Jemi të vegjël e të përkohshëm
- Nga: Çapajev Gjokutaj
Përgjumësh dëgjoj Andrea Boçelin tek kendon “La voce del silenzio”. Më godet vargu: heshtja ka trajtën e gjërave që ke humbur.
Melodia është e qetë, gjithë shtrirje dhe hapsirë. Dhe vras mendjen pse hapsira na ngjall kurdoherë trishtim. Mbase se, nëpërmjet kontrastit na kujton që jemi të vegjël e të përkohshëm, them.
Pa mbaruar mirë me këtë, s’di pse më faniten kodrat e Toskanës, parë nga Siena në një buzëmbrëmje. Forma të lakuara që bien ëmbël, si linjat e trupit femëror.
Dhe sjell ndër mend nudot klasike, aq harmonike e të bukura, por që përcjellin edhe pak nostalgji. Mbase nostalgjia s’është tek to, por fle brenda nesh si mungesë, ato vetëm sa e zgjojnë.
Përtej xhamit të dritares pikëluar nga shiu, shoh pyllin që murrëtohet çdo ditë e më shumë. Shi, mërzi, - them me vete dhe pastaj shtoj se një nga gjërat më të mira të trurit human është aftësia e ikjes, arratisjes.






















