Bujar Llapaj: Koncert në Toronto, takime emocionuese dhe një dedikim kujtimit të Mirush Kabashit
- Published in Komunitet
Artisti i mirënjohur shqiptaro-kanadez, një ndër ambasadorët më të denjë të artit dhe kulturës shqiptare jo vetëm në Kanada, por edhe më gjerë, dirigjenti Bujar Llapaj, të dielën e kaluar, më 10 dhjetor, ka performuar për herë të parë në një koncert të organizuar në metropolin e Kanadasë Toronto, ku jeton dhe shumica dërrmuese e komunitetit shqiptaro kanadez. Koncerti, i emërtuar “Holiday Concert” dhe i organizuar nën kujdesin e Albanian Canadian Excellence Society në bashkëpunim me Drejtorin Egzekutiv të Greater Toronto Philharmonica Orchestra, u zhvillua në sallën e Isabel Bader Theatre (University of Toronto). Si sponsorë për aktivitetin kanë kontribuar edhe Kollari Institute of Music dhe kompania Trigrand.
I diplomuar në Tiranë dhe Paris, një ndër dirigjentët më të shquar shqiptarë me karrierë ndërkombëtare, i vendosur prej vitesh në Vancouver të provincës kanadeze British Columbia, Maestro Bujar Llapaj ka qenë Drejtori Artistik i Teatrit të Operas dhe Baletit dhe themeluesi, dirigjenti dhe Drejtori Artistik i Orkestrës së Re Filarmonike. Maestro ka qene gjithashtu drejtues i Departamentit të Kantos dhe Dirigjimit në Akademinë e Arteve në Tiranë si dhe ka dirigjuar koncerte në Paris, Londër, Romë, Athinë, Tel-Aviv, Prishtinë, Shkup, etj. Nga viti 2007 ai është dirigjenti kryesor i West Coast Symphony Orchestra në Vancouver, ndërsa prej vitit 2021 edhe Drejtor Artistik dhe dirigjent i Ambleside Orchestra në North Vancouver.

Pas koncertit të së dielës, Flasshqip iu drejtua për një intervistë të shkurtër Maestros:
Flasshqip.ca: Maestro si u realizua bashkëpunimi për koncertin në Toronto?
Bujar Llapaj: Në fakt, ideja e një koncerti në Toronto me pjesëmarrjen time është shprehur për herë të parë nga ana e botuesit të Flasshqip, Taulant Dedja, dy vjet më parë, në tetor 2021, gjatë një aktiviteti virtual të cilin ma dedikoi Shoqata Shqiptaro-Kanadeze në British Columbia dhe si është ajo shprehja, “fjala jote në vesh të Perëndisë”, u realizua të dielën e kaluar. Dhe Perëndia veproi me anë të njerëzve që ka në tokë: Qazim Kallushi, si drejtor egzekutiv dhe artistik i Greater Toronto Philharmonic Orchestra, me mbështetjen e Albanian Canadian Excellence Society, të cilët unë i falenderoj përzemërsisht që krijuan këtë mundësi për mua.
Flasshqip.ca: Cili ishte repertori i përzgjedhur dhe sa vend zuri muzika shqiptare gjatë koncertit?
Bujar Llapaj: Repertori ishte i larmishëm. Kryesisht me valse dhe polka nga familja Shtraus. U interpretuar dhe uvertura “Fuqia e Fatit” nga Verdi. Ndërkohë, pjesë e rëndësishme e programit ishte sopranoja kanadeze Holly Chaplin, e cila interpretoi pjesë nga Puccini, Gounod, Lehar dhe Offenbach. Performanca e saj ishte e mrekullueshme duke marrë nga publikut duartrokitje të gjata. Por ajo që për mua pati më shumë emocion dhe përgjegjësi ishte interpretimi për herë të parë në Kanada i valles “Malësorja” të Lorenc Antonit dhe veprës “Valle Epike” të Fehim Ibrahimit, të cilën unë kompjuterizova pikërisht për këtë koncert dhe pa mëdyshje mund të them se, ndoshta, është hera e dytë që ajo luhet e plotë, pa qethjet e komisioneve të Dekadave të Majit. Herën e parë e kam luajtur me orkestrën e ILA në 1984, madje edhe atëherë partiturat i pata shkruajtur me dorën time.

Flasshqip.ca: Si e perjetuat vizitën në Toronto dhe a pati surpriza gjatë saj?
Bujar Llapaj: Faktikisht nuk pata shumë kohë të lirë në Toronto. Sa zbrita nga avioni më duhej të shkoja në prova me orkestrën. Në sallën e provave, përveç Qazimit dhe Entelës, koncermaestër e orkestrës, surpriza ishte që në vendin e kornos së parë gjeta Bardhyl Gjevorin, ish-kornistin e parë të orkestrës së RTSH, i cili prej vitesh është pjesëtar i orkestrës së mirënjohur të Operas së Torontos. Po ashtu të nesërmen pata një takim me violinistin e mirënjohur shqiptar, Jani Papadhimitri, i cili ka qenë koncertmaestër në koncertin tim të diplomës me orkestrën e TOB. Takim pas më shumë se 30 vjetësh… Kujtuam momente të bukura por edhe vështirësitë… Kujtuam edhe humor dhe barcoleta të asaj kohe… megjithatë nuk e përsëritëm shumë herë “kur ishim një herë në Dardanele”… 😊

Flasshqip.ca: Dhe cilat ishin përjetimet nga koncerti dhe ndërveprimi me orkestrën dhe publikun...
Bujar Llapaj: Megjithëse vetëm me dy prova nga dy orë e gjysëm dhe një orë para koncertit, mund të them se orkestra tingëlloi mjaft mirë si me lojën në ansambël, ashtu edhe në plastikën e interpretimit të veprave, jo të thjeshta teknikisht, por edhe mjaft të ndryshme për nga stili, duke përçuar emocion tek publiku, i cili reagoi shumë ngrohtë. Unë u bëra “prezantues” i programit në tre raste: kur luajta Intermezzo nga Kavaleria Rustikane e Maskanjit, interpretimin e të cilës ia kushtova kujtimit të mikut tim dhe gjithë shqiptarëve, aktorit dhe njeriut madhështor Mirush Kabashi. Po ashtu edhe në prezantimin e dy veprave shqiptare, “Valle Epike” nga Fehim Ibrahimi dhe “Malësorja” nga Lorenc Antoni, nuk thashë “kompozitori kosovar”, sepse për mua kufiri ndarës administrativ nuk mund të funksionojë si kufi përcaktues, apo identifikues, në kulturën kombëtare. Momentet pas koncertit ishin vazhdim i atmosferës entuziaste. Në skenë u ngjitën dy ambasadorët, z. Ermal Muça (Shqipëri) dhe z. Adriatik H. Kryeziu (Kosovë), të cilët dhuruan lule dhe uruan artistët. Më pas pata kënaqësinë e veçantë të përshëndetëm e të marr urime nga dhjetëra njerëz të njohur dhe të panjohur, duke nisur nga Edmond Hodaj, djalë nga fshati im, violinistët Cin Simoni dhe Jani Papadhimitri, ish-pedagogu i ILA Dasmend Xhuvani (surprizë), muzikanti Gojard Kodra, regjisori Gjergj Rita, Nador Bakalli, çiftin Ira dhe Robert Kore e shumë të tjerë të cilët i falenderoj nga zemra për prezencën në koncert.

© Flasshqip.ca












