Profil & Intervista

Nga Saskatchewan flet Ajdin Kozmaqi: Diaspora duhet të jetë pjesë aktive e proceseve politike në atdhe

Intervistoi Taulant Dedja

Me Ajdin Kozmaqin, Kryetar i Shoqatës Shqiptare “Iliria”, Regina-Saskatchewan

Po rikthehemi në FlasShqip tek tema e shqiptarëve të qytetit Regina në provincën Saskatchewan. Sërish mes nesh Ajdin Kozmaqi, një figure emblematike e këtij komuniteti të vogël në numër, por shumë aktiv. Ka pak muaj që, pas dorëheqjes së Lejdi Agos, për shkak të transferimit në Kitchener të Ontario-s, Ajdini është rizgjedhur me mbështetje unanime kryetar i Shoqatës “Iliria”. Një ndër themeluesit e kësaj shoqate nga viti 2013, kujtojmë që ai ka lindur dhe është rritur e formuar në Kosovë, në një familje të shquar intelektualësh dhe është diplomuar në mjekësi në Universitetin e Prishtinës.

Ajdin Kozmaqi dhe familja e tij kanë qënë ndër 24 familjet e para që janë vendosur në Regina për shkak të luftës në Kosovë gjatë vitin 1999. Ai mbetet gjithmonë i përkorë dhe i kujdesshëm në fjalët që zgjedh në bisedë. Bashkëbiseduesi e ndjen menjëherë në fjalët e tij patriotizmin dhe dashurinë për atdheun, përkushtimin dhe njëherazi modestinë, dashurinë për familjen dhe respektin për shokët dhe bashkëpuntorët. Ajdini shprehet me shumë optimizëm për brezin e ri në atdhe, kritik i ashpër ndaj situatës politike dhe korrupsionit si dhe bën thirrje që qytetarët ta sjellin tani ndryshimin përmes votës, duke insistuar edhe në rolin shumë të rëndësishëm që i takon të luajë diaspora në këtë drejtim. Dhe në fund të bisedës, duke theksuar nevojën e ndërveprimit mes gjithë shoqatave shqiptare në Kanada, ai vlerëson që Adriana Bejko dhe Ardian Radovicka, dy përfaqësuesit e diasporës shqiptaro-kanadeze në Këshillin Koordinues të Diasporës, janë personat e duhur në vendin e duhur.

                                                

Flasshqip: Jeni kthyer sërish në drejtimin e Shoqatës Shqiptare në Regina. Në ç'rrethana ndodhi dhe a është kjo rizgjedhje një sfidë e re për Ajdin Kozmaqin?

Ajdin Kozmaqi: Jam rikthyer përsëri aty ku isha që nga viti 2013. Me qëllim e përmenda vitin 2013, sepse është një vit që duhet të futet në analet e historisë së komunitetit tonë këtu në Saskatchewan. Është viti i themelimit të shoqatës tonë. Qysh nga viti 2013 kam qenë në shoqatë dhe me shoqatën, disa herë në kryesinë e saj dhe përherë si anëtar i përkushtuar totalisht. Andaj, lirisht mund të them se aty isha dhe jam, pa u larguar asnjëherë. Në muajin Maj u mbajtën zgjedhjet e parakohshme dhe arsyeja pse ne shkuam ne zgjedhje ishte një arsye thjesht teknike. Disa nga të zgjedhurit u larguan nga Regina dhe vendosën të jetojnë ne provinca të tjera të Kanadasë. Shumë shokë dhe aktivistë më sugjeruan që të kandidohem përsëri për një pozicion në kryesinë e shoqatës. Reflektova ndaj kërkesës së tyre dhe vendosa të kandidoj përsëri. I falenderoj nga zemra për besimin që më dhanë. Shfrytëzoj gjithashtu rastin që të falënderoj kryesinë e mëparshme dhe ish-kryetarin Lejdi Ago që, përkundër kohës së shkurtër që e udhëhoqën shoqatën, ja arritën që të mbajnë kohezionin dhe të bëjnë punë të mëdha për komunitetin.

