Skenari i dështuar i referendumit dhe rreziqet për shqiptarët e Maqedonisë
- Nga: Fatos Aliu
A do i thonë shqiptarët stop manipulimit me vullnetin e tyre?
Referendumi i 30 shtatorit 2018 sikur ishte përgatitur të dështojë nga vetë sllavo-maqedonasit, me vetë faktin si është bërë pyetja: “Nëse jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?” - duke kaluar djallëzisht nëpër kurriz të drejtës e të vërtetës shqiptare.
Le të bëhet pyetja për shqiptarët: “A jeni për NATO – BE”, do të shihni! Por pushtetarët e këtij shteti artificial dhe shërbyesit e tyre shqipfolës nuk e bëjnë këtë, sepse nuk i duan shqiptarët të barabartë në një shtet, megjithëse të krijuar artificialisht në kurriz të etnitetit e entitetit shqiptar, më të vjetër në Gadishullin Ilirik e në Maqedoninë Antike, para sllave. Prandaj formulimi i pyetjes së referendumit të 30 shtatorit 2018 është bërë me djallëzi i influencuar nga interesa kundër orientimit perëndimor dhe integrimeve evropiane, dhe me mision që shqiptarët të gjenden para një akti të kryer: po i thane JO referendumit, të etiketohen se nuk janë për NATO – BE, po i thanë PO, të pajtohen për pozicionin inferior të tyre sipas trajtimit që kanë në këtë shtet, pra, të vazhdojnë të mbesin minoritet i diskriminuar, me gjuhë dytësore, me kushtetutë e ligj.
Kjo kuptohet, bëhet edhe për të parandaluar vetëdijësimin dhe zgjimin e popullit autokton shqiptar. Sllavët antiperëndimorë në rajon, nuk e pranojnë gjuhën shqipe si gjuhë të barabartë, por vetëm si dytësore, ndërsa e para të jetë ajo sllave e modifikuar, me emërtim të përvetësuar nga antika maqedone, për të injoruar e pamundësuar përdorimin zyrtar të gjuhës më të vjetër dhe origjinale shqipe në këto hapësira, me qëllim të vetëm: tjetërsimin e popullates dhe territorit shqiptar, ekspansionin dhe dominimin e ortodoksisë pravosllave, duke përvetësuar si të kaluarën e kombit shqiptar, edhe figurat e shquara të saj përgjatë historisë.
Meqenëse pos natyrës rezistente dhe shtimit natyror shqiptar karshi atij sllav, politikat shqiptare nuk po dëshmohen në mbrojtje e realizim të interesit shqiptar, politikat sllave krijojnë skenare të reja për t’i mbajtur të pushtuara trojet shqiotare në vitet e kolonizimit sllav. Kujtojmë vet fillet e kësaj krijese të re nga gërmadhat e ish Jugosllavisë, njohjes dhe mbështetjes absurde pa kushtëzime nga politika shqiptare e kohës, dhe ish-presidenti Sali Berisha, i cili, pas shpërbërjes së ish-RFSJ, ishte i pari që njohu Republikën e Maqedonisë si shtet i pavarur, megjithëse ishte e ditur se kjo republikë e kishte shpallur pavarësinë në kurriz të diskriminimit të shqiptarëve dhe kolonizimit të tokave shqiptare, duke e fshirë nga kushtetuta e vitit 1974, edhe thënien: “Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet i maqedonasve, shqiptarëve dhe tjerëve”. Ndërkaq, Marrëveshja e Ohrit, që ndaloi luftën dhe amnistoi luftëtarët e UÇK (lexo: mashtroi dhe shkeli sakrificat e rezistencës shqiptare për liri e drejtësi) u vërtetua e mbeti, jo si marrëveshje paqeje e barazie, për të drejtat e barabarta, po si një kontratë koti e ruajtjes së status quose së dominimit sllavo-maqedonas, që, pos degradimit të çështjes shqiptare, përfitimeve për pushtetarët dhe kuislingët në pushtet, nuk u solli asgjë të mire shqiptarëve.
Përderisa nuk vetëdijësohet e unifikohet faktori politik shqiptar në mbrojtje të drejtës dhe të vërtetës shqiptare, gjithnjë ka rrezik për të na zënë të papërgatitur, gjë që edhe e synojnë kundërshtarët e zhvillimeve integruese të shqiptarëve, ndërsa vazhdimi i politikave e skenareve antishqiptare nga pushtetmbajtësit e këtij shteti, synon që shqiptarët të dalin sa më humbës në rast ndarje të Maqedonisë, megjithë përkushtimin e dëshmuar pro perëndimor të tyre drejt integrimeve evropiane dhe anëtarësimit në NATO. Prandaj në situata të reja, shqiptarët duhet të jenë të zgjuar, të mos bien pre në skenaret humbëse, siç ka ndodhë në të kaluarën.





















