Blog

Mbi lirinë e brendshme në Kosovë dhe veteranët mashtrues të UÇK-së

Nga: Ndue Ukaj

Patriotizmi ynë i qulltë dhe ngarendja pas lavdisë, sipas meje, janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar të kemi një kontingjent të tillë veteranësh mashtrues të UÇK-së.

Përgjatë këtyre viteve të lirisë dhe pavarësisë, përditë kemi dëgjuar rrëfime të gjithfarshme, përmes të cilave, secili shqiptar kërkon hisen e vet në betejën për të kontrolluar historinë. Me një fjalë, secili këmbëngul të jetë gjithsesi pjesëmarrës në histori.

Historia tregon se, ngarendja pas lavdisë dhe ideja për role protagoniste, njerëzit i bën të marrë. Ata mund të besojnë në role profetike, ashtu siç besonte Don Kishoti, se, po ndreqte prapështitë dhe paudhësitë e botës, ndonëse përballë historisë të tillët duken si dhia e zgjebosur me bishtin përpjetë.

Jam i bindur që njëra nga arsyet kryesore pse kemi listë të fryrë të veteranëve të UÇK-së është pikërisht ngarendja pas lavdisë, pra, për të marrë një copë letër dhe për të fituar në emër të saj, nder dhe lavdi. Këtë diskurs të shkretë, përgjatë këtyre dy dekadave, e kemi dëgjuar përditë. Në çdo rast. Në ndeja të mbyllura dhe në institucione. E kemi lexuar nëpër opinione dhe libra të shumtë. Dhe, paqen e brendshme të Kosovës, nuk e ka penguar askush më shumë sesa ambiciet e çoroditura të njerëzve që ngarendin me çdo kusht pas lavdisë.

Ndërkaq, liria e vërtetë, është krejt diçka tjetër. Një popull që fiton lirinë e brendshme, atë lirinë e njëmend, që njerëzve u jep krahë, frymëzim, shpresë për të dashur vendin e tyre dhe për të punuar me dashuri për të ardhmen e tij, ai popull i ul flamujt e ndarjeve dhe përçarjeve dhe ecën me vetëdije kah e ardhmja. Sepse, liria, para së gjithash është ide. Është besim. Është fe.

Të kujtojmë heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin. 
Ai, me t’u kthyer në mesin e arbnorëve, u tha: 
“Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta mes jush.” 
Me këtë shprehje, ai ndezi zemrat e bashkëkohësve të tij, të cilët, të entuziazmuar me kthimin e tij, fortifikonin kështjellat dhe mbrojtën lirinë e tyre. Për 25 vite, ata besuan te liria, prandaj nuk pati forcë të jashtme që mund t’i thyente.

Kosova sot ka probleme të shumta, me kufij e njohje, por, problemi madhor është i brendshëm. Ne kemi problem me lirinë e brendshme. Dhe atë nuk mund të na e japë askush. Liria e njëmend, pa të cilën nuk mund të ketë progres, e për të cilën fliste qëmoti Konica, ka emigruar prej nesh. Prandaj, vazhdojmë t'i mbajmë zinxhirët e robërisë së mendjes dhe nga këta zinxhirë nuk mund t’na shkëputin as me 600 mijë veteranë të vërtetë.

Lirinë e brendshme nuk mund të na e japë askush. Asnjë forcë e jashtme. Prandaj, në vend se të sorollatemi andej e këndej dhe të vajtojmë përditë, si qaramanë, të fillojmë të mendojmë sesi ta fitojmë lirinë e brendshme. Që ajo të buçasë brenda nesh, me tërë forcën e saj, si melodi shpresë dhe gëzimi. E frytet e kësaj lirie janë paqja, zhvillimi, përparimi, mirëqenia dhe progresi.

 

Tagged under Ndue Ukaj