T’i jepesh pasurisë!
- Nga: Albana Lifschin
Sociologu amerikan Kristian Smith në testimet e tij me të rinj të moshës 18-23 vjeç, arriti në përfundimin se gjenerata Z (ata që kanë lindur pas 1995) dhe një shumicë e madhe e millennials (atyre që kanë lindur midis 1980 -1995) janë robër të konsumerizmit dhe materialistë të pandryshueshëm (të pareflektueshëm).
Nga ata që u intervistuan, 65% thanë se bërja e pazarit, blera e sendeve të ndryshme, prishja e parasë u jep kënaqësi të madhe. Edhe pse pyetjet ishin të ndërtuara në mënyrë të tillë që t’i orientonin drejt vlerave morale shpirtërore përsëri përgjigjet shkonin drejt kënaqësisë materiale. Më tepër se gjysma e të rinjve që po dilnin nga adoleshenca ishin të një mendjeje që mirëqënia matet me atë që pronëson, dhe blerja e sa më shumë gjërave i bën ata më të lumtur, dhe se ata përftojnë kënaqësi të madhe vetëm nga blerja e tyre.
Askush nuk përmendi, (asnjë!) nuk u shpreh me skepticizëm ndaj mungesës së mënçurisë e seriozitetit në citimin “Paraja e blen lumturinë”. Në të kundërtën, përgjigjet qenë të njëjta: “Nëse të pëlqen diçka, bleje”, çfarëdo që të bën ty të lumtur!”
Kur të rinjve iu kërkua mendimi nëse ishin shumë të fiksuar pas bërjes së pazarit, shtimit të mallit material, një nga përgjigjet e shqetësoi sociologun në veçanti: “Hej, ky është kapitalizmi. Unë tani jam bërë tifoz i madh i tij”.
M’u kujtua libri i gazetarit Mitch Albom (fitues i çmimit Pulitzer)
(“Tuesdays with Morie”), “Të martat me Morin”, i cili e lidhte lumturinë e njeriut jo me anën materiale, por me atë shpirtërore, me vënien e dijes, kapacitetit të njeriut në shërbim njerëzimit.
Dhënia pas pasurisë është një sëmundje që ka pushtuar edhe rininë dhe familjet në vendlindjen tonë. Të rinjtë, ashtu si prindërit i shesin mënd njeri-tjetrit për çdo të mirë materiale që blejnë e posedojnë. Një farë konkurimi material i pashpirt.
(Shkëputur nga recensa për librin e Ben Sasse, 2017)





















