Festohet 10 vjetori i Pavarësisë së Kosovës në Kanada
- Published in Komunitet
Ambasada e Republikës së Kosovës në Kanada organizoi festime me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Në kryeqytetin e Kanadasë, Ottawa, u ngrit flamuri i Kosovës në praninë e autoriteteve të larta kanadeze, trupit diplomatik dhe anëtareve të komunitetit. Më këtë rast, Ambasadori Lulzim Hiseni në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve Kosovë-Kanada si dhe vlerësoi kontributin e çmuar që Kanadaja ka dhënë ndaj Kosovës prej vitesh. Për Kosovën, Kanadaja mbetet një partner strategjik dhe i palëkundur në rrugën e integrimeve Euro-Atlantike. Në kuadër të aktiviteteve, Ambasada hapi edhe një ekpozitë me fotot me pamje nga Kosova.
Përvjetori i 10-të i Pavarësise u kremtua edhe në Toronto ku përvec ngritjes së flamurit u organizua edhe një mbrëmje nga Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze. Mbrëmje gjithashtu u zhvilluan edhe në Hamilton e London nën kujdesin e shoqatave përkatëse.
Nga ana e tij, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë Ermal Muca mori pjesë në festimet e organizuara për nder të 10-vjetorit të këtij evenimenti të rëndësishëm mbarëkombëtar në Vancouver te provincës British Columbia dhe Edmonton te provincës Alberta. Ai zhvilloi gjithashtu edhe disa takime me drejtues e përfaqësues të shoqatave shqiptaro-kanadeze në këto qytete një rast ky jo vetëm për tu njohur nga afër por edhe për ti përgëzuar ata për punën e palodhur në shërbim të komunitetit si dhe ruajtjen e promovimin e vlerave dhe identitetit tonë kombëtar.
https://flasshqip.ca/komunitet/82-festohet-10-vjetori-i-pavaresise-se-kosoves-ne-kanada#sigProId06d4f3d9ea
© FlasShqip.ca












