Aktivitete

Duartrokitje për 5-vjetorin e Marlee‘s Got Talent

Marlee‘s Got Talent, ky talent show që organizohet vullnetarisht çdo vit nga Ina Kocaqi Xoxa në bashkëpunim të gjithanshëm me prindërit e lagjes Marlee dhe GTA (Greater Toronto Area), këtë vit shënoi edhe 5-vjetorin e tij.

Qëllimi i kësaj shfaqjeje të përvitshme është të afrojë fëmijët shqiptarë me njëri-tjetrin dhe të thurrrin kujtime të përbashkëta duke kënduar e vallëzuar shqip. Interesi për këtë event ka ardhur në rritje dhe fëmijët nga GTA i bashkohen çdo vit. Është dhurata më e bukur që mund t’u bëjmë fëmijëve tanë të mirë e të talentuar”-shprehet Ina Xoxa.

     Ina Xoxa

Dhe kështu, 3 qershori i këtij viti mblodhi bashkë në sallën e eventeve të Kishës Katolike Sllovene në Toronto, ku kryen aktivitetin dhe Misioni Katolik Shqiptar Nënë Tereza. rreth 50 fëmijë shqiptarë të moshave nga 5 deri në 18 vjeç, ku 33 prej tyre kënduan në kor. Fëmijët kësaj rradhe hodhën bukur vallen shqiptare dhe recituan në shqip poezi krahas këngëvë të korit dhe ato solo si për çdo vit.

Hapja e programit iu kushtua Heroit Kombëtar Skenderbeut, për të nderuar 550 vjetorin e vdekjes. Të rreshtuar përpara dekorit të punuar nga piktori Rei Misiri, nga kori u kënduan këngët “O ju male” dhe “Këngë Moj”.  Orkestrimet ishin aranzhuar nga mjeshtrja Entela Galanxhi, e cila që në vitin 2013 ka mbështetur vullnetarisht këtë event duke krijuar një arkivë/videotekë orkestrimesh të mbi 50 këngësh shqip, si edhe duke përgatitur nxënësit e saj me performanca në piano, violinë e kitarë. Ndërsa pianistja e “Trio Fammus”, Sofia Papadhimtri ka përgatitur nxënësit e saj me pjesë në piano e kitarë ku një nga nxënësit e saj u prezantua me pjesë të kompozuar vetë. Po ashtu edhe virtuozi Ruding Lengo paraqiti nxënësit e tij në këtë event.

Këtë vit morën pjesë instrumentistë të rinj me klarinetë, trompë, flaut etj. Repertori i performancave instrumentale përmbante pjesë shumë të bukura klasike të Shtraus e Piazzola si edhe pjesë shqiptare. 3 vallet me motive kolonjare, tropojane dhe vallja e Shotës ishin një zgjedhje e shkëlqyer e koreografeve Olivia Xoxa, Viola Shtylla dhe Eva Hoxha. Sa për kostumet që kishin veshur fëmijët, ishin kujdesur Eva Hoxha dhe Gentiana Aliaj, ndërkohë që fotot fantastike, të cilat mund ti shihni në galerinë e mëposhtme u realizuan nga LGH Art Photography, Lorida dhe Genti Hali.

Me marshin e Radetskit 33 fëmijët e korit lajmëruan fundin e shfaqjes, e cila u duartrokit pafund nga spektatorët.

Prindërit e pranishëm shprehën vlerësime për nivelin e organizimit të aktivitetet, i cili çdo vit vjen me vlera të shtuara. Kjo falë angazhimit e bashkëpunimit të komunitetit shqiptar, të cilët përmes mbështetjes morale e financiare kanë arritur të hedhin rrënjët e një tradite të bukur e me të ardhme.

Ndërsa organizatorja Ina Xoxa, shpreh falenderime dhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar!

Urime Ina Xoxa dhe gjithë grupit realizues!

©FlasShqip.ca

Tagged under Marlee's got talent