Blog

Muri prej xhami-Nga Agim Xhafka

(Tregimi i së dielës)

Raqi i mbushi 25 vjet në Karolinën e Jugut. Tek ky shtet erdhi qysh në vitin 1994, kur i doli llotaria amerikane e nuk lëvizi kund. Erdhi mesoburrë, me dy çuna të vegjël e në Amerikë lindi vajzën që tani mbushi 22 vjeç, po mbaron kolegjin. I pëlqen Karolina. Ka emër vajze dhe nga që është kaq e bukur kam rënë në dashuri me të, e thotë shpesh.
Vitin që shkoi doli në pension. Në Shqipëri ishte mjek, por dhe këtu ia doli. U bë ndihmës mjek. Nga që rrogën e pati të mirë pensioni i del dhe i tepron. Kështu i thotë, Gjergjit, çunit me të cilin banon, se Fredi ka ikur me punë në Atlanta. Është i martuar e me dy fëmijë. Ndërsa Gjergji ka veç një gocë. Mjalti i mjaltit të mjaltit, e quan Raqi. 
Këto ditë po kërkonin një shtëpi më të madhe. Gjetën disa kaq të bukura sa të vinte e të hyje atë çast. Por ajo e djeshme i pëlqeu më shumë. Jo se ishte pranë oqeanit, jo se ishte më e madhe dhe me dritë ngado. Por se dhoma e ndenjjes kishte një vetratë me xham në mes. Hapej kur organizoje festa dhe mbyllej e bëhej dy dhoma kur ishin ditë të zakonshme. Sa e pa këtë vetratë, Raqi u çel në fytyrë. Fredi e pa që i pëlqeu dhe e pyeti:
-Ta blemë?
Nuk i ktheu përgjigje çunit se mendja i shkoi fluturimthi në Korçën e tij. Atëherë kur ishte kërthi, afër 60 vjet para...

