Historia kombëtare e keqpërdorur
- Nga: Rexhep Qosja
Në qoftë se shkoni te varret e Prishtinës, për të marrë pjesë në ndonjë varrim apo për të vënë lule në varrin e një familjari, të afërmi a miku, kur të ktheheni nëpër rrugën që lëshohet teposhtë, ndaluni e shikoni djathtas dhe besoj se do të shihni edhe diçka që s’e keni parë dhe që s’do të donit ta kishit parë.
E do të shihni dy rrugica, të shënuara për t’u mbajtur në mend.
E para, është rrugica në fillim të së cilës, në anën e poshtme, të majtën, është vënë një si tabelë me emrin e babait të Shqipërisë, babait të shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemalit. Si duket ajo tabelë, si duket mbajtësja e asaj tabele, si duket i gjithë fillimi i asaj rrugice me emrin e Ismail Qemalit? Vështrojeni mirë foton që po ia bashkëngjis këtij postimi! Jam i bindur se pamja që do të shihni do t’ju pikëllojë e do t’ju mërzisë pamasë!
Është një përmendore e Ismail Qemalit në sheshin para ndërtesës së dikurshme të Rilindjes së dikurshme e rrethuar me një rrethojë që s’ mundëson të shihet sa duhet e si duhet ajo përmendore. Në qoftë se ndaleni e i afroheni asaj përmendoreje artistike, të dinjitetshme, do të pyesni veten: po ç’do në Prishtinë edhe një Ismail Qemal, edhe një Ismail Qemal ashtu i fyer ashtu siç është fyer në fillim të rrugicës që të çon te varret e Prishtinës!
E dyta, është rrugica, dy rrugica më poshtë se ajo me emrin e Ismail Qemalit në fillim të së cilës, në anën e poshtme, të majtën, është vënë një tabelë me emrin e Mithat Frashërit, të birit të Abdyl Frashërit – ideologut dhe diplomatit të madh të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të Lidhjes së Prizrenit. Ajo tabelë, mbajtësja e tabelës, fillimi i rrugicës me emrin e Mithat Frashërit të pikëllojnë, të trishtojnë dhe të mërzisin edhe më shumë se rruga me emrin e Ismail Qemalit.
Mithat Frashëri në kohën e komunizmit ishte i mallkuar: i mallkuar në Shqipërinë shtetërore dhe i mallkuar në Kosovë! Dhe ishte i mallkuar pse kishte qenë themelues e kryetar i Ballit Kombëtar. Por ata që ia kanë vënë emrin në rrugicën pak metra para varreve të Prishtinës dhe lejojnë që emri i tij në atë tabelë, në fillim të rrugicës, të duket aq mjerueshëm ndoshta kanë harruar: se Mithat Frashëri ishte politikan, diplomat, shkrimtar, studiues shkencor, publicist, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, kryetar i këtij Kongresi, anëtar i Komisionit të këtij Kongresi, që do të hartojë alfabetin e gjuhës shqipe; ishte autor i një vargu veprash letrare, publicistike e shkencore, ishte autor i veprës Shqiptarët dhe sllavët, ishte politikani dhe intelektuali ndër më të shquarit shqiptarë të kohës së tij që deri në vdekje nuk do të pushojë të shkruajë e të flasë për copëtimin e trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, për pushtimin e Kosovës prej Serbisë e të trojeve të tjera shqiptare prej Serbisë, prej Malit të Zi e prej Greqisë, për padrejtësitë tragjike që fuqitë e mëdha evropiane i kishin bërë popullit shqiptar.
Shikojini mendueshëm fotot e dy rrugicave ku janë vënë tabelat me emrat e Ismail Qemalit dhe Mithat Frashërit!
Besoj se mbasi t’i shihni do të bëni pyetjen:
Pse lejohet një fyerje e një përçmim i tillë i historisë dhe i kulturës sonë?
Pse lejohet një fyerje e një përçmim i tillë i historisë dhe i kulturës sonë në Kosovën e lirë dhe të pavarur?
Shkojmë në varret e Prishtinës të pritur prej Ismail Qemalit e Mithat Frashërit dhe kthehemi prej varreve të Prishtinës të përcjellë prej Ismail Qemalit e Mithat Frashërit siç i pamë të fyer!
A ka komunë Prishtina? A ka deputetë ajo komunë?
A ka Kuvend Kosova?
A ka deputetë Kosova?
A ka Ministri të Kulturës, Ministri të të Arsimit, a ka institucione të kulturës, që merren me historinë e me trashëgiminë tonë kulturore?
A kanë deputetë Prishtina e Kosova të cilët do ta mbrojnë historinë e Kosovës dhe historinë shqiptare në përgjithësi prej falsifikimeve, prej shpërfytyrimeve, prej privatizimeve, prej degradimit, prej mospërfilljes, prej fyerjeve, prej përçmimeve të ndryshme që po i bëhen sot prej shumë kujt e me shumëçka, në rend të parë prej atyre që do të duhej t’i trajtonin me dinjitetin e merituar, të kujdeseshin e t’i ruanin, por hiç më pak prej disa partive, prej të pushtetshmëve dhe të partishmëve, të cilët edhe historinë kombëtare po e keqpërdorin pa skrupuj për t’u mbajtur në pushtet sa më gjatë!
Deri kur?
Sidomos pas vitit 1981 historia shqiptare, letërsia shqipe, figurat e mëdha historike, politike, shkencore, letrare është dashur të mbrohen prej nënçmimeve e fyerjeve që ju bëheshin prej shovinistëve serbë. As pesimistët më të mëdhenj s’kanë mundur të mendojnë se këtë histori e këto figura të mëdha kombëtare sot duhet të mbrohen edhe prej shovinistëve tonë brendakombëtarë në një pjesë të medieve tona!