Profil & Intervista

Shqipëria në udhëkryq, roli i diasporës mbetet vendimtar - Intervistë me Rudin Daklin, Toronto

Nga: Intervistoi Taulant Dedja

Lidhja ime me Elbasanin është e shumëfishtë. Familjare, shoqërore, kulturore, por sigurisht edhe politike. Pas vendlidjes, Tiranës, Elbasani mbetet i pari në listën e të preferuarve dhe sigurisht, është qyteti të cilit i mbetem mirënjohës dhe borxhli gjithë jetën, sepse më besoi dy herë që ta përfaqësoj në Parlament (jo me listë proporcionale). Gjatë viteve që kam kaluar aty, ndër shumë familje dhe fise të njohur, emri i të cilave më është ngulitur në mëndje qysh në fëmini, është edhe ai i familjes Dakli. I pari që pata takuar nga afër, diku nga mosha 12 vjeçare, ishte Cen Dakli, inxhinieri dhe miku im i mire, që prej vitesh jeton në Toronto. I dyti, një emër shumë i njohur për elbasanllinjtë, por jo vetëm. Për fat të keq u nda nga jeta shpejt. Quhej Engjëll Dakli. Në kujtesën time mbetet një profesionist dhe njeri i shkëlqyer më të cilin kam bashkëpunuar ngushtësisht, sidomos për reformën e decentralizimit, reformë në të cilën ai si përfaqësues i opozitës në vitet 1998-2000 dhe njeri me virtyte të rralla qytetare dha një kontribut tejet të çmuar. Fati e solli në Toronto që të njihem me Rudinin, një tjetër përfaqësues të denjë të kesaj familjeje, djalin e mësuesit të shquar Bardhyl Dakli (R.I.P). Madje, dua të ndaj me lexuesit faktin që, me mbështetjen e Rudinit mori jetë dhe projekti i portalit Flasshqip, kontribut për të cilin do t'i mbetemi mirenjohës gjithmonë.

Rudini në perceptimin tim është një individ i cili e shpreh dashurinë për vendlindjen jo me fjalë, por me vepra dhe me kontribut konkret, edhe pse jeton prej 21 vitesh në Kanada. Me Rudinin nuk rreshtim së këmbyeri mendime dhe ndajmë pareshtur brengën që kemi për atdheun tonë të dashur, që ende lëngon tranzicionin e stërzgjatur nën një regjim hibrid. Kur kam lexuar librin “Ahmed Dakli”, me autor Hilmi Daklin, kam kuptuar më shumë genin që ka trashëguar Rudini. Nga ai libër, mësova sidomos që familja Dakli ka qenë bartëse dhe përçuese e vlerave qytetare që prodhoi mjedisi shoqëror i fundshekullit 19 dhe fillimi i shekullit 20. Paraardhësit e Rudinit, në ato vite u investuan me gjithë energjitë e tyre për tansformimin e shoqërisë shqiptare, në një shoqëri tolerante, demokratike me orientim europian. Ajo çka i bëri të njohur të parët e Rudinit, veç korrektesës e ndershmërisë, ishte lidhja e tyre me familjen e Biçakçijve në Elbasan dhe pjesëmarrja aktive në ngjarjet e dhjetëvjeçarit të parë të viteve 1900, që çuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë e më pas në proçeset e krijimit e konsolidimit të shtetit të ri shqiptar.

Duke njohur nga afër përpjekjet, kontributet e vyera dhe projektet që kanë marrë jetë prej vitesh falë iniciativës dhe mbështetjes së Rudinit në Elbasan dhe Shqipëri, e vlerësoj faktin që ai e pranoi ftesën për një bisedë në Flasshqip.

