Blog

Leksionet e para - Nga Dr. Shefqet Deliallisi

Nga: Dr. Shefqet Deliallisi

Lidhjet me mjeksinë i kam shumë të hershme. Duke qenë mjek, por duke pasur edhe babain mjek, gjatë gjthë kohës, jeta ime ka qenë e lidhur me mjekësinë.

Isha fare i vogël kur me kureshtje shihja mjetet e punës të mjekut. Nuk di për ç’arsye fjalën stetoskop, babai na e kish përkthyer shqip : "ndigjues." E merrja në dorë, ndigjuesin e vija në veshë, i fryja, e vendosja mbi kraharor, dëgjoja trokitjet e zemrës...

Ishin vitet 60 -të. Në atë kohë, lejoheshin vizitat mjekësore private. Në shtëpinë tonë ishte një dhomë e veçantë ku babai i kryente ato çdo ditë, në një orar të caktuar. Në kujtesë më është ngulitur vargu i njerëzve që prisnin në një koridor të gjatë e nëpër shkallë, ardhjen e babai nga spitali. Në një çast gjithçka vihej në lëvizje: "erdhi doktori." Zhurmë. Më pas qetësi. Fillonin vizitat.

Detyrimisht, dikush do të ndihmonte si shkrues. Isha vetëm 7-8 vjeç kur erdhi rradha ime. Më parë këtë "detyrë" e kryente vëllai im më i madh. Por duket se dhe babai më preferonte, ndoshta isha përzgjedhja e tij për të trashëguar profesionin e mjekut. 
Ulur pranë babait, në një karrige prej nga ku këmbët nuk preknin tokën, përpara një regjistri të madh, me kapakë të trashë, me penë e bojë shkruaja të dhënat për çdo pacient.
Në fakt ishte diçka që më argëtonte. E bëja me kënaqsi.
Me vëmendje, përpija gjithçka. Tipat, veshjet, pyetjet, përgjigjet, këshillat, emra, mbiemra, emra të çuditshëm fshatrash, emra edhe më të çuditshëm organesh, sëmundjesh, ilaçesh.... Shkruaja me kujdes. Problem më i vështirë ishte shkrimi i diagnozave. Babai m'i gërmëzonte ngadalë. Më pas i kontrollonte. Jo rrallë m'i korigjonte. Kushedi sa i çuditshëm do të dukej sot, pas kaq vitesh, shkrimi im fëminor, me penë e bojë, në ato regjistra mjekësorë, të zverdhur nga koha.

Shpejt u familjarizova me emrat e fshatrave, të cilat mu ngulitën aq thellë, sa edhe sot banorët e tyre habiten kur i kujtoj me saktësi, edhe emra që sot përdoren rrallë, madje disa të harruar fare. Fantazia ime përpiqej të lidhte emrat me vende që unë kurrë s’i kisha parë. Fantazia me bëhej më agresive me termat mjekësore: abdomen, toraks, tonsilit, enterit, sinusit, hepatit…ulkus...lupus....
I përfytyroja si kafshë të çuditshme që i kafshonin nga brenda njerëzit e sëmurë...
Ndonjëherë urdhërohesha të largohesha përkohësisht nga "detyra," madje dhe nga dhoma e mjekut. Ndodhte kur dikush nga pacientët kishte ndonjë problem në vend të papërshtatshëm, në vend të "lig" siç thoshin ata, që ishte e pamundur të egzaminohej në praninë time...
Në këto raste kurioziteti im fëminor arrinte kulmin...Tundimi për t'ju drejtuar vrimës së çelsit ishte i papërmbajtshëm...
Kështu "puna" ime vazhdonte...çdo ditë...
Njerëzit më shihnin, jo pa habi. Më buzëqeshnin. Më përkëdhelnin. Dikush me një seriozitet të shtirur më “shpërblente”: “Merre doktor i vogël. Bli një akullore. U lodhe.”

Këto ishin “leksionet” e para të mjekësisë që unë vazhdoj t'i kujtoj me nostalgji...