Blog

Simbolika e përurimit të një monumenti

Nga: Klodi Stralla

Monumenti i ekspozuar në foton më poshtë i përket Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeut, dhe u përurua në Romë, në 27 tetor 1940, në vigjilje të sulmit fashist mbi Greqinë. Ai është veper e skulptorit të njohur italian Romano Romanolli dhe u vendos në sheshin “Albania”, ku është edhe sot.

Historia e këtij monumenti është disi e veçantë. Ai ish porositur nga qeveria e Mbretit Zog, me dekretin mbretëror nr.1306 dt.5.11.1938, me synim që të vendosej në sheshin kryesor të Tiranës, që, po atë ditë, u emërtua sheshi “Skënderbej”. Përurimi mendohej të bëhej në ditën e Festës Kombëtare, në 28 nëntor 1939, por pushtimi fashisht ia ndryshoi destinacionin.

Fashistët italianë dhe posaçërisht vetë Duçja menduan ta shfrytëzojnë djallëzisht përurimin e monumentit të Heroit Kombëtar të shqiptarëve, në vigjilje të pushtimit të tyre të Greqisë nga territori shqiptar. Prezenca e vetë Duçes në përurim dhe pjesëmarrja e delegacionit të qeverisë kolaboracioniste shqiptare, të kryesuar nga Xhemil Dino, një shqiptar me origjinë nga Çamëria, simbolikisht, implikonte shqiptarët në agresionin që do të ndërmerrnin italianët ndaj Greqisë fqinje një ditë më pas. Simbolika ishte e qartë: 
Skënderbeu, si dikur, 500 vite më parë, kur kish shkuar në Romë për të kërkuar ndihmë në luftën kundër turqve, po rikthehej përsëri aty, tashmë si monument, për t’i kërkuar ndihmë Italisë, nga “provokimet” greke, të cilat shtypi italian i kohës kish ditë që i trumbetonte me të madhe.

Kjo, dhe disa ngjarje të tjera, si pjesëmarrja në luftë kundra Greqisë, krahas forcave italiane edhe e 3 batalioneve shqiptare (ndonëse ato dezertuan), e implikuan edhe Shqipërinë si shtet që sulmoi ushtarakisht fqinjin e saj, implikim pasojat e të cilit po i vuajmë paradoksalisht edhe sot, kur de jure ekziston ende Ligji i luftës me Shqipërinë.