Po, kam pasur dikur një Atdhe...!
- Nga: Kliton Nesturi
Shumë kohë më parë, në motin e largët 1992, në një prej emisioneve të Radio Tiranës hyn në linjë telefonike një djalë, i cili që prej disa kohësh jetonte dhe punonte si emigrant në Greqi. Pyetjes së drejtuesit të emisionit se, “kur mendonte që të kthehej në Shqipëri”, bashkëbiseduesi nga Greqia iu përgjigj me një zë të plotë dhe të mbushur me duf: “Kurrë më! Do të iki larg, sa më larg. Qoftë edhe në Afrikën e Jugut, mjaft të mos kthehem më në Shqipëri!”. Pas kësaj përgjigjeje pasoi një heshtje e shkurtër, e më pas biseda u ndërpre me urimin e “Natës së mirë!” dhe “Fatit të mbarë!”. Ajo bisedë telefonike, e mbi të gjitha zëri i atij djali, i cili, sipas prezantimit që bëri, në atë kohë nuk ishte më shumë se njëzetë vjeç, më ka mbetur në mendje. Vazhdimisht e kujtoj atë zë dhe jam i bindur se nuk do ta harroj asnjëherë. Asnjëherë i bindur deri në fund, zëri i tij, sa herë që e kujtoj, shpesh më ngjan me zërin e një shokut tim të fëmijërisë, i cili ashtu si edhe mjaft shqiptarë të tjerë ka marrë prej kohësh mbi vete fatin e emigrantit. Dyshimin tim, nëse ai ka qenë zëri i tij apo jo, (veç moshës së tij ai nuk dha asnjë identitet tjetër) e vërteton fakti se sa herë kam pyetur për shokun tim të fëmijërisë të njohurit tanë të vjetër, thuajse të gjithë janë përgjigjur shkurt dhe në të njëjtën mënyrë: “Ai ka ikur nga të parët dhe nuk di të jetë kthyer ndonjëherë në Shqipëri!”.
Atë kohë kur ndodhi kjo bisedë në Radio Tirana, ishte fillimi i vitit 1992, kur në Shqipëri sytë ishin mbërthyer mbi ndryshimet politike dhe dilemat për të ardhmen e vendit dhe të njerëzve, të cilët siç ndodh rëndom në periudha kaotike ishin ndarë në dy pjesë, njëra që zinte radhë në studiot e ndryshme për të bërë fotografitë e pasaportave, me të cilat fillimisht do të drejtoheshin e dergjeshin dyerve të ambasadave të huaja, dhe pjesa tjetër e atyre që jetonin me shpresë se gjithçka në Shqipëri do të bëhej më mirë. Ishte koha kur pranë zhgënjimit qëndronte edhe shpresa.
Tashmë, pesëmbëdhjetë vjet më pas, nëpër rrugët e Tiranës sheh se njerëzit vazhdojnë që t’i drejtohen sërish dyerve të ambasadave të huaja për të marrë një vizë, shumica në pritje për të filluar një jetë të re larg Shqipërisë. Mjafton të dëgjosh shkarazi bisedat e tyre, por edhe të mjaft të tjerëve nëpër rrugët dhe baret e shumta. Zhgënjimi ka zënë rrënjë tashmë në mendjet dhe shpirtrat e shqiptarëve. Dhe ai nuk është një zhgënjim dosido, i cili mund të kalohet me një fjalë të mirë, me një kafe apo me një rrahje shpatullash plot dashuri. Tashmë, zhgënjimi tek shqiptarët, si tek asnjë popull tjetër në Evropën e civilizuar, është shndërruar në një plagë, unike në llojin e saj.
Zhgënjimin shqiptar, nëse do ta quajmë kështu, do ta ndaja kryesisht në dy pjesë kryesore; zhgënjimi nga klasa politike dhe zhgënjimi nga shoqëria civile.
Shqiptarët kanë përjetuar zhgënjimin nga klasa politike që në vitet e para të ndërrimit të sistemit. Të gjithë i mbajnë mend premtimet e bëra në atë kohë, por mos mbajtja e tyre nuk është asgjë para krizave të ndryshme politike të cilat kanë gjunjëzuar shtetin, institucionet, zhvillimin e vendit, besimin. Dhe më shumë se gjithçka, këto kriza, për fatin tonë të keq jo aq të rralla, kanë krijuar një klimë acaruese, e njëkohësisht kanë sjellë edhe humbje kohe, të shoqëruar me mjaft pasoja në jetën e shqiptarëve, luftë nervash, bllokime kapitalesh, falimentime, etj. Pasojë e tyre është edhe fakti që shqiptarët vazhdojnë që ta shohin ende të largët integrimin real në familjen evropiane. Loja e herë pas hershme me datat e hamendësuara për këtë ngjarje kaq të dëshirueshme për të gjithë, është së pari zhgënjimi ndaj klasës politike, e cila luan me fatin e shqiptarëve si me një top futbolli. Veç të tjerash, nuk ka se si shpjegohet ndryshe pjesëmarrja gjithnjë e më e vogël e votuesve në zgjedhje e po kështu pjesëmarrja e ulët e figurave të reja, kryesisht të shkolluar jashtë vendit, në jetën politike të vendit, të cilët janë edhe bartës të frymës ndryshe, larg asaj të acarimit dhe tensionit që dominon sot.
