Sport

Italia na dha një leksion futbolli - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Goli i shpejtë i Bajramit na çoi në qiellin e shtatë dhe sytë e mijëra shqiptarëve në stadium, e qindra mijërave të tjerë të ngrirë para ekraneve, po preknin ëndrrën europiane. Por dy golat e shpejtë të Bastonit dhe Barella-s, na zgjuan nga ëndrra europiane e një mbrëmje vere, për të parë realitetin e servirur si një picë e ftohtë nga mjeshtrat italianë.

Duke qënë një simpatizant i futbollit italian, që i kam ndjekur ndeshjet e kësaj kombëtareje që nga Kampionati Botëror i 1978-s, më bëri shumë përshtypje presingu dhe loja sulmuese që ata bënë pas shënimit të golit të Bajramit. Përgjithësisht kombëtarja italiane është shquar për futbollin mbrojtës që specialistët e krahasonin me një mur betonarmeje, ndërsa ndaj nesh ata luajtën njësoj si kombëtarja e Spanjës.

Qarkullimi i shpejtë i topit, dominimi dhe saktësia e pasimeve, presingu i ushtruar dhe agresiviteti, ishin faktorët që bënë diferencën. Lojtarët tanë ishin të rreshtuar keq taktikisht dhe u lanë liri veprimi duke u grumbulluar në vijën e 16 metërshit. Gabimet foshnjarake të mbrojtësve sollën ata dy gola të shpejtë dhe falë ndërhyrjeve të sakta të Strakoshës, si edhe fatit nuk pësuam gola të tjerë. Dikush veprimin e Hysajt që uli kokën pas gjuajtjes së topit, e krahasoi me heroin Mic Sokoli që i vuri gjoksin topit, ndërsa mbrojtësi Hysaj u “tremb” edhe nga topi i futbollit duke ulur kokën.

Ajo që na ngushëllon në këtë humbje është fakti që na mundën kampionët në fuqi të Europës dhe katër herë kampionët e botës. Ekipi italian i udhëhequr nga Paolo Rossi në 1982-n, i dha një leksion futbolli ekipit Brazilian më të mirë të të gjitha kohërave me Zikon, Falkaon e Eder, me mbrojtjen solide dhe kundërsulmin vrasës. Besoj se trainieri Silvinjo do të bëjë ndryshimet e duhura në ndeshjet pasardhëse duke filluar nga reparti mbrojtës.

Le të shpresojmë për rezultate pozitive. Nga ndeshja e parë fituam dy gjëra të rëndësishme: Tifozerinë e mrekullueshme dhe golin pas 23’ sekondave të Bajramit në librin e rekordeve, rekord që do të duhet ndoshta 50 vjet për ta thyer.

© Ilir Gjini