Blog

Vëzhgim i një pasditeje me shi në Tiranë

 Nga Kostandin Ristani

Një ngjarje e jetuar sot mbasdite në Tiranë që mbart një nënkuptim përgjithësues mbi psikologjinë e të vetëquajturit të priviligjuar sepse je punonjës i shërbimit publik.

Semafori i kuq në fund të rrugës "Myslym Shyri" ku takohet me Pedonalen e Tiranës; domethënë kryqëzimi i ish-Ministrisë së Mbrojtjes, tani Ministria e Ekonomisë, me Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Ora 15 dhe binte një shi rrebesh që vetëm Tirana e njeh. Një autobuz linje qe para semaforit me dritë të kuqe që priste hapjen e dritës jeshile. Një burrë i ri, një grua e re dhe dy fëmijë që vraponin nga ana e trotuarit të Parkut "Rinia" në drejtim të autobuzit urban; një kalimtar (unë) vëzhgues që rastisi në këtë kryqëzim. Të pestë të "qullur në palcë" e pa çadër nga ky shi rrebesh i Tiranës.

Burri arrin me vrap tek dera e përparme e autobusit dhe e godit me pëllëmbë duke i kërkuar shoferit që ta hapi. Parantezë: në këtë pikë/kryqëzim nuk ka stacion ndalesë autobuzi urban. Shoferi i thotë me shenja e me fjalë që e ka të ndaluar që të marri pasagjerë jashtë stacionit. Unë i mrekulluar them me vete që Bashkia e Tiranës e paska arritur këtë standard si Bashkia e Otavës ku drejtuesi i urbanit nuk merr, për çfarëdolloj arsye, pasagjer jashtë stacionit. U ndodha për një moment në dilemën njerëzore: zbatimi pedant i rregullave dhe sensit njerëzor të rrethanës së jashtëzakonshme: dy fëmijë dhe një grua të pa mbrojtur nga rrebeshi nuk mund të lihen kaq brutalisht dhe me indiferencë në mëshirën e motit. Pa mëdyshje e gjykova shoferin e autobuzit si një automat pa tru dhe zbatues idiot të rregullave.

Por absurdja e papritur për mua dhe mëse normalja për mjedisin shqiptar ndodhi. Burri iu kërcënua shoferit duke i thënë: "Hape more se unë jam policia, unë jam shteti".

Shoferi e hapi derën dhe të katër u futën brenda në autobus e gjetën strehimin e merituar e të dëshiruar me dëshpërim njerëzor.

Krahas kënaqësisë e lehtësimit shpirtëror që ndjeva për dy fëmijët dhe gruan, më vloi gjaku i revoltës për shoferin e autobusit dhe burrin e vetëcilësuar si i "policisë". Shoferi po të ishte në standartin që unë përshkrova më sipër duhet ta kishte lënë jashtë burrin duke i thënë që ti je stërvitur e je betuar që të përballosh rrethanat më ekstreme në mbrojtjen e jetës dhe mjedisit qytetar e jo të gjesh strehë nga një rrebesh i rëndomtë duke thyer rregullat e kërkuar priviligj sepse je i "policisë".

Konkluzioni: Për mua do të ishte krejt njerëzore, e justifikueshme dhe e pranueshme shkelja e rregullit nëqoftëse burri do të kishte kërkuar shkeljen e rregullit, pa thënë se kush ishte, nga rrethanat krejt humane për mbrojtje dhe shoferi të kishte hapur derën. Në këtë ngjarje shoferi u tregua servil e frikacak, pa personalitet pune dhe burri abuzoi me funksionin e tij dhe institucionin e ruajtjes së rendit duke kërkuar shkelje rregulli për arsye të funksionit.

Këto janë mangësitë e shtetit shqiptar që paqyrohen nga lart poshtë në piramidën e administratës shtetërore shqiptare që unë i fshikulloj sepse nuk janë dukuri të shkëputura por “entitlements” të pranuara në heshtje nga masa e burokracisë dhe e politikanëve ligjvënës të shtetit shqiptar. Estrada e Vetingut Perëndimor/Ndërkombëtar nuk zhduk këto dukuri dhe veprime pa krijuar një shtet modern me ligje të pasuara me politika, direktiva, procedura, rregulla e trajnime që furmizojnë me prurje të kthjellët e të bollshme ligjet e aprovuara dhe synimin për të cilin ligji është hartuar.

7 Tetor 2018

Tagged under Kostandin Ristani