Blog

Patetizmi patriotik si strehë e fundit e idiotëve-Nga Artan Gjyzel Hasani

Në një vend qyfyresh me një popull ahengxhi BATUTA, si edhe patatja, është edhe bukë, edhe gjellë. Kështu ka rezultuar BATUTA edhe për njerin nga kronikanët e shumtë virtualë të Betejës, gazetari A.V. që me zë të çjerrë nga brohoritjet dhe me sy të skuqur nga baroti na kumton se Beteja e Parë Diplomatike e Gjinos (siç i thonë gjeniut në shqipen bashkëkohore), është fituar. 

“Triumf të Dijes” e ka quajtur kronikani në fjalë betejën e parë të madhe Shqipëri–Serbi të zhvilluar poshtë Karpateve. I ekzaltuar nga haluçinacionet folklorike ai shkruan:

1-Beteja e parë diplomatike, e fituar nga ministri i deleguar, Gent Cakaj në Bukuresht
2-Pritshmëritë për këtë djalosh të ditur nuk kanë zhgënjyer.
3-Ka realizuar një gol spektakolar diplomatik në Samitin e Ministrave të Jashtëm të BE-së 
4-Gent Cakaj, ka kaluar në avantazh befasues, duke lënë gojëhapur shpurën hijerëndë dhe arrogancën e diplomatëve.
5-Beteja kishte një triumfues mendjemprehtë (Gjinon–shënimi im) dhe vetë dija, barrë të cilën ai mbante, të korrte një fitore vendimtare.

Nga ajo që lexojmë në vazhdim nga Kronikani virtual i Betejës mësojmë se paska qenë një betejë për jetë a vdekje. Na duket sikur i dëgjojmë vringëllimet, hingëllimat e kuajve, amanetet e te vrarëve e lutjet e të plagosurve madje meqë jetojmë në realitete patriotike surreale, në Vaterlonë serbe të Karpateve dëgjohen edhe sirenat e autoambulancave

Kronikani i Betejës shkruan: “Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, nuk i kishte bërë hesapet mirë. Atij i ra "të shkonte të merrte vetullat dhe la edhe sytë", sepse e atillë ishte goditja që pësoi”

Merret mirë me mend paskëtaj fati i ushtrisë dhe kombit sërb që udhëhiqet nga dikush që i humbi sytë që në betejën e parë nga shpata e heroit gjeni Gjino.

Kronika e betejës në mbyllje i drejtohet një mase njerëzore (ku pa dijeni të kronikanit bëj pjesë edhe unë, e prandaj edhe ky status), që me shumë dashamirësi kronikani ynë e quan “lukuni hijenash, histeria kokëshkretë e të cilëve do të mbetet një nga njollat më të ndyra në vetëdijen qytetare shqiptare, mumje prehistorike që sjellin gjyqet e inkuizicionit"

Pasi lexoj këto rreshta eshtë e pamundur të mos e përfytyroj gjeniun tonë Gjino nën petkat e Xhordano Brunos dhe Galileit. Dhe pa ndonjë koment (që do të ishte krejt i tepërt në këtë rast) po jap vazhdimin e kronikës:

“Histeria kokëshkretë e kontestimit ndaj propozimit të zotit Rama të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe promovimit të tij si një aset i çmuar i diplomacisë dhe lukunia e hijenave ndërsyer ndaj tij, ishte dhe mbeti një nga dangat më të ndyta të vetëdijes sonë qytetare. Këtë betejë absurde e kam vëzhguar me shumë interes për një fakt shumë të thjeshtë, për integritetin intelektual dhe dijeshumë të djaloshit energjik dhe oratorit dehës. Fatkeqësisht kam vjedhur prej kohës sime për të lexuar dhe ndjekur gjithëçfarë oponenca ofronte përmjerrjen e saj neveritëse. Nuk u pataksa për këtë djalë të gjorë, që përfundoi kësisoj në shënjimin e kësaj batërdie kokëprerë.  U ligështova se po sulmohej me çdo mjet dhe vulgaritet, që nga dishepujt e besimit në dije, deri te penëthyerit shqipshkrues, jo Gent Cakaj por dija, leximi, libri, arsimimi. Prej rrënojave të shekullit të iluminimit, natoteknologjisë, egos së njeriut për të shtytur tej caqet e së mundshmes, krejt beftas ngrihen nga terri i groposur i harrimit, mumjet prehistorike duke i sillë të sotmes si risi, gjyqet e inkuizicionit, për të nënshtruar me zjarr dhe hekur, për të poshtëruar me leçitje dhe baltosje, dijen, atë që njerzimi kishte mbujtur në mijëvjeçarë si zjarrin. Dhe vjen një ditë, që djaloshi kurajoz, ai që besoi te shkollimi, dija dhe librat, të qëronte hesapet një herë e mirë me një të goditur. Të lumtë, Gent Cakaj, mbrojte veten, por mbi të gjitha dijen, librin, shkollën, përfaqësove Shqipërinë dhe bekove Kosovën.”

Këtu shënimet e kronikanit virtual për Betejën e Fituar mbarojnë. 
Është momenti i dafinave.
Mbyllet kapaku i kronikës dhe hapet dera e farmacisë.