Blog

1 Maji dje dhe sot-Nga Zef Preçi

Në vitet e regjimit komunist, sigurimi i pajisjeve shtëpiake bazë si lavatriçe, frigorifer apo televizor, ishte i mundur vetëm nëpërmjet autorizimeve të cilët ndaheshin periodikisht në qendrat e punës. Kjo sepse prodhimi për shembull i aparateve marrëse televizive (në fakt vetëm montimi) bëhej me plan dhe për rrjedhojë edhe shpërndarja ishte e tillë.

Kuptohet që në shpërndarjen e autorizimeve drejtuesit e qendrave të punës bënin përpjekje për të ruajtur disa ekuilibre të brendshme midis punonjësve të organizuar në radhët e Partisë së Punës dhe atyre jo-anëtarë të saj, punonjësve të prodhimit (përndryshe “klasa punëtore”) dhe administratës (përndryshe “burokracia”), punonjësve të rinj dhe atyre në prag të pensionit, etj.

Megjithatë nuk mungon edhe pakënaqësitë dhe qejfmbetjet në ndarjen e autorizimeve për t’u pajisur me televizor. Ndarja e tyre bëhej në prag festash si Viti i Ri, festa e Çlirimit, 1 Maji, etj.

Kështu ndodhi njëherë edhe në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Sekretar i Komitetit të PPSH-së të të cilit në vitet 70-të të shekullit të kaluar ishte shoku Deko Rusi, një personazh i ditur dhe i respektuar i kohës.

“Kaldaisti i Universitetit, si personifikim i “klasës punëtore”, megjithëse kishte aplikuar për autorizim, doli duarbosh dhe shumë i revoltuar troket në derën e sekretarit të Komitetit të PPSH-së të Universitetit. Pa pritur lejen e sekretares hyn në zyrën e shokut Deko dhe i zbraz me zë të lartë pakënaqësinë e tij për mohimin e të drejtës së “klasës punëtore” për të marrë aparat televizori.

Shoku Deko, që shquhej për humorin e hollë dhe aftësinë për të dalë nga situatat delikate, nuk e lejon kaldaistin të vazhdojë gjatë me ankesën e tij dhe i kthehet:
-E për çfarë shqetësohesh ti, përfaqësuesi i klasës punëtore në Universitet, për një kuti televizori? Por ti ke fabrikat, ti ke uzinat, ti ke kombinatet, ti ke hidrocentralet, e mbi të gjitha ti ke pushtetin...” 
E kështu gradualisht e nxorri kaldaistin nga zyra dhe e përcolli deri në krye të shkallëve prej nga mori rrugën për poshtë i lumtur me shpjegimet e Sekretarit të Komitetit të PPSH-së.

“Fundja, ç’vlerë kishte një kuti (televizori) kur ke gjithçka e mbi të gjitha pushtetin-u bind përfundimisht kaldaisti i gjorë...”

Mbi godinat qendrore administrative llamburiste slogani: “Pushteti buron nga populli dhe i takon popullit!”

Pak a shumë si socialistët në ditët e sotme që votuan më 2013 dhe 2017 dhe timonin e tepsinë ja dhanë Rilindjes, ndërsa ata kanë “fushat e gjera me lule”, kanë “pushtetin”.

Një arsye vërtet për të qenë të lumtur shqiptarët ose fundja për t’u ndjerë çdo ditë të vitit “me pushtet” të paktën sa kaldaisti i Universitetit gjysëm shekulli më parë, pak a shumë si më 1 Maj apo 1 Prill, kjo pak rëndësi ka...

 

 *Fotografia ilustruese e marrë nga Arkivi Digjital Elbasan

 

 

 

Tagged under Zef Preçi 1 Maji