Ja si e rrëfen në hyrje Rudini me pak fjalë vetveten, përkatësinë dhe ndjenjat që ruan për vendlidjen e tij, Elbasanin…

Rudin Dakli: Kam jetuar në Elbasan deri në vitin 1990, kur fillova studimet për Mjekësi në Universitetin e Tiranës. Pas përfundimit të studimeve punova për afro dy vjet në Gjinar, si mjek i përgjithshëm. Më pas, përpara se të emigronim familjarisht në Kanada në vitin 2000, për një kohë të shkurtër punova dhe në Bashkinë e Tiranës. Në Kanada kam kaluar periudhën e përshtatjes, rishkollimit dhe stabilizimit, që zgjati diku tek 6 vjet. Besoj është një rrugëtim i ngjashëm për shumë nga emigrantët shqiptarë të ardhur këtu pas viteve 1990. Me Shqipërinë dhe Elbasanin në veçanti, vazhdoj i ruaj lidhjet. Nga viti 2000 deri në 2013 e kam vizituar shpesh, ndonëse për periudha të shkurtra kohe, por gjithsesi me kohë të mjaftueshme për të provuar një shije të ndryshimeve të qytetit. Me keqardhje kam konstatuar që ka pësuar një regres relativ në krahasim me qytetet e tjera të Shqipërisë. Shumë pak vëmendje dhe investime në krahasim me qytetet e tjera kryesore. Besoj që meriton më shumë vëmendje, qoftë edhe vetëm për vlerat historike dhe kontributin në fushën e arsimit kombëtar.

Flasshqip: Rudin janë një sërë projektesh të nisura në Elbasan, nga të cilat meriton të veçohet fillimisht sipas nesh Arkivi Digjital. Do të ishte me interes diçka e detajuar rreth tij…

Rudin Dakli: Para disa vitesh, sëbashku me nje grup dashamirësish, intekektualë, vendosëm të krijonim një shoqatë kulturore për të dhënë një kontribut sipas mundësive në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit të Elbasanit. Shtysë për këtë u bë mungesa e informacioneve në formë digjitale, përtej postimeve në Facebook nga persona të pasionuar pas historisë dhe trashëgimisë së qytetit. Shoqata u quajt Arkiva Digjitale Elbasan dhe e filloi aktivitetin duke digjitalizuar materialet e Muzeut të Shkollës Naim Frashëri, nën mbikqyrjen e Prof. Sami Domni, ideator dhe kurues i këtij muzeu.  Këto materiale u hodhën më pas online në një faqe dedikuar ketij muzeu (sot eshte offline sepse po rindërtohet). U krijua një faqe internet për të hedhur fotografi, dokumente, histori të shkruara ose të treguara për Elbasanin dhe njerëzit e tij. Më pas vazhduam me digjitalizimin e materialeve të Muzeut Etnografik, i cili kishte trashëguar gjithë materialet e grumbulluara përgjatë historisë së zhvillimit të muzeve në rreth. Gjatë procesit të digjitalizimit u bë edhe inventari i këtyre dokumenteve. Puna u krye pa aplikuar seleksionim sipas rëndësisë, për të evituar ideologjizimin e procesit. Çdo material u konsiderua me vlerë. I takon specialistëve tashmë të përzgjedhin dhe t’i organizojnë siç duhet këto materiale. Po të njejtën ide vumë në zbatim në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Elbasanit dhe Drejtorinë e Shkollës Pedagogjike ku ruhen materialet e Muzeut të Shkollës Normale. Digjitializuam materialet dhe gjatë kohës së digjitalizimit, bëmë dhe inventarizimin. Si dhe në rastin e parë, kemi vendosur kontakte me institucionet shtetërore dhe publike dhe po përpiqemi të përfshijmë specialistë dhe studiues me eksperiencë, në mënyrë që këto materiale të organizohen, kurohen dhe t’i paraqiten publikut në format digjital.

