tentativash të pasuksesshme, në shkurt 2020 mora një kërkesë për intervistë me Royal Bank of Canada në një entry level position. Të dyja intervistat u kaluan me sukses, pranova ofertën e punës dhe ishte caktuar data e fillimit disa ditë para fundit të mars 2020. Pikërisht në atë ditë që do duhej të filloja unë me Royal Bank, u vendos dhe mbyllja e përgjithshme, thënë ndryshe “Lock down” i parë për shkak të pandemisë. Mu duk për një çast se ëndrra që kisha të filloja sërish me sistemin bankar nuk do të mund të realizohej, por përkundër ndjesive të mia, u kontaktova nga rekrutuesja, që më informoi se banka kishte vendosur ta mbante aktive punëzënien time dhe procesi i fillimit të punës do të vijonte pas dy javësh. Për çudinë time, m’u pagua edhe paga e pare, ende pa shkelur as edhe një sekondë të vetme në bankë. Pas procesit të trajnimit u konsiderova si “star finder” nga ana e Royal Bank dhe u caktova të kontribuoj në një nga degët më të mëdha të biznesit të saj në qytetin e Mississauga. Aktualisht që prej 8 muajsh jam bërë pjesë e RBC Direct Investing, një familje e madhe që më ofron gjithë mjedisin e nevojshëm për ta edukuar veten me produktet e shumtë financiarë që lidhen me investimet. Dhe tani pas gati katër vitesh këtu në Kanada, unë vazhdoj të kem bindjen që njeriu duhet të ndjekë ëndrrat e tij. Në një shoqëri kaq të lirë, siç është shoqëria kanadeze, ku ti pyetesh se ku do të shkosh dhe nuk të krijojnë asnjë kufizim për të shkuar e për ta provuar veten aty ku dëshiron, absolutisht që unë çdo herë do zgjidhja të shkoja atje ku kam zgjedhur ta nis që në një moshë të herët dhe ku besoj se performoj më mire, sektorin bankar, financat dhe investimet. Mua gjithashtu më bën të ndihem shumë krenar fakti kur shoh se shumë prej bashkëatdhetarëve tanë ia kanë dalë të jenë një sukses i vërtetë në karrierat e tyre dhe e gjitha kjo ka ardhur sepse i dedikohen totalisht punës që bëjnë dhe vijojnë në çdo kohë të investojnë tek formimi i tyre profesional. Komuniteti shqiptar mund të jetë i vogël në numra, por ka në përbërje të tij njerëz me shumë vlera e mëndjebukur.    

Flasshqip: Armando, si do ta përshkruaje shoqërinë kanadeze dhe mjedisin ku jeton tani?

Armando Mosho: Shoqëria kanadeze është po aq sa e ndryshme aq edhe kompakte. Me këtë dua të them se në Greater Toronto Area ke mundësi ta zgjedhësh se në cilin shtet do ta jetosh ditën tënde, mund të zgjedhësh gatime të vendeve dhe kulturave të ndryshme, origjina e të cilave mund të jetë mijëra kilometra larg, ndërsa me kompaktësi nënkuptoj një ndër vlerat më të larta të shoqërisë kanadeze, të qënit të gjithë bashkë në ndihmë të atyre që iu duhet ndihmë. Jam i mahnitur kur shoh se sa shumë individët përkushtohen ndaj ndihmës së atyre që kanë më shumë nevojë. Kjo shoqëri ka kuptuar se gëzimi më i madh gjendet kur jep dhe jo kur merr.

Flasshqip: Si e përjetove periudhën e pandemisë? A ndikoi në aktivitetin dhe jetën tënde të përditshme?

Armando Mosho: Periudha e pandemisë gjërësisht perceptohet si një periudhë e cila shkaktoi një gjendje psikologjike të rënduar në mënyrë masive mbi gjithë globin, por kjo nuk është e vërtetë në rastin tim. Kufizimet e lëvizjeve unë i perceptova si një mundësi të mirë për të shpenzuar kohë cilësore me më të dashurit e mi. Në familjen tonë në atë kohë filluam kampionat ping-pongu dhe ky ishte një aktivitet shumë i mirë për të realizuar lëvizje të vogla, të shpeshta, për ta mbajtur trupin në formë.

Flasshqip: Po për efektet e pandemisë në ekonominë kanadeze ç’mendim ke?

Armando Mosho: Zoti e ka bekuar Kanadanë me pasuri të mëdha natyrore, por pasuria më e madhe e Kanadasë janë njerëzit që arrijnë të përshtaten shpejt dhe ndjekin me besim të plotë ligjin. Mendoj se efektet e pandemisë ende nuk janë ndier të plotë në ekonominë kanadeze dhe kjo do të shfaqet e plotë në dy vitet në vijim. Duke qënë një ekonomi e madhe, ekonomia kanadeze e ka të mundur t’i absorbojë lehtë situata që vende të tjera do t’i gjunjezonin. Unë besoj se nga zhvillimet e fundit gjeopolitikë ekonomia kanadeze do të dalë më e fortë, duke luajtur rolin e amortizatorit të tregjeve për sa i përket grurit, gazit natyror dhe naftës.

Flasshqip: Çfarë të pëlqen të bësh më shumë në kohën e lirë dhe cilët janë pasionet e tua jashtë profesionit?

Armando Mosho: Në kohëra të ndryshme ne zhvillojmë pasione të ndryshëm. Futbollin, biçikletën, shahun, muzikën, do t’i vendosja në podium për sa i përket jetëgjatësisë dhe peshës që kanë zënë në jetën time, por siç thashë, gjërat edhe ndryshojnë dhe me kalimin e viteve kam zhvilluar dhe një dëshirë të madhe për të lexuar filozofi, atëherë kur kam kohë të lirë. Aktualisht u bë viti i dytë që mbaj një fokus të shtuar dhe studioj me orë të zgjatura rreth sistemit bankar kanadez dhe përpiqem të marr çdo liçencë të mundshme që do të më sjellë përparimin e mëtejshëm në karrierë.

