Blog

E vërteta e qëndrimeve të tropojanëve ndaj presidentit Meta-Nga Gavrosh Levonja

Javën e kaluar presidenti Ilir Meta ishte në Tropojë duke marrë pjesë dhe në një aktivitet kulturor, konkretisht në Festivalin Mbarëkombëtar të “Kcimit të Tropojës”. Vetë kreu i shtetit në një postim në Facebook, shprehet se ndjehet i lumtur në Tropojën e dashur dhe fisnike si dhe duke vlerësuar aktivitetin në fjalë si një “kryevepër të trashëgimisë shpirtërore të kombit tonë”.

Tani, duke u kthyer tek një vizitë e Ilir Metës, në vjeshtën e vitit 2000, asokohe kryeministër i vendit ku e ndjeu veten tejet të rrezikuar i rrethuar nga turmat e protestueve të egërsuar si pasojë e gjendjes në të cilën ndodhej qyteti me rrethinat e tij, ku vrasjet e kthyera në një ritual të rëndomtë, e kishin bërë Tropojën qytetin më të pasigurtë të vendit. Në fakt, si pasojë e gjendjes në fjalë, cilitdo politikani të asaj kohe do t’i rezervohej e njejta pritje si Metës. Fakt është se ishte Meta politikani i parë i rangut më të lartë i cili mori guximin për të shkuar në Tropojë. Natyrisht një “kcim” i tillë ku “armiku” i njëzet viteve më parë tashmë pritet si një mysafir i nderuar tregon për një ndryshim domethënës në sensin pozitiv.

Në fakt një ndryshim i tillë pasqyrohet në gjithë shoqërinë shqiptare ku qytetarët të ndodhur përballë problemesh akute duke filluar nga lufta për mbijetesë nga ana ekonomike dhe të rrezikuar nga krimi i rrugës, por përgjithësisht të zhgënjyer nga “parajsa demokratike”, nuk para ua “varin” më politikanëve, duke ulur ndjeshëm dhe prirjen për t’u përdorur si “mish për top” prej tyre për t’iu vërsulur kundërshtarëve politikë të leader-ve të tyre.

Por, disa mendojnë se ndryshimi i mësipërm ku “armiku” Ilir Meta i 20 viteve më parë tashmë, në rolin e presidentit të vendit pritet si një mik duke i bërë të gjitha nderet, qenka pasojë e ndryshimit të raporteve të presidentit Meta me leader-in historik të PD-së, Sali Berisha. Sipas tyre, gjatë viteve 90-të dhe fillimit të viteve 2000 duke qenë se marrëdhëniet Meta-Berisha ishin konfliktuale, pretendohet se ky i dyti i kishte vërsulur tropojanët kundër Metës, ndërsa sot, Meta respektohet prej tyre si pasojë e ndryshimit në marrëdhëniet e tij me Sali Berishën, madje Meta qenka “mik personal” i këtij.

Personalisht, nuk jam i prirur të besoj një version të tillë sipas të cilit tropojanët paskan qenë e vazhdojnë të jenë të manipulueshëm deri në atë shkallë sa t’i binden verbërisht një individi qoftë ky dhe Sali Berisha. Edhe më i papranueshëm bëhet versioni sipas të cilit ndryshimi në qëndrimin e tropojanëve ndaj Ilir Metës është pasojë e “miqësisë” Meta-Berisha, po të përmendet fakti që vetë Sali Berisha, qoftë si president, kryetar i PD-së apo kryeministër, nuk ka guxuar të shkelë në Tropojë duke mos u ndjerë i sigurtë. Madje, në një cikël emisionesh të titulluar “Xhungël” disa familje të njohura të Tropojës, në radhë të parë Haklajt ia kishin “bërë benë” Berishës duke e konsideruar si shkaktar e përgjegjës për vrasjet që eliminuan pjesë të tëra të familjeve të tyre.

Gjithçka do të ishte e besueshme nëse autori i postimit që ndryshimin e qëndrimit të tropojanëve ndaj Metës e interpreton kryekëput si rezultat i miqësisë së këtij me Berishën më parë do të kishte shpjeguar se si është e mundur që një individ aq i urryer nga bashkëqytetarët e tij sa që nuk guxon të shkelë në vendlindje gëzon në të njejtën kohë dhe autoritetin e tij për t’iu imponuar këtyre se ç’qëndrim duhej të mbajnë ndaj figurave më të rëndësishme të shtetit e politikës në përgjithësi. Dhe nëse ai që mbështet përfundime si ky i mësipërmi është gazetar, nuk ka si të mos humbë disi përsa i përket besueshmërisë në ato që publikon.