Blog

Figurinat!

Nga: Flurans Ilia

Kukullat e Dorës nuk i kalojnë të pesëdhjetë centimetrat. Kanë kokë të madhe. Fill pas kokës janë të lidhura me dorën. Dora e Humbabas e zhytur nga Poshtë mbërrin gjer tek koka. Prandaj quhen Kukullat e Dorës. Krahun e kukullaxhiut e mbulon një dorezë e gjatë që nuk është gjë tjetër veçse trupi i kukullës, që vishet e ç’vishet sa herë që ndërron rol. Humbaba lëvizjet e kukullës i kryen me gishtat e një dore të vetme. Veçmas. Ose të bashkuara. Grusht. Gishtat luajnë rolin më funksional të lëvizjeve. Sidomos në hapje-mbylljen e gojës. Ato i japin shpirt kukullës.
Kukullat e Shkopit i kalojnë të pesëdhjetë centimetrat. Gjatësia e tyre shkon shpesh një metër. Ashtu sikurse Kukullat e Dorës edhe ato kanë mbërritur nga Toka e Trashëgimisë Lindore. Ndërsa të parat në mënyrë amatore e fituan popullaritetin e tyre më të madh në Evropën Perëndimore. Në vendet e Evropës Lindore Kukullat e Shkopit e ngritën Artin e tyre në Institucion. Një profesionalizëm i vërtetë drejt institucionalizimit. Trupi i kukullës mbahet mbi një shkop të ngulur nga Poshtë. Qafa dhe krahët funksionojnë nëpërmjet thuprave që kryejnë lëvizjet. Pikërisht. Këtu qëndron ndryshimi. Krahët dhe koka e të gjitha Kukullave të Shkopit pa përjashtim kryejnë lëvizje të pavarura nga trupi. Ky nuk është një ndryshim i vogël. Kukullaxhiu punon me të dyja duart. Me një mban trupin. Me tjetrën lëviz gjymtyrët. Goja është statike.
Kukullat e Hijes kanë të njëjtën gjatësi me Kukullat e Dorës. Ndryshimi qëndron tek gjerësia. Ato janë petashuqe. Të shtypura si të kishin kaluar përposhtë një makinerie të rëndë, që e shndërron trupin në karton. Lëvizjet e tyre ndryshe nga llojet e kukullave të mëparshme komandohen nga Lart. Janë të varura në fije të perit. Ato duhet patjetër të përftojnë Hijen e tyre në një ekran që ndriçohet me anë të një prozhektori nga pas. Hija ngelet akti më i diskutueshëm në evolucionin e historisë së zhvillimit të kukullaizmit. Çfarë mund të na thotë sot për shembull dizneizimi që po e shndërron mbarë Globin në një Disneyland? Pordhë me rigon! Asgjë e re në këtë botë imituesish. Gjithçka është e parathënë. Kukullat e Hijes e kanë ideuar vizualisht këtë rrugë këtu e katër mijë vjet më parë. Shumë kohë më parë se disneizmi. Prejardhjen e kanë nga Kina. Çudi. I vetmi rajon ku kjo farsë teatrale u popullarizua në Evropë së pari ishte Ballkani i Jugut.
Marionetat më kanë tunduar që kur kam filluar të kuptoj s’e po plakem. I dashuroj marionetat. Në thelbin e karakterit tim artistik nuk jam as më shumë e as më pak veçse një marionetist i talentuar. Ato komandohen nga Lart gjithashtu. E veçanta qëndron në faktin se janë të përbëra nga pjesë të veçanta trupore. Çdo cope të ndryshme të trupit të kukullës i përket një tel lëvizës. Shumë tela përbëjnë shumë lëvizje. Normalisht funksionojnë me nëntë tela. Por në Mayanmar (Burma e dikurshme, ose ndryshe në Birmani) thonë se i komandojnë me gjashtëmbëdhjetë tela. E pa-be-su-esh-me! Po të mendosh se është një kukullaxhi i vetëm që duhet të kryej gjithato lëvizje? Një mjeshtëri e vërtetë! Më besoni. Po jua them unë këtë fakt. Dhe unë vlej «njëqind-karatë». Jam mjeshtri i marionetizmit. Po të më jepej mundësia më herët, të udhëtoja drejt vendesh të largëta të lindjes, do të zgjidhja padyshim Vendin e Bekuar të Gjashtëmbëdhjetëtelëshit. Atë pikë të Globit të rrethuar nga Gjiri i Bengalit dhe Deti Andaman. Marionetat që prodhohen aty janë e ardhmja e kukullaizmit modern.

©Flurans Ilia
Shkëputur nga "Thembra e kujtesës"
Tiranë, 2008

 

Tagged under Flurans Ilia figurinat