Historiani kameleon dhe të (pa)vërtetat e tij
- Nga: Gavrosh Levonja
Me ndryshimet që ndodhën pas vitit 1990, filluan të bëheshin publike fakte e dokumenta të cilët deri atëhere, për arsye që kuptohen, mbaheshin të mbuluara nga sekreti. Shpesh, publikimi i tyre shoqërohej dhe me intervista e kujtime të protagonistëve të ngjarjeve të lidhura me to apo dhe atyre që pretendonin se kishin qenë të tillë. E keqja tjetër ishte dhe gëlimi i “historianëve” partiakë, disa prej të cilëve duke qenë të privilegjuar përsa i përket aksesit nëpër arkiva të institucioneve shtetërore krijuan bindjen sikur ishin padronë absolutë të së vërtetës. Mirëpo si pasojë e zbatimit të trashëguar të parimit “politika në plan të parë’ nuk kishin si të mungonin deformimet, interpretimet e njëanshme, sidomos kur ishte puna për të vlerësuar individë të lidhur me ndonjë prej krahëve të politikës shqiptare. Kjo u bë më e theksuar edhe si pasojë e absurditetit të moshapjes së dosjeve, jo vetëm të sigurimit por edhe të PPSH e strukturave të tjera të shtetit komunist. Vitet e fundit u bë publik një dokument i Presidiumit të Kuvendit Popullor të kohës së komunizmit që lidhej me dënimin me vdekje të poetit Havzi Nelaj. Në të vërtetë, shkak për botimin e tij ishte prania e firmës së Kristaq Ramës në të, gjë që do të shërbente për të goditur Edi Ramën. Duke diskutuar me një mikun tim, mbroja idenë se tendenca për të akuzuar skulptorin e njohur të kohës së komunizmit, deputetin e anëtarin e presidiumit të kuvendit për firmën e hedhur në atë vendim ishte e gabuar. Së pari, asnjë individ normal, në asnjë rrethanë nuk do të ndërmerrte një akt çmendurie duke refuzuar të hidhte firmë në vendimin e përpiluar ndoshta dhe shkruar në zyrat e udhëheqjes së PPSH. Kristaqi apo kushdo tjetër duke refuzuar të firmoste, nuk do të bënte tjetër veçse do t’i shkonte pas poetit martir, nën ndonjë trekëmbësh apo përballë ndonjë skuadre pushkatimi, i akuzuar për të njëjtin “krim” si vetë poeti apo të paktën për përkrahje të “armikut’ ose “zbutje të luftës së klasave”. Së dyti, edhe një refuzim i Kristaq Ramës për të hedhur firmën në dokumentin që i refuzonte faljen e jetës së të dënuarit nuk do ta shpëtonte atë nga vdekja në një kohë kur tetë a nëntë anëtarët e tjerë të presidiumit do të kishin firmosur me kohë. Për më tepër kur dihej se kuvendi dhe presidiumi i tij ishin një institucion formal dhe se ajo që të dënonte ishte partia. Ishte një kohë kur lufta e klasave zhvillohej dhe brenda familjeve, ku prindi dënonte fëmijën e tij apo anasjelltas. Por miku im me të cilin diskutonim më vuri me “shpatulla pas murit’ duke më sjellë në kujtesë Manol Konomin, i cili në 1951-shin e largët duke qenë ministër i drejtësisë dhe anëtar i KQ të PPSH, në rastin e bombës në ambasadën sovjetike, jo vetëm kishte refuzuar të firmoste një dekret, i cili përligjte pushkatimin e intelektualëve të pafajshëm, por do të jepte dhe dorëheqjen nga posti i ministrit. Kjo më shtyu të analizoj rrethanat që kishin çuar së pari tek guximi i zotit Konomi për të mos zbatuar urdhërin e udhëheqjes dhe së dyti tek ajo që partia u mjaftua me një kritikë dhe përjashtim pa shkuar tek formula e “vazhdimit të veprimtarisë armiqësore” që përfundonte me shkuarjen tek organet e drejtësisë. Përsa i përket të parës, Manol Konomi, ishte jurist para se të ishte ministër dhe vinte drejtësinë mbi politikën, sa për të dytën mund të them se ndoshta Enverit i interesonte të mos eliminonte ata që guxonin të sfidonin Mehmet Shehun, në mënyrë që në rast nevoje t’i përdorte kundër këtij të fundit ashtu siç bëri me vetë Mehmetin e të tjerë kundër Koçi Xoxes. Në fakt, në atë periudhë, përveç Manol Konomit dhe Teodor Hebës, të cilët u akuzuan se “kapitulluan” para presionit të “reaksionarëve të brendshëm’, kishte dhe emra të tjerë si, Shyqyri Këllezi, Nexhip Viçani etj. të cilët ndonëse do të shkarkoheshin nga funksionet e rëndësishme në parti e qeveri e do të përjashtoheshin nuk do të përballeshin me ndëshkime penale duke u burgosur apo internuar, pa pasoja për familjet e tyre. Mirëpo, për fat të keq, edhe aktin e pashembullt të Manol Konomit, një “historian” produkt partiak, nuk do të mungonte ta denigronte duke filluar me vetë figurën e juristit Konomi. Sipas këtij historiani del se Manol Konomi kur i paraqitën dekretin që refuzoi ta firmoste, paska thënë se “…ne kemi vrarë sa kemi dashur….” dhe se “unë jam gati të firmos për të pushkatuar jo 20 po edhe më shumë…” Mirëpo “historiani’ nuk e ka menduar se të deklaroje që “kemi vrarë sa kemi dashur…” ishte një akuzë direkte kundër PPSH-së si parti e krimit si një parti banditësh, kështu që ishte shumë herë më e rrezikshme, më e dënueshme nga ana e saj se vetë refuzimi i firmosjes së dekretit apo dorëheqjes, Kjo do të thoshte gijotinë, pra një vetëvrasje për ministrin e drejtësisë. Prandaj një burrë i mençur si Manol Konomi nuk mund të jetë shprehur kurrë në atë mënyrë. Jam kurioz të di nëse vetë zotit Uran Butka, i kujtohet vallë ndonjë rast qe të ketë refuzuar jo ndonjë shef seksioni të arsimit apo ndonjë inspektor të thjeshtë po qoftë dhe drejtorin e ndonjërës nga shkollat ku ka punuar. Fakti që gjatë kohës së diktaturës kishte mohuar dhe mbiemrin Butka duke përdorur atë Aliçka në vend të tij, më shtyn të mendoj se nuk mund të ketë pasur guximin e mjaftueshëm për të bërë diçka të tillë.





