Flasshqip: Me sa jemi në dijeni janë në proces edhe disa projekte të tjera me shumë interes për publikun e gjerë, por sidomos për historianët që merren me periudhën para Pavarësisë së Shqipërisë…

Rudin Dakli: Një projekt tjetër është edhe ai i përkthimit të indeksit të dokumenteve në gjuhën osmane që ndodhen në Arkivin e Stambollit dhe që lidhen me historinë e trojeve shqiptare. Ideatori i kësaj pune ka qenë osmanologu Ermal Nurja, i cili është edhe realizuesi kryesor i projektit. Kemi realizuar disa intervista dhe prezantime të këtij projekti, për të cilin kemi krijuar dhe portalin përkatës. Besojme që ky projekt do të lehtësojë studimin e asaj çka ndodhur në 500 vjetët e pushtimit Osman në trojet shqiptare, duke u dhënë mundësi edhe studiuesve që nuk e njohin osmanishten të krijojnë një ide mbi përmbajtjen e këtij dokumentacioni. Një hap shumë pozitiv në zhvillimin e mëtejshëm të ketij projekti ishte marrëveshja e realizuar së fundmi midis shoqatës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, e cila ka marrë kopjet e dokumenteve për të cilat shoqata ka investuar në përkthim. Lidhja e këtyre indekseve me dokumentet e skanuara i bën menjëherë të prekshme dhe të shfrytëzueshme. Kemi realizuar disa botime, ekspozita, intervista me qytetarë të fushave të ndryshme që besojmë se do t’i mbeten arkivit të qytetit. Të gjitha keto janë realizuar me një staf minimal përmes Arkivës Digjitale. Do doja të përmend me këtë rast koordinatoren Ana Toçi dhe kryetarin e shoqatës Arben Xhaja, por dhe kontributin vullnetar të shumë qytetarëve të pasionuar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Elbasanit dhe më gjerë.

Flasshqip: Më lart përmende disa botime dhe kemi përshtypjen se ndër më të njohurit deri tani mes tyre, është publikimi periodik i revistës Albanon. Si u ngjiz ideja e revistës Albanon dhe çfarë përfaqeson sot kjo revistë?

Rudin Dakli: Revista Albanon u ngjiz nga diskutimet dhe dëshira për të risjellë, pas shume vitesh, një revistë të pavarur, të kuruar nga intelektualët e Elbasanit, me idenë edhe të nxitjes së bashkëpunimit të këtyre të fundit me shoqatën Arkiva Digjitale. Në gjithë këtë ndërrmarrje ka pasur disa konstante, më e rëndësishmja midis të cilave, prezenca dhe këshillimi i pakursyer i Prof. Tomorr Plangaricës dhe lidhjet e krijuara nëpërmjet tij me rrethet e studiuesve të Universitetit të Elbasanit. Prezenca e tij afroi shumë nga bashkëpunëtorët, përfshi kryeredaktoren Migena Kapllani, e cila mbajti peshën kryesore në redaksi. Pasi u vendos kush do ishte në Këshillin Botues dhe Redaksi, më pas për drejtimin e botimit i kerkuam ndihmë drejtorit të shtëpisë botuese “Dy lindje Dy perëndime”, z. Pëllumb Zekthi. Mbetej të vendosnim midis propozimeve për emrin e revistës. Këtë na e zgjidhi arkeologu Ylli Cerova, i cili është mbështetës i tezës së vend-ndodhjes së qytetit të vjetër Albanopolis, përmendur nga Ptolemeu, në zonën e Elbasanit. Kështu mori udhë revista.  Pas një ndërprerje gati dy vjeçare, revista do të rifillojë në format digjital.

Flasshqip: Ndërkohë projekti më i ri i nisur para pak kohësh është një shoqatë e sapokrijuar në Toronto. Çfarë e motivoi këtë iniciativë dhe cilat do jenë synimet e saj?

