Blog

Sindroma shqiptare e Stokholmit

Nga: Shaban Murati

Nuk dihet ç'po ndodh me shtetin dhe me popullin shqiptar, kur sheh se përfaqësuesit e shoqërisë civile, që i çon për aktivitete në Beograd, qëllojnë gjithmonë filoserbë.

Drejtuesit e instituteve studimore të Shqipërisë, që kanë marrë përsipër të realizojnë ëndrrën futuriste të pajtimit historik shqiptaro-serb, zgjidhen që ta bëjnë si filoserbë.

OSBE, ku Shqipëria paguan kontribute, sa herë bën panele apo dialogje shqiptaro-serbe, përfaqësuesit shqiptarë i zgjedh filoserbë. Agjencitë zyrtare shqiptare, kur zhvillojnë aktivitete dypalëshe në Beograd, nuk dërgojnë punonjësit e tyre, por marrin e çojnë atje filoserbë në profesion të lirë, që i paguajnë nga buxheti shtetëror.

Nuk dihet ç'po ndodh me dy shtetet shqiptare, kur qeveritë në Tiranë dhe në Prishtinë rrethohen e shërbehen me këshilltarë jugosllavë, të cilët qajnë për Jugosllavinë e Serbisë dhe urrejnë kombin shqiptar, flamurin shqiptar, identitetin shqiptar.

Nuk dihet ç'po ndodh në politikën shqiptare, kur historia e politikës shqiptare provon se monarkistë dhe antimonarkistë, komunistë dhe antikomunistë, demokratë dhe antidemokratë, çlirimtarë dhe kolaboracionistë, kanë një atraksion fatal për Serbinë.

Me sa duket sindroma e Stokholmit kap jo vetëm individët, por edhe shtetet, edhe popujt.

Tagged under Shaban Murati