Atë mëngjes dimri, kur jashtë kishte borë dhe qe acar, e çoi shpejt nëna nga gjumi. 
-Do shkojmë te shtëpia jonë sot,-ia kujtoi ajo.
U çua vrik dhe veshi në çast tutat kaki. Do iknin nga banesa e dajës. Qëndruan atje disa vjet deri sa pardje iu dhanë një banesë te rruga kryesore e qytetit. Ia shtetëzuan një të pasuri, tha babai dhe tani atje do banonim 6 familje.
-Nxitoni, se mos na ngelet ne ndonjë dhomë e vogël,-tha babai.
Raqi kapi dorën e gjyshes dhe po ecte linkthi pas të rriturve. Arritën shpejt. Te shtëpia me dy kate pa një pllakë: “Bulevard Republika”. 
-Kjo është,- i tha mamaja.
Hynë te një oborr i vogël mbushur plot me njerëz. Të shkallët, në krye qe një tullac i imët që kur fliste nxirrte stërkala.
-Familja Nino!
-Këtu,-dhe ngritën dorën nja gjashtë persona. 
I mori me vete tullaci e pas pak ata po shihni turmën nga parmakët e verandës te kati i dytë.
-Këtë dhomë doja,-tha babai i Raqit.-Ka një ëc atje. Ne të tjerët do dhjesim te ky qenefi jashtë,-e tregoi një kolibe te cepi i oborrit.
Pastaj u rregulluan të tjerët e në fund babai me Ethemin, kështu quhej burri i familjes tjetër me pesë fëmijë. Tullaci i mori bashkë e i ngjiti lart. Te korridori i madh ishin dy dyer druri të larta e të skalitura. Hyni, u tha tullaci. Te dera e parë hyri familja e Ethemit. Te tjetra hyri familja e Raqit dhe për çudi u bashkuan në një dhomë. Dyert të nxirrnin te e njëjta dhomë. U panë me çudi. Do jetonin bashkë 13 veta? Mos qe shaka? Por tullaci shkoi te kreu i murit dhe tërhoqi zvarrë disa dyer të mëdhaja të ngjitura me njëra tjetrën. Nga mesi e lart ato ishin me xham me lule, plot ngjyra. Rrëshqitën mbi dysheme e kur takuan murin tjetër bëri krak një shul që u ngul përdhe. Dhoma u nda në mes. Babait i ra dhoma me një dritare, Ethemit ajo me një ballkon. Tullaci ngeli matanë dhe tregoi se poshtë ishte një kuzhinë e përbashkët, nevojtorja qe jashtë dhe kaq. 
-Ta gëzoni shtëpinë,-uroi dhe iku si era.
Nëna gati të qante. Gjyshja donte te pyeste, por babai ia bëri me shenjë, kujdes se na dëgjojnë. Matanë Ethemi seç bënte me ca tenxhere e dëgjoheshin të qara fëmije.
Nisën një jetë që asnjë ëndërr nuk ta servir. Nata e parë pa gjumë. Sa dëgjohej një teshtimë këtej, shëndet thoshin nga dhoma tjetër. Babai i Raqit gërhiste paq, por Ethemi qe kampion. Një djalë i tij fliste në gjumë dhe u tmerruam kur një natë bërtiste, vrije, mbyte!
Ditë pas ditë nisën njohjet. Te kuzhina u miqësuan gratë dhe filluan recetat e ushqimeve. Shtroheshim në tavolinë e na vinte zëri nga matanë:
-Doni ca turshi? Na i sollën nga Skrapari.
Babai ua kthente:
-Do pini ndonjë gotë me ne?
Dhe ajo dhomë me vetratë na u duk pas ca kohësh si një ndarje koti. Tani dinim se si i kishin hallet. Mësonim kur ishin sëmurë, kur nuk iu dilte rroga, kur blinin ndonjë palë këpucë a pantallona. Fëmijët i bënin detyrat me pyetje e përgjigje për tabelën e shumëzimit, recitonin e korrigjonin njeri-tjetrin. Dhe nëpër vite e hapën disa herë vetratën. Kur djali i madh i Ethemit shkoi ushtar, kur babai i Raqit mbaroi universitetin me korrespondencë dhe kur Raqi u operua nga apandeciti. U dukej sikur ishin një familje, vec dalloheshin nga mbiemri. Sa herë ishin në sebepe e vaki të rriturit hapej muri dhe dukej sikur shtëpia ishte plot, nuk mungonte kush. Shkuan vite e një ditë babai i tha Raqit se do iknin në pallat, andej nga stadiumi. Nëna u gëzua, por babai kafshoi buzë. Kujdes se do mërziten ata matanë, donte të thoshte. Kur edhi dita të largoheshim i mbyti ngashërimi të dy palët. Nuk ndaheshin, ashtu si nusja që qan kur braktis shtëpinë e babait.
Në pallat kishin dy dhoma e një kuzhinë. Djemtë, se u bë me dy, i vuri te një dhomë. Por ata ndenjën pa gjumë. Iu dukej sikur ishin në pyll. Nuk flinin dot me aq qetësi. Gjyshja gati u sëmur se donte muhabet dhe natën. Nënës i mungonte Hajrija, gruaja e urtë dhe e qetë e Ethemit. Në mëngjes do iknin vrap te shtëpia e vjetër, por te dera erdhi komplet familja e Ethemit.
-Të rrimë ca ditë këtej, të mësohemi,-thanë ata.
E sërish u mbush plot ajo banesë, me jetë, me njerëz, me lumturi.
Këto kujtonte Raqi dhe një vetratë e thjeshtë e detyroi të blinte një shtëpi të tërë. Se ajo vetratë zmadhon hapësirën, por dhe shton miq e shokë. Shton gaz e hare. Të shton jetë, i tha vetes.
-Do e blemë, bir. Qysh nesër, sa të dalë dielli...