Sport

Pas 53 vjetesh, italianët sërish Kampionë të Europës - Nga Adriatik R. Dosti

Adriatik R. Dosti, Michigan-SHBA

Italia hesht, e shkreh në lot Wembley-n dhe çorodit Londrën, e si për të marrë hak ndaj kësaj Europe të çmendur e të pabesë, që e braktisi bash në një nga periudhat më të rënda të historisë së saj  teksa i ktheu shpinën në rastin e Covid-19, kjo Itali diti të ngrihet e të ringrihet edhe më  humane e dinjitoze se sa kishte qenë deri më sot, triumfatore e kampione e madhe.

Sa gjatë prite Itali, madje e kishe më kollaj të ishe Kampione e Botës si në 1982 dhe 2006, se sa Kampione e Europës, teksa kishe qenë e tillë 53 vjet më pare, e në vitin e largët 1968, pas atyre dy ndeshjeve dramatike me Jugosllavinë, 1-1 dhe 2-0... Dhe e mposhte sërish Anglinë... come sempre... madje brenda në shtëpi të vet, brenda Wembley-t të saj magjik e mitik, që duket se vazhdon të jetë ''tersi'' i tyre që pas 1966, pasi po këtu dështuan edhe në 1996  ndaj Gjermanisë, në gjysmëfinale, e tash përsëri pas 25 vjetësh edhe në 2021, në finale ndaj teje.

Dhe një koincidencë fantastike për ty Italia e futbollit të madh dhe e mjeshtrave të mëdhenj të “top-këmbës”, që ke luajtur 10 finale të mëdha, 6 botërore (4 herë kampione) dhe 4 europiane (2 herë kampione). Po 11 Korrik ishte edhe atëherë në vitin e largët 1982, pra 39 vjet më parë, teksa në ''Santiago Bernabeu'' të Madridit pate mundur Gjermaninë 3-1 dhe ishe shpallur Kampione e Botës, pas plot 44 vjetësh, e po 11 Korrik edhe sot, por i vitit 2021, teksa munde 3-2 me penallti Anglinë brenda në Wembley të Londrës, e pas 53 vjetësh je sërish Mbreteresha e futbollit europian, për herë të dytë në historinë tënde. E në 10 finale të luajtura, të marrësh 6 trofé, është më shumë se sa një ëndërr e bukur e dekadave me radhë për çdokënd!

Ekipi anglez pas finales (në qendër kapiteni Harry Kane)

Edhe pse në fushë të vet, edhe pse me UEFA-n në krah që bëri ç'desh Anglia në këtë Europian, edhe pse me një Danimarkë të eliminuar prej tyre padrejtësisht, edhe pse për herë të tretë me një arbitër hollandez, edhe pse pothuajse të gjitha ndeshjet e luajtura në shtëpi të vet, edhe pse me mbi 60 mijë shikues vendas, edhe pse mbushur media britanike me sharje e ofendime, me tallje e nënvleftësime ndaj teje etj. etj. ti sërish ia dole Itali. I munde me meritë. I le të shokuar e të tronditur dhe ngrite trofeun e 16-të të kontinentit, pikërisht aty ku anglezët ëndërronin ta bënin një gjë të tillë pas plot 55 vjetësh, por mesa duket i kishin bërë llogaritë gabim.

Shënuan shpejt britanikët që në të dytën minutë me anë të Shoë, por më pas, e deri në të 120-ën minutë, në fushë më së shumti u dëgjua Pavarotti se sa Beatles dhe ku goli i barazimit të Bonucci-t, ishte këmbana e alarmit se një fund aspak i lumtur i priste anglezët, në fund të dramës së quajtur Finale.

Trajneri anglez Gareth Southgate

Luajti shumë herë me mirë se sa Anglia, sidomos në pjesën e dytë, kjo Itali e mrekullueshme e Mancini-t, Vialli-t, Evani-t dhe Oriali-t dhe mund e duhej ta kishte fituar ndeshjen madje brenda 90 minutave të lojës së rregullt. E tash 34 ndeshje rresht pa u mundur prej kërkujt, 5 fitore e 2 barazime në këtë Europian, 13-4 golaverazhi në 7 ndeshjet e luajtura, tre ndeshje me kohë shtesë e dy të tilla me penallti, si askush tjetër. Ndaj Bravissimo Ragazzi, e keni merituar këtë trofé më shumë se të gjithë!

Nuk mund ta humbte Italia një finale të tretë europiane, si në 2000 me Francën 2-1 me Golden Gol, e në 2012 me Spanjën 0-4. Ndaj e treta e vërteta dhe kështu rezultoi saktësisht!

Anglia kërkonte trofeun e parë, por i kishte bëre me sa duket llogaritë vetëm me veten e vet dhe me UEFA-n, e jo me Italinë e Mancini-t, të Donnarumma-s, Bonucci-t, Chiellini-t, Jorginho-s, Chiesa-s, Insigne-s, Belotti-t, Bernardeschi-t, Immobile-s, Verratti-t etj.

Dhe rezultoi se Italia nuk ishte vetëm e Pizza-ve, Spagheti-t, Gelato-s dhe e Vino-s, siç tallej e ironizonte shtypi anglez prej ditësh, as e një lloj himni që nuk duhej fërshëllyer, pasi ia vlente të dëgjohej për nga mënyra se si e këndojnë atë lojtarët e saj, jo siç tallej Lineker-i i famshëm, por ja qe ishte ajo që mund t’i mundte shpikësit e futbollit, brenda në shtëpi të tyre e t’ua ngrinte trofeun e ëndërruar bash para syve e fytyrave të tyre tashmë të dëshpëruara e lotuese.

Gianluigi Donnarumma

Më pas i ka ardhur radha edhe Gigi Donnarumma-s të tregojë se cili është e sa vlen, sikurse bëri të njëjtën gjë edhe në gjysmëfinalen ndaj Spanjës, në dramën e quajtur Penallti.

Nga pika e bardhë kanë gabuar Belotti e Jorginho, por jo Berardi, Bonucci e Bernardeschi. Ndërkohë që për anglezët dështojnë radhazi Rashford, Sancho e Saka. E përfundimisht 3-2 me penallti për Italinë, që për herë të dytë është Kampione e Europës.

Dhe Europiani vazhdon e pasuron historinë e tij, teksa kujton që në 2004 Greqia e fiton trofeun brenda në Lisbonë, në 2016 Portugalia është fituese në Paris e në 2021, Italia triumfon në Londër. Më bukur s'bëhet më!

Kishte 15 vjet Italia pa një trofé të madh. Si shumë ishte për një vend ku futbolli është Fé, njësoj edhe si në Brazil e Angli, por më një përjashtim ''të vogël'', që italianët janë edhe më mjeshtra se brazilianët e anglezët, kur vjen puna për ta fituar një finale, e jo thjesht për ta luajtur atë se duhet luajtur...

©Adriatik R. Dosti/Flasshqip.ca