Por zhgënjimi tjetër më i madh i shqiptarëve është ai ndaj intelektualëve, apo siç rëndom quhet edhe si “shoqëria civile”. Gjatë këtyre viteve me përjashtim të një numri të vogël prej tyre, të cilët kanë bërë përpjekje të veçuara duke qenë më tepër si “një zë në shkretëtirë”, shqiptarët nuk kanë parë ndonjë numër të madh zërash që të ketë bërë oponencë ndaj qëndrimeve të politikës në lidhej me çështje të caktuara. Aq më pak, ata nuk kanë parë tek shoqëria civile ndonjë promotor që t’i udhëheqë ata në protesta ndaj defekteve me të cilat është e mbushur jeta jonë, që nga problemi i mos furnizimit me ujë, me energji elektrike, me mos rregullimin e infrastrukturës në qytete, e deri tek politikat e ndryshme që lidhen me punësimin, etj. Edhe ato pak lëvizje që kanë ndodhur në Shqipëri vitet e fundit kanë më tepër karakter të majtë dhe tepër lokal. Sado që të gërmojmë në kujtesë, nuk do të gjejmë kurrë që shqiptarët të kenë organizuar një protestë apo lëvizje masive, në mbrojtje të së drejtës për një jetë më të mirë duke mos lejuar kështu diskriminimin që i vjen herë pas here nga ndonjë institucion shtetëror apo një tjetër me karakter publik. Edhe lëvizja sindikaliste në Shqipëri, pesëmbëdhjetë vitet e fundit figuron më shumë në letër se sa në realitet.
Si qytetar i këtij vendi ndihesh keq kur dëgjon të thuhet shpesh nga njerëzit se “edhe shoqëria civile në Shqipëri ka hyrë nën ombrellën e politikës”. Ky është një zhgënjim që tregon se besimi pak nga pak ka humbur edhe tek ata që herët janë quajtur si “promotori i shoqërisë”, e se për njerëzit tashmë është i rëndësishëm vetëm ruajtja e identitetit të tyre personal, se sa për fatet e vendit...
Numri i të zhgënjyerve rritet gjithnjë e më shumë. A është dikush që të dëshmojë të kundërtën? Asnjëherë ekonomia nuk ka qenë më zgrip se sa sot, dhe asnjëherë më shumë se sa sot leku nuk ka qenë kaq shumë fort i mbledhur e i kursyer. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe që numri më i madh i depozitave të qytetarëve shqiptarë është në valutë të huaj, ashtu siç nuk ka se si shpjegohet ndryshe që radhët e shqiptarëve në ambasadat e huaja sa vijnë e zgjaten. E, natyrisht, jo për turizëm. A është dikush që të dëshmojë të kundërtën? Numri i atyre shtetasve që lenë shtetësinë shqiptare është më i madh se i atyre që e kërkojnë ta marrin dhe shumë herë më i madh se i atyre që kërkojnë ta rimarrin. Mjafton që t’i hedhësh një sy numrave të nxjerrë nga Presidenca në vite dhe bindesh për këtë. Dhe e quan gabim të citosh numrin më të fundit, pasi në kohën që ti po flet dhe bisedon për këtë, Presidenti mund të dekretojë lënien e shtetësisë nga të tjerë shqiptarë.
Dhe këto zhgënjime të mëdha mbajnë brenda tyre edhe mjaft zhgënjime të vogla, me të cilat është e mbushur jeta jonë, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje vonë. Dhe të gjitha këto zhgënjime pushtojnë jetën tonë, ëndrrat dhe gjumin tonë duke u kthyer në një makth të madh. E nëse do të vazhdojë kështu, edhe unë që po shkruaj këto radhë, apo edhe ti që po i lexon ato, fatkeqësisht do të ikim një ditë nga Shqipëria dhe do të fillojmë jetën diku në një cep tjetër të globit, ku mes psherëtimave të shumta do të pohojmë me keqardhje atë që gjatë këtyre viteve mund ta kenë thënë edhe të tjerët, ndoshta edhe ai djali për të cilin u fol në fillim të këtyre radhëve: “Po. Kam pasur dikur një Atdhe!...”





















