Blog

A është Parlamenti aktual legjitim ndonëse mund të jetë funksional?

Nga: Klodi Stralla

Një miku im më pyet, si jurist, se si e mendoj unë: Parlamenti aktual është apo jo legjitim ndonëse mund të jetë funksional, pra mund të miratojë çdo lloj ligji?

Po- i përgjigjem: Me daljen e opozitës nga Parlamenti dhe me zëvendësimin e një pjese të saj me kandidatë të rradhës të listave partiake, aktualisht Parlamenti shqiptar ka 122 deputetë të ligjshëm.

Disa juristë pretendojnë se një organ i tillë është i ligjshëm, duke sjellë si argument faktin që ai i ka mundësitë të votojë çfarëdo lloj ligji, si ata të thjeshtët që, për t’u miratuar kërkojnë 71 vota, ashtu edhe ata që kërkojnë mazhoranca të cilësuara, siç janë rastet e Kodeve, me 84 vota ashtu edhe kur kërkohen ndryshime kushtetuese për të cilat duhen 94 vota. Duke u nisur nga funksionaliteti këta juristë konkludojnë se ky parlament është edhe legjitim. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese interpretimi është apo jo parlamenti legjitim, ndonëse mund të jetë funksional, mbetet evaziv, në dëshirën, interesin dhe bindjen e gjithsecilit.

Për mua neni 64 i Kushtetutës e ka shprehur taksativisht: “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë”. Këtu nuk është fjala që në sallë të ketë 140 deputetë sa herë ai mblidhet, por që betimin, si akt përfundimtar konstituimi, ta kenë bërë 140 deputetë. Edhe kur dikush largohet për shkaqe nga më të ndryshmit Kushtetuta ka parashikuar zëvendësimin e tij. Pra, për mua, kërkesa për të pasur 140 deputetë të betuar përbën kusht për legjitimitetin e tij si organ kolegjial. Legjitimiteti dhe Funksionaliteti janë dy gjera të ndryshme. Mund të jesh legjitim pa qenë funksional (atëherë parlamenti shpërndahet) ose e anasjellta, është funksional por mund të mos jetë legjitim ( në këtë rast çdo ligj i miratuar prej tij është i pavlefshëm).