Rudin Dakli: Së fundmi, nisur nga dëshira për ta vazhduar aktivitetin në fushën e veprimtarisë jofitimprurëse dhe nga vështirësitë që krijon largësia në ushtrimin e aktiviteteve që kemi nisur e vazhdojmë në Shqipëri, si dhe me nxitjen edhe të profesionistëve të kësaj fushe për të ndërtuar një strukturë më funksionale, vendosëm të krijojmë një organizatë jofitimprurëse në Kanada. Objektivat e shoqatës, të quajtur Albanian Canadian Development Alternative, përfshijnë disa fusha, por në një formë të përmbledhur, fokusi është vendosja e një lidhje midis organizatave jofitimprurëse, fondacioneve apo institucioneve kanadeze dhe te drejtimi i vëmendjes nga Shqipëria. Tashmë komuniteti shqiptar në Kanada mund të quhet i konsoliduar dhe e shikojmë të mundur dhe të nevojshme që eksperiencën kolektive të grumbulluar përgjatë këtyre viteve ta ofrojmë edhe në Shqipëri. Besojmë se shkëmbimi i eksperiencave, apo rritja e interesit të qeverisë kanadeze ndaj Shqipërisë, janë një kusht i domosdoshëm edhe për forcimin e pozitave të komunitetit shqiptar në shoqërinë kanadeze. Lidhjet në fushën e edukimit, zhvillimit apo shkëmbimet kulturore, krijojnë premisa për një njohje më nga afër të kulturës shqiptare nga publiku kanadez.

Flasshqip: Dhe si konkretisht mund të zhvillohen më tej raportet Kanada-Shqiperi, që e kemi përsëritur shpesh, mbeten në nivel thuajse bazik, edhe pse kanë kaluar më shumë se tre dekada nga lidhja e marrënieve diplomatike dhe siç thuhet në Kanada jetojnë rreth 60.000 individë me origjinë shqiptare (shifër e përafërt me komunitete të tjera që vijnë nga shtete europiane me madhësi të përafërt me Shqipërinë) …

Rudin Dakli: Ndoshta nuk jam personi i përshtatshëm për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje dhe përgjigjet e mia do të doja të merreshin thjesht si ide të nxjerra nga observimi përgjatë këtyre 21 viteve në Kanada. Ajo që të bie në sy, është mungesa e shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë. Duket sikur interesi i Kanadasë për Shqipërinë është pothuajse jo egzistues. Por mund të thuash të njejtën gjë për interesin e Shqipërisë zyrtare për Kanadanë. Nuk di nëse ka çështje të mbetura pezull midis dy vendeve apo është thjesht mungesë interesi. Në Kanada kemi një komunitet i cili, ndonëse i vogël, është i respektuar dhe i pozicionuar në mënyrë dinjitoze në shoqërinë kanadeze. Besoj do të mjaftonte angazhimi i këtij komuniteti në një partneritet serioz me shtetin shqiptar. Nëse kjo arrihet, kam bindjen se këto raporte do të fillonin të përmirësoheshin dhe të ecnin në drejtimin e duhur.

Flasshqip: Pa mohuar arritjet që kanë bërë të mundur afirmimin e shqiptarëve në Kanada (vend ku terreni në këtë fushë duhet theksuar se është shumë favorizues), qoftë ato kolektive apo individuale, a je i mendimit se jemi tashmë në një faze kur duhet kapërcyer një lloj niveli aktivitetesh që më më shumë mbeten të mbyllura brenda komunitetit tonë?

