Jo projekteve me frymë neokolonialiste!
Çapajev Gjokutaj
Opozita thotë se qeveria ka renë dakort të presë në Shqipëri 600 mijë refugjatë. Ky është haraçi që do paguajmë për çeljen e negociatave, shton.
Qeveria thotë se as nuk i ka kërkuar kush të strehojë refugjatë, as i ka premtuar kujt. Eshtë shpifja e radhës, shton.
Informacioni është opak dhe kundrathenës. Kjo nuk pengon që, në rrjete sociale të nisin debatet me pro e kundra.
Ata që janë kundra kanë argumenta të rrafshit socialekonomik. Thonë se Shqipëria ka hallet e veta, jo të pakta. Dhe 600 mijë refugjatë në kampe do bëheshin burim hallesh plus, do prishnin gjithë ekuilibrat ekonomikë, demografikë, fetarë etj.
Ata që janë pro kanë argumenta të rrafshit moral. Bota ka pritur e pret emigrantët tanë, thonë, na bie edhe ne të presim. Kështu vazhdojmë dhe traditën e strehimit të hebrejve gjatë luftës, të ushtarëve italianë pas kapitullimit, të kosovarëve më 1998.
Unë jam i lëkundur, por anoj më shumë nga moralistët. Vetëm se Shqipëria mund të presë refugjatë që janë nisur të ndërtojnë jetën këtu. Ata që janë nisur për në vendet e BE-së, duhet të venë atje. Duke u prerë rrugën nuk i ndihmojmë, përkundrazi u zgjasim kalvarin e halleve.
Ndërtimi i kampeve në vende si Shqipëria, që s’janë as vende kufitare me zonat e luftës, as vende ku refugjatët synojnë të shkojnë, më ngjan një projekt me frymë neokolonialiste: zotrinjtë e BE-së të mos shqetësohen, harxhet t’i paguajnë fukarenjtë ekstrakomunitarë, sirianë a shqiptarë qofshin.
Të marrësh pjesë në zbatimin e një projekti me frymë neokolonialiste, vështirë se është e moralshme apo humane.





















