Komunitet

Indrit Kasapi - Karriera e suksesshme e një artisti shqiptaro-kanadez shumëplanësh

Nga: Intervistoi Taulant Dedja

Një ndër emrat më të njohur të letrave shqip në Kanada, shkrimtari dhe gazetari Përparim Kapllani, me dashamirësinë e veçantë që e karakterizon, ndau para disa ditësh përmes profilit të tij në rrjetin social Facebook, lajmin mbi një event kulturor dhe artistik, shfaqjen në Toronto të dramës-balet TOKA, ku protagonist kryesor, në rolin e skenaristit, koreografit dhe aktorit, është një artist shqiptar plot talent i cili jeton prej 22 vitesh në Kanada. Ai quhet Indrit Kasapi.

Po kush është Indrit Kasapi?

Ai ka lindur në Tiranë ku edhe ka kaluar fëmijërinë. Në vitin 2000, kur ishte vetëm 15 vjeç, imigroi në Toronto bashkë me familjen. Fillimet e tij në art lidhen me Qëndrën Kulturore të Fëmijëve në Tiranë, ku u angazhua në grupin e baletit duke interpretuar dhe vallet popullore shqiptare.  Me trupën e baletit të femijëve të Tiranës ai ka marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtarë në Itali, Rusi, Marok, Maqedoni etj. Pas ardhjes në Kanada, Indriti e vazhdoi për disa vite trajnimin në jazz dance dhe balet me Roberto Campanella. Më pas ai vendos të shkollohet për aktrim dhe kryen studimet pranë National Theatre School of Canada në Montréal. Pas përfundimit të studimeve nis karrierën në teatër si actor, por edhe si skenarist, koreograf dhe producent.

Aktualisht Indriti është Drejtor Menaxhues i teatrit të njohur Theatre Passe Muraille në Toronto dhe gjithashtu producenti artistik i kompanisë teatrale që e ka krijuar vetë lemonTree creations. Ai ka prodhuar e realizuar deri tani disa shfaqje teatrale, shumë të mirëpritura nga publiku dhe nga kritika, krijime që kanë fituar çmimet DORA AWARDS në Toronto.  Si aktor/kërcimtar ai ka vazhduar të bashkëpunojë me shumë kompani artistike në Kanada dhe aktualisht është pjesë e trupës së kompanisë CORPUS, me të cilën ka udhëtuar në shumë vende të botës si Kinë, Japoni, Korea e Jugut, Kamboxhia, Izrael, Francë, Gjermani, Portugali, Angli, Suedi, Danimarkë, SHBA dhe sigurisht anëekënd Kanadasë. Më poshtë një bashkëbisedim i shkurtër me Indritin, për të mësuar më shumë rreth tij dhe karrierës së tij sa origjinale, po aq edhe shumëplanëshe dhe të suksesshme.

Flasshqip: A është TOKA krijimi i parë apo ka patur dhe krijime të tjerë në të kaluarën?

Indrit Kasapi: TOKA është vepra ime e tretë. Vepra e parë, THE RED DEVIL (“Djalli i kuq”), u krijua dhe u shfaq premierë më 2008 dhe më pas u përzgjodh edhe në festivalin e shfaqjeve të reja teatrale Summerworks. “Djalli i kuq” tregon historinë e një familjeje shqiptare që udhëton ilegalisht nëpër Europë në kërkim të një jete më të mirë. Vepra e dytë është MSM, me premierë në vitin 2013, krijim që jo vetëm u mirëprit shumë pozitivisht nga Kritika, por edhe u shfaq në disa qytete kanadezë si Vancouver, Victoria dhe Montréal.  Ashtu si TOKA, krijimet e mia janë një ndërthurje midis dialogut e tekstit me kërcimin modern. 

Flasshqip: Si lindi ideja, për çfarë bën fjalë subjekti dhe si zhvillohen ngjarjet?

Indrit Kasapi: Ideja më lindi pasi lexova librin “Prilli i thyer” nga Ismail Kadare. Një libër shumë interesant, por që më la pak të zhgënjyer. Kisha më shumë pikpyetje rreth karakterit të personazhit kryesor, Gjorgut. Ky motiv më shtyu të filloja me shkrimin e dramës time. Isha më shumë kurioz rreth botës emocionale dhe psiqike të një djali të ri, që unë e quajta Ermal, i cili duhet të marrë hak, por faktikisht e ka shumë të vështirë të vrasë dikë. Drama përqëndrohet më shumë rreth temës së faljes dhe vendimet që duhet të marrë jo vetem Ermali, por edhe motra e tij e vogël, Arjola për të arritur deri tek falja. Ata takohen me palën tjetër, që është Zonja Noka dhe djali i saj Mark Noka. Marku është i plagosur nga Ermali, sepse ai nuk e gjuajti dot direkt e në zemër. Në këtë moment pauze, Ermali është duke pritur, sipas rregullave të Kanunit, që plaga e Markut të shërohet përpara se ai të filloi prapë përpjekjet për të marrë hak. Gjatë kësaj kohe, karakteret e kësaj drame mundohen të gjykojnë pasojat e idesë së faljes. Është një fjalë e thjeshtë për t’u thënë, por shumë e vështirë për t’u bërë realitet…

Flasshqip: Cili është ekipi realizues i veprës?