Rudin Dakli: Siç e thashë më sipër, mendoj se komuniteti shqiptar ka zënë tashmë vendin e tij midis komuniteteve të panumërta në Kanada. Është i përbërë nga njerëz të përzgjedhur, për vetë mënyrën se si e ka organizuar Kanadaja imigrimin dhe duke qenë se kriteret kryesore të përzgjedhjes janë edukimi dhe profesioni, shumë nga emigrantët shqiptarë kanë arritur të stabilizohen, ndonëse me shumë sakrifica, në vende të mira pune dhe të gëzojnë standartin e jetesës së familjeve të mesme kanadeze. Me sa duket kjo është premisë për organizimit e aktiviteteve të shumta kulturore. Mendoj se nuk kam tagër t’i etiketoj aktivitetet e organizuara, përderisa deri më tani nuk kam patur ndonjë kontirbut për t’u shënuar dhe sepse, pavarësisht përmasave, mbartin në vetvete dëshirën e mirë të organizatorëve për të sjellë diçka për bashkëatdhetarët. Duhet të kemi parasysh se komuniteti shqiptar në Kanada është i vogël në krahasim me etni të tjera dhe relativisht i ri. Përvoja dhe burimet financiare janë të kufizuara. Do kisha dëshirë të arrinim të organizonim aktivitete ku të merrnin pjesë jo vetëm shqiptarë, por edhe kanadezë. Një ekspozitë me fokus Shqipërinë arkologjike, një Festival të gatimeve shqiptare, apo diçka tjetër të këtij niveli. Shpresoj që këto ide të konkretizohen!

Flasshqip: Në mbyllje të bisedës le të kthehemi sërish tek Shqipëria dhe te një subjekt shumë i rrahur prej kohësh në mediat online dhe rrjetet sociale: roli i diasporës në ndihmë të zhvillimit të Shqiperisë. Si e shikon këtë rol aktualisht?

Rudin Dakli: Besoj nuk ka shqiptar që nuk e di rolin e rëndësishëm që ka luajtur historikisht diaspora në ndihmë të Shqipërisë në çdo aspekt, ndaj dhe po fokusohem tek përgjigja direkte ndaj pyetjes, pra tek roli që mund të luajë diaspora sot për zhvillimin e vendit amë. Në udhëkryqin që gjendet Shqipëria prej tashmë 30 vjetësh, diaspora mund të ketë një rol vendimtar në përshpejtimin e proceseve të demokratizimit të politikës shqiptare. Ky do të ishte roli jetëdhënës për kohën ku jetojmë. Vetëm futja e votës së diaporës, hipotetikisht e përbërë nga njerëz të pavarur ekonomikisht nga kushdo ka pushtetin në Shqipëri, do të sillte një balancim të proceseve elektorale. Mbetet për t’u parë nëse kjo do të arrihet. Ekonomikisht diaspora ka qenë si kordon umbilikal për Shqipërinë dhe akoma vazhon të jetë e tillë. Besoj që ndihma ekonomike do ishte shumë më e madhe nëse shteti shqiptar do t’u krijonte kushte të përshtatshme, siguri dhe garanci investitorëve nga diaspora për të hapur aktivitetet e tyre atje. Për fat të keq, nuk ka patur asnjë përpjekje të sinqertë nga asnjëra nga qeveritë e deritanishme. Sot janë krijuar mundësitë e transferimit të punës në Shqipëri. Janë disa kompani që po e realizojnë këtë, ose me kontrata të drejpërdrejta me kompani kanadeze. Për të mos harruar futjen e produkteve shqiptare në tregun kanadez, që ndonëse minimale, tregon se egziston interesi dhe mundësia e zhvillimit të mëtejshëm. Do preferoja të ndalesha tek këto dy aspekte kryesore duke mos renditur të gjithë aspektet e zhvillimit të Shqipërisë, ku diaspora mund të luajë një rol të rëndësishëm. Është një eksperiencë kolektive 30 vjeçare e fituar në vendet më të përparuara të globit, e cila nëse krijohen kushtet, mund të transferohet e të japë rezultate të shpejta në Shqipëri. Ky brez emigrantësh ka një eksperiencë të dyfishtë, gjë që e bën grupin më të përshtatshëm për të aplikuar eksperiencat e këtushme, duke ia përshtatur kushteve dhe mentalitetit e kulturës shqiptare me pritshmëri realiste.

Flasshqip: Falemnderit dhe suksese Rudin!

©Flasshqip.ca