Publikohet përmbledhja poetike “Hapësirë midis dy notave” me autor Flurans Ilia
- Published in Komunitet
Sapo ka nisur edicioni i 25-të i Panairit të Librit “Tirana 2022” që organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Panairi mbahet në Pallatin e Kongreseve deri më 20 nëntor 2022. Organizatorët kanë bërë të ditur se në këtë edicion janë regjistruar gjithsej 100 botues, duke përfshirë edhe ata nga Kosova, Mali i zi e Maqedonia e Veriut.
Në panairin e sivjetëm merr pjesë edhe shkrimtari i spikatur shqiptaro-kanadez Flurans Ilia, i njohur jo vetëm në hapësirën e FlasShqip, por edhe në media të tjera në Shqipëri e Kosovë. I larguar nga atdheu në fillimet e viteve ’90, ai jeton prej 25 vitesh në Montréal, metropolin e provincës frankofone kanadeze, Québec.
Kësaj radhe, Fluransi vjen para lexuesve shqiptarë dhe miqve që kanë kohë që e shijojnë krijimtarinë e tij, me përmbledhjen në vargje të titulluar “Hapësirë midis dy notave” (Tempovarkë). Kjo përmbledhje botohet plot 18 vite pas daljes në dritë të librit të tij të fundit poetik dhe është e shtata në këtë zhanër letrar. Flurans Ilia ka publikuar gjithashtu edhe dy vëllimë më tregime, romanin “Jashtë sezoni” (“Buzuku”, Prishtinë 2014) si dhe është duke përgatitur edhe një vëllim të ri me tregime e novela.

Ja si e përshkruan atë poeti Petrit Nika në shkrimin “Atdheu dhe poeti në poezinë e Flurans Ilias:
“Në peisazhin e letërsisë shqipe të pas viteve ‘90, konturohet edhe një emër me një personalitet letrar krejt të veçantë, lirik deri në qelizë, këmbëngulës deri në sakrifikim. Ky është Flurans Ilia, ose ndryshe Flurka, siç e quajmë rëndom midis nesh në rrethe letrare, me pseudonimin e tij të fëmijërisë, fillimeve poetike dhe ... të mërgimit. Duke qenë se është i larguar që nga fillimvitet ‘90 në mërgimin e tij, për Fluransin mund të them se ndoshta ky është shkaku i vetëm i “mospranisë” së tij fizike dhe deri diku edhe letrare për lexuesin shqiptar. Ecejakeve të këtij krijuesi nëpër hapësirën ndërkontinentale në kërkim të atdheut i shkon për shtat ajo thënia e Saint John Perse për Danten: “Nga marshimet e mërgimit, ai qeveris një vetmi më të populluar se çdo tokë perandorie”.
Librin e ri të Flurans Ilias, “Hapësirë midis dy notave” (Tempovarkë) do e gjeni në stendën e Shtëpisë Botuese “Botimet Jozef” përgjatë ditëve të panairit, si edhe më tej në libraritë “Albion” dhe “Albania” në Tiranë. Së shpejti edhe në Kanada.
Urimet më të përzemërta për Flurkën nga FlasShqip!
©Flasshqip.ca












