Sport

Kosta Grillo, zëri që më mungon në botëror!

Nga: Uvil Zajmi

Një pyetje që kërkon përgjigje në këtë atmosferë të “Botërorit 2018”:  Cili është motivi për mungesën në koment i Kostës: moshë për pension, them se nuk ka!

Duke qenë se prej vitesh jam një frekuentues i kanaleve televizive shqiptare, në shumë raste edhe i ftuar në to, sigurisht që Botërorin televiziv e kam pritur me shumë kureshtje edhe se si ai do t’i ofrohej shqiptarëve sportivë, madje ndaj shumë prej tyre të angazhuar me dëshirë për të qenë prezent e përcjellë në çdo mjedis familjar, lokale, kudo këtë muaj botërori.

Jam i sigurt që edhe në qytetet e tjera nuk mungojnë emisionet, minutazhi lidhur me botërorin e “Ujkut Zabivaka”. Deri këtu gjithçka është “OK”, përfshirë edhe gazetat sportive dhe ato josportive, me faqe dhe informacione kushtuar këtij eventi. Sigurisht për brezin tim, këto ngjarje sportive janë të lidhura edhe me të kaluarën, e ndarë midis dëshirës, pasionit dhe mundësive të kufizuara, nga mungesa e televizorëve, pastaj kushtëzimi deri kur ato transmetoheshin edhe me logon e kanalit të huaj, të mbuluar me një njollë, pasi imazhet merreshin ilegalisht.

Ajo që më befasoi në Botërorin rus, e që nuk ka lidhje me Moskën e nostalgjisë, as me Jashinin që e kanë vënë në logon e këtij evenimenti, as me historitë e dashurive të shqiptarëve me gratë ruse dhe dramat që ndëshkuan këto lidhje duke ia kaluar atyre tolstoiane, hygoiane, drajzeriane, më shumë se librat e verdhë të ndaluar, por që ka lidhje me një zë, person që më mungoi në këtë start sportiv televiziv.

E mendova rastësi, pastaj me shpresën për të dëgjuar, por zëri i Kosta Grillos do të më mungonte. Kam një adoleshencë, rini dhe edukatë, njohje sportive, të marrë e trashëguar nga radio, me golat e Eusebios, dëmtimin e Peles-ë, golin e koreanit Pak Dok Ik ndaj Italisë në Botërorin e triumfit të “Bobëve”: Mur e Çarlton, ndonëse nga ai televizor pak informacion merrnim. Pastaj evenimentet e tjera që vijuan dhe që me shumë vështirësi transmetoheshin nga TVSH, me apo pa leje televizive nga organizatorët. Por kishim radion, e radio-kronistëve të njohur italianë; Bortoluzzi, Ameri, Çiotti, por edhe Bellovën tonë…

Edicioni i Botërorit 2018 më solli një surprizë jo të këndshme, pasi më mungoi Kosta Grillo, zëri dhe komenti pasionant i tij që i bashkohej si vijues i disa zërave, nga Bellova e të tjerë radio-kronistë që e kanë të lidhur, jo vetëm zërin si autentikë absolutë të kombëtares, kampionateve etj, si edhe ato të lojërave me dorë që kanë qenë e mbeten zëri sportiv radiofonik tradicional i radios. Ose Skifter Këlliçi, zërin televiziv i të parave ndeshje të transmetuara në ekranin shqiptar të sapo krijuar. Më vonë, legjendarin Vladimir Grillo, zëri televiziv i vetëm për kohën, kombëtaren e golave të Mingës e Kolës, Muçës, por edhe të Kushtës nga Beogradi. Po kështu, Shqarrin zëri mitik “Nga njëra ndeshje tek tjetra”, që mbeten të pazëvendësueshëm për shumë motive. Po kështu, gazetarin e njohur Besnik Dizdari, i përpiktë, bashkëkohor në shtypin mediatik, me trajtimin e çështjeve aktuale, që do ta konsideroja pena autentike që nuk njeh moshë e pension të gazetarisë sportive, një Marzrek apo Montanelli i ditëve moderne.

Ndërkohë, Kosta Grillo më mungon në këtë botëror. Nuk e di sa botërorë, evropianë e sa vite ka që komenton. Nëse në Itali, meqë e njohim dhe i referohemi për mjaft situata, zëri televiziv i Kombëtares kanë qenë dhe mbeten Karozio, Martelini, Pizzul, duke bërë një krahasim modest, tek ne janë dy: Kosta Grillo, ai i RTVSH-së, dhe i Dritan Shakohoxhës të Supersportit. Ndonëse mundësitë për ta ndjekur këtë botëror janë të shumta, përfshirë edhe Mediasetin, preferoj ta shoh nga TVSH-ja jonë, pasi ndjehem më komod. Por, i ulur dhe në pritje që zëri tradicional i Grillos të më ngacmojë emocionet, pikërisht ai më mungoi. Nuk e di motivin, moshë për pension, them, se nuk ka. Sidoqoftë, veshi më kërkon tingullin, komentin e tij, një zë që kam vite që më shoqëron, jo vetëm mua, por gjithë shqiptarët sportivë.

Burimi: Gazeta Telegraf