Profil & Intervista

“Stolia” e Dorianës është puna

Doriana Rama është me origjinë nga Fieri, tepër këmbëngulëse dhe me qëllime në jetë. Ajo njihet në Calgary të Kanadasë si një grua e cila ka arritur të bëjë emër në fushën e estetikës, në një sektor tepër të specializuar siç është punimi i qerpikëve. Në një konkurs të zhvilluar në Vancouver, Doriana fiton kupën e argjendtë. Dhe këtë sukses ajo e ka arritur për një kohë të shkurtër vetëm në sajë të punës së palodhur. Njohuritë në këtë fushë i ka marrë përmes kurseve të ndjekura në Calgary dhe Kaliforni, dhe më pas e ka zhvilluar talentin duke hapur studion e saj të emërtuar ëmbël në shqip“Stoli”. Gjithashtu ajo ka marrë licensën për të hapur "Stoli Academy". Për një vit ka dhënë përvojën e saj edhe në Shqipëri në disa prej salloneve më të mira të bukurisë. Tashmë ka arritur në atë pikë të biznesit ku nuk ka më orare të lira për klientë të rinj, duke menduar për të ardhmen e afërt zgjerimin për të plotësuar kërkesat e tregut të punës. Klientet e saj i qëndrojnë besnike, dhe kënaqësia e marrë prej shprehjes së tyre kur dalin para pasqyrës “I feel like myself again”, nuk ka të paguar në dollarë - thotë Doriana duke qeshur.

Doriana ishte një vajzë 17-vjeçare kur niset krejt e vetme për në Calgary të Kanadasë. Sigurisht që familja e hallës së saj ishte mbështetja bazë për të, por pas një viti Doriana Rama, ia del të përballojë jetën më vete. Pas 6 vitesh qëndrimi në Kanada, kur punonte në sektorin e burimeve njerëzore në një kompani sigurimesh takoi bashkëshortin e saj, me origjinë nga Nepali. Ata martohen dhe së bashku kanë një djalë, Julianin. Për ti ardhur në ndihmë rritjes së djalit, Dorianës i vjen në Calgary mami Adelina, e cila ka arritur t'ia mësojë perfekt nipit gjuhën shqipe. Doriana i është shumë mirënjohëse familjes për këtë ndihmë, pasi shprehet se jeta për nënat që punojnë në Kanada është pak e vështirë.

Doriana e filloi jetën nga zero në drejtim të aspektit ekonomik, si shumica e emigrantëve në botë, por falë përpjekjeve dhe motivimit të saj ajo tashmë renditet si një grua e suksesshme.  Doriana nuk ka bërë asnjë shpikje, as nuk ka thyer rekorde Guiness që të hyjë në histori botërore. As nuk është një milionere që të lundrojë në para. Por Doriana është një shqiptare që ka ndërtuar me sakrifica e punë, një model të bukur e pozitiv të jetës. Ajo është një ndër historitë e emigrantëve shqiptarë në Kanada.