Indrit Kasapi: Kjo dramë është prodhuar nga kompania lemonTree creations dhe Theatre Passe Muraille. Teksti dhe koreografia nga unë dhe regjia nga Cole Alvis. Kinematografia, kompozimi dhe montazhi nga artisti shqiptaro-kanadez Kejd Kuqo. Në skenë dhe në ekran, bashkë me mua, interpretojnë dhe aktorët e njohur kanadezë Nicole Joy-Fraser, Kat Khan, Christopher Manousos, William Yong dhe Riley Sims. Përveç sa përmenda, është edhe një grup i madh artistësh që kanë kontribuar me skenografinë, muzikën, kostumet dhe ndriçimin. 

Flasshqip: Po mesazhin që vepra synon të përcjellë te publiku si do ta përshkruaje? 

Indrit Kasapi: Tradita e gjakmarrjes është një zakon i lashtë shqiptar, por hakmarrja dhe lufta midis grupeve të ndryshme për arsye toke është fatkeqësisht një problem në të gjithë botën, ashtu si edhe këtu në Kanada. Nëqoftëse lexuesit jetojnë në Kanada ashtu si unë, atëhere sëbashku, ne jetojmë në një tokë të përvetësuar me dhunë që u përkiste Popujve Autoktonë.  Ata vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të kërkojnë të drejtat e tyre, të drejta të cilat qeveritë kanadeze janë munduar t’i mohojnë, me qëllimin kryesor kolonial që t’i çrrënjosnin dhe asimilonin komplet si kultura dhe popuj. Pra, hakmarrja, në një lloj kuptimi, ka ekzistuar jo vetëm në malet e Shqipërise, por edhe këtu në botën moderne të Kanadasë. Gjithashtu, doja të gjeja nëpërmjet karaktereve të dramës arsyen pse ne si qënie njerëzore e kemi kaq të vështirë të falim. Në një farë mënyre ose një tjetër, falja tregon që ti ke humbur. Por nuk është vetëm kjo, është edhe fakti që kur na është bërë një e keqe, ne jetojmë me një dhimbje shumë të madhe brënda nesh dhe me kalimin e kohës, e kalojmë këtë dhimbje nga një brez në brezin tjeter. Mbi të gjitha, kjo dhimbje na mban peng në ciklin e dhunshëm të hakmarrjes, sepse nëqoftëse ne mund të marrin hak, atëhere ne shpresojme që dhimbja mund të kalojë. Por fatkeqësisht, dhimbja nuk kalon kurrë. Ajo është, në një farë mënyre ose një tjetër, gjithmonë brënda nesh. Duhet që ne të mësojmë se si të jetojmë me të ose të gjejmë një mënyrë tjetër për ta nxjerrë nga vetja. Drama deri këtu arrin. Shpresoj që t’i japë publikut një mundësi dhe nxitje që të fillojë dhe ta diskutojë këtë temë.

Flasshqip: Si është pritur TOKA nga publiku dhe kritika?

Indrit Kasapi: Publiku dhe kritika kanë qënë shumë pozitivë. Nuk dua të flas shumë rreth kësaj, sepse më mirë është që të lexohen ato që janë shkruar deri tani. I kam renditur më poshtë tri referenca të tri kritikave. Patjetër që kjo është një gjë shumë e bukur për ne si artistë. Në fund të fundit ne punojmë sepse duam që publiku ta pëlqejë veprën tonë. Gjithashtu ndihem shumë i gëzuar me punën e gjithë grupit dhe bashkëpunëtorëve, që vërtet kanë punuar me shumë zemër në këtë projekt, edhe pse Pandemia na krijoi shumë pengesa. Pa këtë grup kjo shfaqje do të ishte e pamundur të realizohej.

“The piece is unsettling; troubling; chasmous.”

INTERMISSION MAGAZINE

https://www.intermissionmagazine.ca/features/embedded-criticism-transcending-time-and-space-in-theatre-passe-murailles-toka/

“...powerful…the choreography is stunning”

BROADWAYWORLD TORONTO

https://www.broadwayworld.com/toronto/article/BWW-Review-TOKA-Cries-Out-for-an-End-to-Cycles-of-Violence-20220422

“Compelling story combines music, movement, and beautiful dialogue to create a stunning work of art that you absolutely must see.”

A VIEW FROM THE BOX

https://aviewfromthebox.net/2022/04/21/theatre-passe-muraille-and-lemontree-creations-toka/

Flasshqip: Indrit, Cilët janë planet krijues në të ardhmen?

Indrit Kasapi: Aktualisht lemonTree creations, ka disa projekte që do të vihen në skenë vitin tjetër. Për më shumë informacion mund të na ndiqni në faqen tonë www.lemontreecreations.ca  Unë personalisht do vazhdoj me punën time si aktor pranë kompanisë CORPUS, që do fillojë së shpejti një turne në Japoni. Gjithashtu kam dhe disa projekte të tjerë si regjizor dhe koreograf, projekte për të cilët mund të flasim sërish në të ardhmen.

©Flasshqip.ca