Blog

Të besosh e të dyshosh!

Nga: Klodi Stralla

Të besosh - do të thotë të pranosh diçka pa vërtetim. Besimtari nuk dyshon kurrë në vërtetësinë e atyre që beson, ndryshe nuk do të quhej besimtar. Të vërtetat e besimtarit janë të vërteta absolute, që nuk ndikohen as nga koha dhe as nga njerëzit që vijnë pas tij. Njeriu besimtar është ai që quhet “njeriu fetar”, përfshi këtu edhe njeriun ideologjik (feja është një lloj ideologjie dhe ideologjia është një lloj feje). Profetë të tillë fetarë si Krishti, Muhamedi, Buda e Konfuci apo ideologë si Platoni, Hegeli apo Marksi, pretendonin se përhapnin të vërteta absolute. Të parët mendonin se këto të vërteta i përçonin nga frymëzimi hyjnor, të dytët besonin se kishin zbuluar ligjet e pandryshushme të Historisë.

Të dyshosh - do të thotë të pranosh për të vërteta vetëm ato që janë vërtetuar nga provat dhe të besosh se gjithmonë do të dalin prova të reja që të ndryshojnë bindjet e vjetra. Njeriu dyshues është ai që quhet “njeriu i shkencës”. Për njeriun e shkencës ka vetëm të vërteta relative, domethënë të vërteta që kanë vlerë në një kohë të caktuar dhe që ndryshojnë me kalimin e kohës.

Të dy palët përdorin mjete për të shpjeguar botën: të parët përdorin Zotin dhe të dytët Shkencën. Për besimtarët Zoti është krijuesi dhe mbikëqyrësi i gjithçkaje kozmike dhe njerëzore; për dyshuesit Shkenca është një instrument njerëzor që ndihmon për ta kuptuar dhe ndryshuar botën. Për besimtarët përparësi ka bindja, për dyshuesit përparësi ka dobia.

Për mijëra vjet Besimi dhe Dyshimi kanë ekzistuar së bashku. Zanafilla e ndarjes të tyre zë fill me Mitin e Prometheut në Lashtësi apo me Mëkatin fillestar në Bibël. 
- Besimi nuk e mohon Dyshimin, por e kufizon mjaft fushën e arritjeve të tij. Për të, jo çdo gjë duhet vënë në dyshim; janë disa të vërteta të pandryshueshme, për çdo kohë e vend, e që na zbulohen në mësimet e Biblës, Kuranit apo Budës. Dyshimi, nëse nuk mbahet brenda disa kornizave morale të përvijuara nga Besimi, mund të prodhojë edhe fatkeqësi të tilla ekzistenciale si bomba atomike, armët baktereologjike apo shkatërrimi mjedisor e inxhinjerimi gjenetik. Besimi pretendon se luan rolin e busullës për Dyshimin, pa të cilën njerëzimi, i udhëhequr tërësisht prej Dyshimit mund ta çojë atë drejt shkatërrimit tërësor.
- Dyshimi, nga ana e vet, nuk e pranon Besimin (Zotin) si hipotezë pune, për të shpjeguar dhe ndryshuar botën dhe njeriun. Bile, shpesh, e ka parë edhe si armiqësor e pengues. Dyshimi sheh tek qenia njerëzore “shkëndijën hynore”, sheh aftësinë dhe kapacitetin e pashtershëm të qenies njerëzore për vetëndryshim.

Në lashtësi, Besimi dhe Dyshimi, patën një raport mjaft të ekuilibruar, që u pasqyrua në raportin mes Mitit dhe Logosit. Në Mesjetë mbisundoi Besimi mbi Dyshimin, biles pati edhe konflikte të përgjakshme. Në kohët Moderne, që fillojnë me Reformën, Dyshimi u bë paraprijës i aktivitetit njerëzor dhe Besimi u pa si pengesë e fuqishme në këtë rrugë. Revolucionet e përgjakshme, ai francez i 1789-ës dhe ai rus i 1917-ës, e dëshmojnë këtë. Koha jonë, me laicizmin, i ka venë përsëri në ekuilibër dhe konflikti mes tyre nuk ka virulencën e mëparshme.

Të shtrosh pyetjen sesi mund të jetë një botë pa Besimin dhe vetëm me Dyshimin, apo e anasjellta, më kujton vitet e shkollës kur mësuesi i fizikës na kërkonte të bënim një esse ku të përshkruanin një botë pa gravitet dhe fërkim. Ato esse, sado të bukura dhe fantastike, të bindnin se bota, pa gravitet dhe fërkim, mund të ish çdo gjë, por jo ajo që shohim sot. E tillë është për mua një botë pa praninë e njëkohshme të Besimit dhe Dyshimit.