Blog

Trup e shpirt nga e ardhmja!

Nga: Çapajev Gjokutaj

Një orë zgjat 60 minuta, një ditë 24 orë, një vit 365 ditë. Nuk besoj se ka gjë më të saktë, por njëkohësisht edhe më të rreme.

Për njeriun koha nuk matet as me minuta, as me ditë e as me vite. Tre minuta në një galeri ku ka shpërthyer gazi dhe s’merr dot frymë zgjasin sa për disa vjet. Tridhjetë minuta në takimin e të burgosurve fluturojnë si të ishin pak sekonda.

Si koha ngjan dhe jeta e njeriut: nuk matet as me muaj e as me vite, por me bëma dhe përjetime.

Kjo e vërtetë na vjen ndër mend shpesh këto ditë dimri, në kufijtë mes dy viteve. Mendimet për të shkuarën, kujtimet për të dashurit e ikur, malli për gjithçka patëm dhe s’e kemi më, ngjallen shpesh brenda nesh dhe synojnë të na tërheqin pas në këtë kapërcyell të kohës.

Por njerëzimi, me urtësinë që e karakterizon, i ka strukturuar festat e fundvitit si ngjarje të mbisunduara nga fëmijët, nga fantazitë dhe përjetimet fëmijërore, si ditë kur edhe të rriturit bëhen sadopak fëmijë.

Është palca e dimrit dhe ky gazmend fëmijëror ndihmon t’u shpëtojmë edhe kujtimeve këmbëngulëse të së shkuarës, edhe acarit e vështirësive të së tashmes.

Fëmijët e gëzuar për rreth dhe fëmijërorja e ringjallur brenda nesh na kthejnë trup e shpirt nga e ardhmja, nga pranvera plot diell e shpresë.

Tagged under Çapajev Gjokutaj