Tirana dhe citadela
- Nga: Ardian Vehbiu
Që shumë nga sfilitjet e sotme të Tiranës e kanë burimin te konflikti mes qytetit dhe kryeqytetit, këtë e kam thënë e shkruar aq herë, sa disa mund t’i kem mërzitur. Tirana qytet çon jetën e vet – ose të paktën mundohet ta çojë – si komunitet dinamik, që e organizon dhe ri-organizon gjithçka, nga alfa tek omega, brenda “mureve” të veta rrethuese; kryeqyteti, përkundrazi, vepron si një super-parazit mekanik–burokratik, pa shpirt, i orientuar drejt përfaqësimit jo përkatësisë, që sot ka marrë trajtat e një shenjuesi elitar, post-modern, të ndarë me thikë nga i shenjuari ose pavetëdija totalitare. Objekte a institucione mirëfilli qytetare, si sheshi (duhet ndoshta të them Sheshi), stadiumi, teatri, pallati i Sportit, biblioteka, kopshti zoologjik, kinemaja, fusha e lojërave, libraria, parku, por edhe të tjera më modeste, si pema, trotuari, stoli, statuja publike, shatërvani, kanë hyrë në krizë për shkak të brutalitetit me të cilin u është qasur pushteti, për t’i rekrutuar e përdorur si shenjues të diçkaje politike, manipuluese, tru-shpëlarëse. Banorët e Tiranës qytet, të vjetër a të rinj qofshin, e ndiejnë dhe e vuajnë këtë torturë që po i bëhet hapësirës së tyre, prandaj reagojnë ashtu siç munden. Idealisht, interpretuese e këtyre reagimeve dhe përpjekjeve për ta ruajtur qytetin përballë rrezikut jetik që i vjen nga kryeqyteti duhej të ishte Bashkia, me kryetarin në ballë. Mirëpo kjo nuk ndodh, sa kohë që kryetari, qartazi i identifikuar me partinë në pushtet, përçon në qytet politikat e kryeqytetit Laputa dhe me gjasë synon që ta përdorë eksperiencën e tanishme (edhe) si trampolinë drejt postesh të tjera më të larta; ose si katapultë nga qyteti poshtë te “citadela” lart, atje ku marrin mundimin të jetojnë gjak-kaltrit e momentit. A mund të shmanget kjo? Mbase mund të kalohej një ligj që t’i përjashtonte kryetarët e bashkive të qyteteve të mëdha dhe veçanërisht të Tiranës nga mundësia për të marrë në të ardhmen poste në pushtetin qendror: do të kisha më shumë besim te një Erion Veliaj që ta mbyllte karrierën e vet politike si kryebashkiak i Tiranës, sesa te një Erion Veliaj që të ndiqte shembullin e Ramës ose të Bashës; për të cilët të dy mund të thuhet me siguri se e shfrytëzuan pozitën e tyre në krye të pushtetit lokal për t’iu afruar “Olimpit.” Kjo nuk do ta shpëtonte krejt Tiranën qytet nga hija e Tiranës (Laputës) kryeqytet, por të paktën do t’u jepte qytetarëve pak shpresë më tepër, se do të mund ta shijonin qytetin e tyre pa u merakosur shumë për ambiciet e “citadelës.” Përndryshe, një zgjidhje tjetër, sadoqë krejt fantastike, do të ishte referendumi për ta dëbuar kryeqytetin nga Tirana – dhe për ta degdisur, bie fjala, në Burrel ose në Përrenjas. Ndoshta elitat tona politike ende nuk janë aq qytetarisht të pjekura, sa të meritojnë të thithin të njëjtin ajër (sado të ndotur) me qytetarët e Tiranës; aq më tepër që një pjesë e gjak-kaltërve janë zhvendosur tashmë drejt periferive, komuniteteve të gardhuara, fshatrave dhe kodrave rezidenciale, të bindur se në Tiranën “e tyre” tashmë nuk jetohet dot më – pa çka se e modeluan vetë. Ndoshta. Edhe vetë banorët e qytetit të thonë se kështu nuk – meqë nuk po arrijnë as të ndajnë të njëjtin peizazh urban me fëmijët e tyre; se Tirana është shumëzuar në po aq mbivendosje sa ç’janë edhe brezat; se nuk ka më një Tiranë, por disa të tilla, të gjitha të gjymtuara, si mbishkrime të cunguara, që nuk deshifrohen dot më. Bulevardi i madh, për mua, është sot po aq i pakuptueshëm sa ç’mund të jetë për një adoleshent; por pakuptimi im nuk i ngjan pakuptimit të këtij; dhe as pakuptimit që përjetojmë të dy, kur duam t’i flasim njëri-tjetrit si qytetarë. Kur më qëllon ndonjëherë të marr një taksi, për të shkuar diku, dialogu im me taksistin për t’i treguar drejtimet do të meritonte citim te një komedi absurde; teksa hidhemi të dy nga një ish- te një ish- tjetër, duke u përpjekur të gjejmë diçka të përbashkët në të kaluarat tona të ndryshme, sa kohë që të tashmet i kemi të kithëta. Iluzioni i horizontit gjeografik të njëjtë nuk e mbulon dot më shkërmoqjen; dhe është pikërisht kjo Tiranë, që po shpërbëhet si ajsbergu kur u afrohet ujërave tropikale, që u dhimbset tiranasve. Prandaj edhe çdo aksident, çdo incident, çdo katastrofë, që nga shembja e një muri te shembja e një stadiumi, që nga zhdukja e kinemave si të ishin specie të rralla të Amazonës, te kërcënimi që i bëhet tani selisë së Teatrit Kombëtar, te zjarri dhe uji në Bibliotekën Kombëtare, që nga ngushtimi progresiv i trotuarëve te pluhurosja e përgjithshme e pemëve dhe sulmi kimik i gazrave e partikulateve e polenit veçanërisht toksik dhe agresioni vizual i fasadave psikadelike të pallateve, gjithçka interpretohet tani si omen biblik, si paralajmërim i fundit – jo të botës por të Tiranës qytet, si ndëshkim hyjnor për mëkatet e politikës (lexo: të kryeqytetit). Sepse Tirana qytet, në të vërtetë, kërkon të konsolidojë dhe të ri-organizojë të shkuarën e vet duke ia qetësuar dhe mjekuar shenjat dhe shkronjat, ndërsa kryeqyteti, në mënyrë politike tipike, sheh vetëm nga e ardhmja, pa çka se manifestohet, në praktikë, si ndonjë lloj ekskreshence a tumori griffato. Dhe nëse dje pushteti totalitar e kish sendërgjuar “citadelën” si një lloj komande garnizoni me sekrete, roje dhe protokolle të rrepta, ky i sotmi po i jep, së njëjtës “citadelë”, natyrë quasi koloniale, ngaqë haptazi hiqet sikur e merr legjitimitetin e vet “nga jashtë”; çfarë i jep së ardhmes edhe një ankorim, si të thuash kartografik (“e ardhmja jonë Europa”). Kjo kushedi do të shpjegonte edhe pse e shkuara e Tiranës qytet, deri edhe në elementet e veta më triviale, e ndjellur me nostalgjinë më kitsch dhe e filtruar përmes qelqeve më rozë të mundshme, ka përfunduar tani e përdorur kaq gjerësisht dhe kaq marrëzisht si drogë./peizazhe.com





