           

Flasshqip: Cilat janë planet afatshkurtra dhe afatmesme për shoqatën qe ju drejtoni?

Ajdin Kozmaqi: Tani kemi shumë punë për të bërë. Në planin afatshkurtër na presin disa detyra. Së shpejti do të hapen dyert e shkollave për nxënësit tanë. Klasa jonë e mësimit plotësues për Gjuhë Shqipe do t’i mirëpresë fëmijët e Regina-s. Jemi duke bërë përgatitjet paraprake në mënyrë që viti shkollor të fillojë sa më suksesshëm. Po kështu, skuadrat tona të futbollit, të cilat kanë afirmuar komunitetin në mënyrën më të mirë të mundshme, së shpejti do të vazhdojnë me garat e tyre në ligat e qytetit. Kryesia e shoqatës ka formuar një grup pune të posaçëm që do të merret me aktivitetet e rinisë dhe ato sportive. Mendoj se kemi zgjedhur edhe personin e duhur. Është Robert Zani, një ish-sportist dhe aktivist i përkushtuar, ai i cili do ta udhëheqë këtë grup.

Sa i përket planeve afatmesme, agjenda jonë ndërlidhet dhe është në kohezion me agjendën e Shoqatës Multilinguale të Regina-s, në të cilën jemi anëtarë me të drejta të plota. Ashtu si edhe më parë, do të marrim pjesë në të gjitha eventet kulturore që do të mbahen në Regina dhe më gjërë. Pjesëmarrja në MOSAIC, event ky tradicional i përvitshëm mbetet synimi ynë parësor. Do të aplikojmë që të sigurojmë një hapësirë tonën, nëse jo të vetëm, ndoshta sëbashku me komunitetin Kroat dhe disa komunitete të tjera me të cilat kultivojmë raporte tejet miqësore.

MOSAIC është ngjarja më e madhe multikulturore në Regina ku komunitetet prezantojnë para publikut dhe audiencës kanadeze traditën, trashëgiminë kulturore dhe artin e vendit të origjinës.

                                       

Flasshqip: Së shpejti, në Regina një rrugë do të emërtohet "Zeka", në kujtim të dy prej kontribuesve më të përkushtuar të komunitetit tonë aty. Çfarë përfaqëson ky fakt për ju?

Ajdin Kozmaqi: Kur flasim për rrugën “Zeka”, Arbenin dhe Lindën, emocione krejt të veçanta më pushtojnë shpirtin. Beni dhe Linda mbeten ikona të komunitetit tonë, shembulli më i mirë i afirmimit të komunitetit tonë brenda shoqërisë kanadeze. Kontributi madhor i tyre u shpërblye me emërtimin e rrugës me emrin “Zeka”. Shfrytëzoj rastin që të falënderoj të gjithë ata qe kontribuan për ketë gjë: juve personalisht si ideator, kryesinë e mëparshme të shoqatës dhe atë të tanishme, si dhe kryetarin e Bashkisë së Regina-s, Michael Fougere. Për mua, që isha njeri nga miqtë e afërm të të ndjerëve, në përvjetorin e njëzetë të arritjes së shqiptarëve të parë në Regina, rruga “Zeka” simbolizon dhimbjen, vuajtjet, lotët, mallin dhe sakrificën e refugjatëve por edhe krenarinë tone kombëtare. E quaj rrugë të shpresës dhe frymëzimit të bashkëkombasve tanë. Uroj me gjithë zemër, që të rinjtë tanë, kur të ecin në rrugën “Zeka”, të ecin me krenari dhe të shkojnë drejt sukseseve! Andaj, shfrytëzoj dhe rastin që ti uroj nënës Bademe, djalit Nolit, vajzës Hanës, familjeve Zeka dhe Gega, bashkëkombasve këtu në Regina dhe anë e kënd Kanadasë veç të mira paçin!

