Komunitet

Nga Kanadaja në Shqipëri, publikohet romani i ri “Un Mort” i Arben Kallamatës

  • Published in Komunitet

Në pranverën e vitit 1975 Fransuazë, ose Frençi, siç e quajnë në qytezën e saj të vogël në Saskatchewan të Kanadasë, niset për të marrë pjesë në festimet e 1 Majit në Shqipëri. Çfarë e shtyn këtë vajzë të re të vizitojë vendin më të izoluar të bllokut Lindor? Dashuria për komunizmin? Pasioni i saj për radioamatorizmin dhe adhurimi për Radio Tiranën? Apo diçka tjetër?

Ndërkohë, tre anije kineze i afrohen portit të Durrësit. Në lojën për të përcaktuar në se anijet transportojnë raketa me mbushje bërthamore apo oriz përfshihen diplmacia ndërkombëtare, rrjete spiunësh, kumari politik shqiptar dhe personazhe që veprojnë ethshëm nga Kanadaja në Itali, në Greqi, Shqipëri, e deri në Pekin.

Nga Kanadaja në Shqipëri, romani i ri i Arben Kallamatës “Un Mort” paraqitet në Panairin e Librit 2022 përmes Shtëpisë Botuese “Jozef”. Libri është i dyti pas “Kronikë Bastardësh” në gjininë e letërsisë historike.

“Un Mort” është pamja e Shqipërisë në prag të izolimit të plotë. Diktatori i vendit që sapo ka kaluar një infarkt, e ndjen veten më pranë vdekjes dhe ka nisur fushatat e spastrimeve brenda grupit të tij për t’i hapur rrugën mbretërimit të të shoqes. Nga jashtë, pas jugosllavëve dhe rusëve atë po përgatiten ta braktisin përfundimisht edhe kinezët. Pa kurrfarë ndjenje përgjegjësie për fatet e popullit të vet, ai sheh një mundësi për t’i dhënë pak peshë vetes, për t’i kujtuar braktisësve se ka një farë rëndësie. Është një lojë me zjarrin, një bllof pokeri që një njeri i humbur nuk e ka për gjë ta provojë.

Nga 16 deri në 20 Nëntor romani “Un Mort” i Arben Kallamatës do të gjendet në stendën e Shtëpisë Botuese “Jozef” në Panairin e Librit 2022. Më pas atë do ta gjeni në libraritë Adrian dhe Albania në Tiranë dhe së shpejti në Toronto e Montréal.

©Flasshqip.ca