Blog

In memoriam-Jorgo Bllaci

Nga: Artan Gjyzel Hasani

Kështu qënka jeta. Nga ngushellime vdekjesh në përkujtime përvjetorësh të poetëve mjeshtërorë të shqipes.

Rastësisht, pak çaste më parë, mësova që sot është ditëlindja e përkthyesit të famshëm të lirikës ruse, poetit lirik Jorgo Bllaci. Nuk e di nëse është kujtuar ndokush nga Djajtë e Harresës të Kulturës shqiptare për këtë pervjetor.

Por mbase edhe nuk është sot. E ç'rëndësi ka fundja?

Jorgo Bllaci është poet, përkthyes dhe "Mjeshtër i Madh". Për përkthimet e tij nga letërsia ruse, Bllaci është dekoruar nga ish-presidenti Boris Jelcin me dekoratën e lartë të «Urdhërit të Miqësisë».

U lind më 1938 në qytetin e Gjirokastrës. Kreu fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, më pas punoi si mësues. Në vitet '50 u dënua me dhjetë vjet burg, për shkak të bindjeve politike. Pas daljes nga burgu, më 1964-1967 Bllaci u detyrua të punojë si punëtor ndërtimi.

Më 1990 u kthye përsëri në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Pas vdekjes u nderua me titullin "Mjeshtër i Madh

Po sjell këtu një poezi të Jorgo Bllacit, marrë nga vëllimi i tij poetik "Kuja e Violines"...

 

Vreshti i poezisë

(kujtimit të L. Poradecit)

 

-Naimi shkuli rrënjët, preu shkurret,

Pastaj qilizmë truallin punoi.

Fidanet mbollën me durim të tjerët

Dhe vreshti i bukur shpatin gjelbëroi.

 

Kur vajta unë atje, – më tha Lazgushi, –

Një mbrëmje buzë gjolit tek shëtisnim, –

Hardhitë kishin lidhur vile rrushi,

Por kemi etje, dukej sikur flisnin.

 

Ahere ç’bëra? Nëpër shkëmb të malit

Një brazdë hapa deri te burimet

Dhe më së fundi, ujrat si kristali

U derdhën nëpër të me mërmërime…

 

Si tha këto, mbështeti të dy duart

Mbi bastun e shtoi si nëpër lotë:

– E keni radhën ju për ta punuar,

Këtë të bukur vresht, pa shok në botë!

 

Ta rrisni të shëndetshëm, ta selisni,

Ta doni si thesarin më me vlerë!

Dhe neve që aty e lamë shpirtin

Na sillni nëpër mend ngandonjëherë!…