                              

Flasshqip: Keni qenë me pushime në vendlindje. Cilat janë mbresat që morët me vete? A mund të veçoni diçka që ju bëri më shumë përshtypje?

Ajdin Kozmaqi: Po, isha në Kosovën e bukur për 3 javësh. Qëndrova dhe u çmalla me nënën, motrat dhe familjarët. Prishtina dhe Kosova ime e bukur kishin ndryshuar shumë. Vërehej motivim dhe dëshirë e brezit të ri për të ndryshuar gjërat për së mbari. Më bëri përshtypje gjelëbrimi dhe pastërtia në kryeqytet, autorrugët e mrekullueshme dhe komunikacioni i mbingarkuar. Më bëri përshtypje energjia pozitive që mbizotëron tek rinina kosovare. Lirisht mund të them se ne e kemi rininë më të mirë në botë!

      

Flasshqip: Cili është komenti juaj për situatën politike në Kosove, në prag të zgjedhjeve të parakohshme?

Ajdin Kozmaqi: Fatkeqësisht, si në Kosovë e ashtu edhe në Shqipëri, krimi i organizuar nuk po luftohet sa duhet apo të mos them fare. Ligjet janë në letër të shkruara, por në praktikë po gjasojnë me cergat e merimangës. Insektet e vogla kapen prej tyre, ndërsa insektet e mëdha e çajnë cergën dhe ikin. Kam shpresën se drejtësia do të vendoset, sepse e drejta është më e fuqishme se sa vetë ligji! Personalisht tentoj që të qëndroj jashtë politikës. Njëkohësisht shpresoj që forca politike që do të vijë në pushtet, të demaskojë dhe dënojë në mënyrë të pakompromis të korruptuarit, ata të cilët për plot njëzetë vite pangopshëm e kanë zhvatur dhe stërzhvatur shtetin dhe burimet e tij.

Flasshqip: Si mund të ndikojë, sipash jush, më mirë diaspora në ndryshimin e situatës në atdhe?

Ajdin Kozmaqi: Eh diaspora! Përveç remitancave, që janë gjenerator i fuqishëm i buxhetit të shtetit, diaspora duhet të jetë edhe pjesë aktive e proceseve politike si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Nga këtu i bëj ftesë të gjithë bashkëkombasve që me vullnetin e tyre, qoftë përmes votës elektronike apo edhe mënyrave të tjera të votimit, të bëjnë ndryshimin e shumëpritur. Është momenti vendimtar!

                                     

Flasshqip: Nga Kanadaja kemi aktualisht dy përfaqësues në Këshillin Koordinues të Diasporës, Zj. Adriana Bejko dhe Z. Ardian Radovicka. Cilat do të ishin sugjerimet tuaja për punën e tyre?

Ajdin Kozmaqi: Shumë shpresoj që Këshilli Koordinues i Diasporēs të jetë edhe zëri i diasporës. Mendoj që Zj. Bejko dhe Z. Radovicka janë personat e duhur në vendin e duhur. Janë patriotë dhe aktivistë të përkushtuar. Sugjeroj që një linjë komunikuese me strukturat drejtuese të shoqatave anë e kënd Kanadasë duhet medoemos që të vendoset. Duhet të veprojmë si një organizëm i përbashkët dhe të punojnë më të gjitha provincat, në mënyrë që ligji për trashëgiminë tonë kulturore të miratohet edhe në provincat e tjera përveç Ontarios. Së fundi, ju përshëndes përzemërsisht dhe uroj që shëndeti dhe prosperiteti ti shoqërojnë të gjithë bashkëkombasit kudo që janë!

Flasshqip: Ju falenderojmë për bisedën tejet interesante, duke ju uruaj dhe juve vetëm shëndet dhe suksese të mëtejshme!

                               

©Flasshqip.ca