Flasshqip: Si e vlerëson në përgjithësi evoluimin e komunitetit shqiptar në Kanada, bazuar kjo dhe në informacionin që qarkullon prej disa vitesh në media dhe rrjetet socialë…

Armando Mosho: Unë mbetem besimplotë se komuniteti shqiptar në Kanada do të njohë vetëm sukses. E përmenda edhe më parë qe gëzoj kur shoh anëtarë të komunitetit tonë që kanë bërë progres. Është e padiskutueshme që ne shqiptarët kemi një dëshirë të brendshme të performojmë më mirë se kushdo tjetër. Beteja jonë nuk është me askënd tjetër, vetëm se me veten tonë. Unë kam kuptuar një rregull të pashkruar në shoqërinë kanadeze, gjithçka ka të bëjë me kohën që kalon në këtë shoqëri dhe sa më e gjatë koha, aq më i madh suksesi. Ne mbetemi relatisht një komunitet i ri, ose thënë ndryshe ku ende brezi i parë mbizotëron, por sa më gjatë brezat e shqipes në shoqërinë kanadeze, aq më lart do t’i shohim të ngjiten bashkëatdhetarët tanë.

Flasshqip: Cila mund të jetë forma më e mirë e ruajtjes së identitetit dhe kulturës shqiptare në diasporë?

Armando Mosho: Në një botë që tenton të globalizohet shpejt bëhet gjithmonë e më e vështirë ruajtja e identitetit kombëtar. First things first, shqiptarët duhet të ndihen shqiptarë kudo ku ndodhen. Dy arsye pse e them këtë dhe unë bëj këtu dy pyetje: A po ruhet identiteti shqiptar në dheun mëmë? A mund të ndihesh më shqiptar dhe ta ruash identitetin shqiptar, për aq kohë sa vendi ku u lindëm nuk na lejon të kemi asnjë vendimmarrje mbi këtë pjesë? Sipas meje, dhe nuk jam i vetmi që mendoj kështu, forma më e mirë e ruajtjes së identitetit dhe kulturës shqiptare është duke e bërë diasporën me zë dhe zëri i kujtdo në vendet demokratike vjen nga vota. Gjithçka lidhet me politikat qeverisëse dhe diasporës i mungon zëri në këtë pikë. Unë mendoj se ruajtja e identitetit shqiptar është imperativ i kohës, por kjo nuk duhet lënë në iniciativat lokale të individëve të diasporës, por duhet një plan i koordinuar gjithëpërfshirës kudo ku ndodhen shqiptarët. Do ta kisha dëshiruar të fillonte sa më shpejt hartimi i një plani të gjerë për ruajtjen e identitetit shqiptar. Duhet krijuar më së pari një dokument i shkruar, bazuar mbi mendimet e ekspertëve të fushës, një analizë e thelluar dhe marrja e praktikave më të mira të shteteve që kanë mundur ta ruajnë identitetin e tyre në emigrim.

Flasshqip: A i ndjek zhvillimet në Shqipëri dhe si të duket ajo aktualisht?

Armando Mosho: Pavarësisht se fizikisht jam larg Shqipërisë një pjesë e zemrës sime ende rreh atje dhe natyrisht që ndjek zhvillimet dhe zemra më punon keq kur konstatoj se gjërat nuk shkojnë mirë dhe as nuk kanë në plan të shkojnë mirë. Ne jemi ndër familjet më të vona që e kemi lënë Shqipërinë, që do thotë se ne nuk pamë tek sunduesi aktual i Shqipërisë të bënte diçka të mirë për atë vend. Për mua Shqipëria aktualisht ka rënë përtokë dhe e kanë rrethuar një tufë hienash që po e shqyejnë nga munden. Fatkeqësisht disa hiena po mbyllen përkohësisht në kafaz dhe shpejt do jenë sërish jashtë, me barkun plot, por po aq të babëzitura për t’iu kthyer instiktit të shqyerjes sërish. Nëse do të mundja do kisha dashur ta hiqja komplet popullin shqiptar nga Shqipëria përkohësisht, që të krijohet një gjendje ku hienat të mos kenë se çfarë të kafshojnë nga buxheti që paguhet nga çdo shqiptar. Mbase atëherë mund të ndodhë që hienat të rrethojnë njëra-tjetrën dhe të shqyhen midis tyre. Unë mendoj se Shqipëria ka hyrë në një spirale tej mase të rrezikshme. Atdheu gjendet nën pushtetin e disa njerëzve me duar lakmitare, të babëzitur dhe me zemra të zbrazura. Ndjehem thellësisht i pikëlluar që nuk pata mundësinë të jepja një kontribut më të mirë për atdheun tim.   

Flasshqip: Diçka tjetër që ke dëshirë ta ndash me lexuesit e Flasshqip…

Armando Mosho: Do të dëshiroja të vinte një ditë ku disa djem dhe vajza të shkolluar mirë dhe të pajisur me atdhdashuri, të kthehen në Shqipëri dhe me modele shkencorë të marrin në dorë fatet e shtetit shqiptar. Do doja që pas 200 vitesh emrat e tyre të jenë të shkruar me shkronja të arta: Këta shpëtuan Shqipërinë nga hienat.

Flasshqip: Falemnderit Armando, për bisedën interesante dhe të drejperdrejtë në mendime e ide. Të urojmë suksese të mëtejshme familjarisht!

©Flasshqip.ca