Bëje ose vdis-Ukshin Hoti
Shkruan Helena Halilaj sot në 75-vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit, profesorit, atdhetarit dhe intelektualit të shquar të çështjes së Kosovës, i cili në Maj të vitit 1999 pas lirimit të tij nga burgu i Dubravës dhe pas daljes se tij nga qelia e burgut zhduket nga polica serbe pa lenë gjurmë dhe nga ajo datë nuk dihet asgjë për të. Njerëzit qe e kanë parë të gjallë kanë qenë vetëm shokët e burgut dhe të burgosurit e tjerë të cilët treguan se Ukshini ishte liruar nga burgu ditën e diel një ditë jo e zakonshme per lirimin e te burgosurve.
“Ka përvjetore që rrjedhin njësoj në eshtrat e Kosovës, të djemve të saj. Ka djem që kurrë nuk vdesin në shtatin e lënduar të Kosovës, shkruajnë dhe në mungesë lavdinë. Ka djem që nuk ikin kurrë po vetëm dinë të kthehen në sy të atdheut që pret. Ukshin Hoti, biri që frymëzoi rininë, lirinë dhe dijen. Në ballë të tij e shkroi vrullshëm etjen për mëvetësi. Pafund janë ushqyer brezat me forcën e tij të mendimit dhe përtej oqeanit dhe sot dritë e tij shkon larg gjetkë në horizonte blu. Ndër vepra të tij filozofia e jetës dhe vlerës jeton dhe sot po aq fuqishëm si atëherë. Ai nuk mungoi kurrë në atdhe, përvjetoret janë numra kalendarikë në dëshmi shpirti të atyre që jetuan me të. Sot në përvjetor të tij janë shkundur krejt lulet e mallit në shportë të pritjes, brengës dhe vonesës...ai nuk mungoi kurrë në mendje, zemra dhe dejet e atdheut, ai vetëm po vonon të mbërrijë në tokën që e lartësoi flladi i lirisë që prunë trimat si Ai”.
Poezi nga Ukshin Hoti
Ukshin m’kanë quejt prej të vogli, prej të gjallmi,
nana idiomën e pyllit mbi supe ma ngjiti.
Ende nuk ka ndodhë, por kur në varr të visit t’m’kallni,
malësorit rranjën e emrit do ia hiqni.
N’trevat tona kur foshnje kam mbërritë,
si çdo foshnje e kësaj bote një destin për me falë,
m’sundoi shpresa se n’origjinë tamli ish dritë,
m’poshti e vërteta se frika pleqve të mi ende s’u ka dalë.
As n’andrrat e mia, mbushë me zanin e saj të plaktë,
s’ia paska hekë nanës frikën emri që m’ka ngjitë.
Edhe nëse i pjekur vij mes jush, tradhtinë për me matë,
do bahem bishë po t’ndij se m’thërrisni Ukshin.
Nëpër troje ku punën kam hedhë,
emra trimash mbush pagëzimi,
por nuk u mbërrit jeta dhe emri nuk ngjiz dejet.
Emrin e trimit e mban dhe amfibi.
Kemi pas kenë për emra ngatërrestarë të mëdhaj,
dhe unë foshnjë e naiv u paskam zanë besë,
kam besu shku e ardhë, kam besu bir e nanë.
Kur m’thërrisnin Ukshin e merrja për betejë.
Me mu bashkë lindën prej gënjeshtre poetët,
u nxinë që drita t’kthehej në të folmen tuej.
Lindën po me mu prej mashtrimit dëshmorët
që shqipja të mos flitej nga gjuhë e huej.
Se shumësia juej në trishtim të shkurtër
ka pjellë përbri meje krimin e vogël, tradhëtinë e madhe.
E dinit që mes emrash do të zhduknit të flaktët, të urtët,
ata që shquenin tmerrin ndër kang e ndër valle.
Nëse vendimi s’e cakton një SOT për m’u ngritë balte,
në bajgë ku jeni zhytë nuk mund të derdhet qielli.
N’bajgë ku jeni zhytë, ku emri ju kallte,
Ukshin do të jetë për ju një fjalë vreri.
https://www.youtube.com/watch?v=Ml5wa06lb0k





















