Profil & Intervista

Milot Shehu, piloti shqiptar në Calgary

Një djalosh i ri me origjinë nga Gjakova, familja e të cilit prej vitesh është vendosur në Calgary të provincës Alberta, ka firmosur kontratën e do nisë fluturimet së shpejti me avionët e kompanisë WestJet Airlines, kompani kanadeze low-cost e krijuar më 1996. Lajmin e raporton në Websit-in e saj Shoqata Shqiptaro-Kanadeze me qendër në Calgary.

Pas këtij lajmi, Flasshqip.ca, meqënëse është në ndjekje të çdo historie suksesi, e kontaktoi pilotin e ri për të marrë më tepër informacion.

Miloti e flet gjuhën shqipe shumë mirë, në dialektin gjakovar. Ai jeton me prindërit dhe vëllain 17-vjeçar. Prindërit kanë qenë nxitës të fëmijëve të tyre për tu edukuar dhe për të marrë maksimumin e mundësive që ofron Kanadaja.

Miloti ka shkëlqyer në shkollë dhe jashtë saj. Luan futboll, hockey, bën ski.  Ai tregon se prindërit i kanë dhënë shumë nga vetja. Për nënën duket se ka dobësi. Kur e pyesim se çfarë u ka dhënë prindërve në këmbim, na përgjigjet se përmes përkushtimit në shkollë mendon që i ka bërë të ndihen krenarë.

Para dy vitesh Milot Shehu arriti të merrte lejen e drejtimit të avionëve të vegjël privatë pranë Spring Bank Air Training College ndërsa pas realizimit të 200 orë fluturimi deri në maj, ai pret të marrë dhe lejen e drejtimit të avionëve komercialë. Nuk është rrëzuar në asnjë provim, gjë e rrallë kjo për studentët që ndjekin atë shkollë.

Largësia nga vendlindja ma nxiti dëshirën për të pilotuar. Pa pilotim nuk mund të kthehemi në Shqipëri, dhe nuk po them Kosovë, se Kosova është Shqipëri”- na ka deklaruar Miloti me ndjenjë të lartë patriotike.

 

@FlasShqip.ca